Janë gjetur dy dëshmitarë okularë të vrasjes së maturantit Angel Petkovski

Gazeta “Utrinski Vesnik” shkruan se janë gjetur dy dëshmitarë okularë të vrasjes së maturantit Angel Petkovski në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit.

Sipas avokatit mbrojtës hetimi për vrasjen pritet të mbarojë kah fundi i gushtit ku dhe pritet të prezantohen provat për rastin.

“Pas 15 gushtit do të dimë nëse do të ketë edhe prova të reja, por do të prezantohen edhe të gjitha provat materiale të cilat deri më tani i ka mbledhur Prokuroria, me çka mbrojtja do të mund t’i analizojë. Presim deri atëherë të shohim edhe fotoalbumin dhe incizimet nga kamerat e sigurisë të spitalit të syve, në afërsi të së cilës ka ndodhur vrasja”, thotë Rubin Dvojakov, avokat i të dyshuarit Naser Eshtrefi.

Deri tani janë dëgjuar dhjetëra dëshmitarë të cilët kanë treguar për rastin para Prokurorit publik i cili po udhëheq hetimin.

Do të bëhet edhe ekspertizë neuro-psikiatrike të Naser Eshtrefit, i cili është i dyshuar për vrasjen e 18 vjeçarit. Në fillim të muajit ai ishte dëgjuar në gjyq, ndërsa para tij ka dëshmuar edhe i ati i të vrarit Angel, i cili në momentin e tmerrshëm ka qenë afër tij.

Mes dëshmitarëve në gjyq janë thirrur edhe policët të cilët të parët kanë arritur në vendin e ngjarjes, nëpunës të cilët kanë siguruar vendin, kalimtarë të rastit të cilët kanë vërejtur zënkën mes dy djelmoshave rreth lumit Vardar, si dhe shokë të afërt të djalit të vrarë, me qëllim që tëzbardhet se çka ka ndodhur disa orë para tragjedisë.

Burimet e hetuesisë thonë se mbetet të kontrollohen dyshimet nëse Naseri ka qenë vetëm ose me të ka qenë edhe grup më i madh i të rinjve ditën kur është nisur për në lagjen Gjorçe Petrov?

Lajme të ngjashme

Back to top button