Saraçini: Vazhdojnë reformat në sektorin energjetik

Reformat në sektorin energjetik në Maqedoni vazhdojnë me qëllim që gradualisht të bëhemi pjesë e tregut të vetëm të energjisë së Bashkimit Evropian.

Këtë e theksoi ministri i ekonomisë, Valon Saraçini në fjalimin që e mbajti në takimin e ministrave të energjetikës së Bashkimit Evropian dhe të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe vendet e EFTA-s, i cili u zhvillua gjatë dy ditëve të kaluara në Vilnus të Lituanisë.

Saraçini i theksoi angazhimet e Qeverisë së Maqedonisë në energjetikë për vendosje të standardeve evropiane në këtë sektor, përmes harmonizimit të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së, duke pasur parasysh se energjetika paraqet shtyllë të ekonomisë së vendit për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin social.

“Në këtë drejtim, ende po bëhen reforma në sektorin energjetik dhe tregjet e energjisë elektrike dhe gazit natyror, me qëllim që gradualisht të bëhen pjesë e tregut të vetëm të energjisë së BE-së. Vendet e rajonit janë të bashkuara në bashkësinë energjetike, ku bashkërisht punojnë që të krijojnë kornizë stabile rregullatore dhe tregtare, e cila do të tërheq investime në sektorin energjetik, me ç’rast do të sigurohet furnizim stabil dhe i vazhdueshëm me energji”, tha Saraçini.

Ai theksoi se në kuadër të politikës energjetike të qeverisë, theks i veçantë i është dhënë sigurimit të furnizimit përmes diversifikimit më të madh të burimeve.

“Në këtë drejtim, krahas shfrytëzimit maksimal të burimeve vendore, përmes revitalizimit të kapaciteteve ekzistuese dhe ndërtimit të të rejave, qëllim strategjik i Republikës së Maqedonisë është që të lidhet me sistemet energjetike fqinje dhe sistemet në rajon”, theksoi ministri Saraçini.

Takimi i ministrave të energjetikës është inicuar si pjesë e aktiviteteve për realizimin e prioriteteve të kryesimit lituanez në energjetikë: punë e vazhdueshme për kompletimin e tregut të brendshëm për energji të BE-së në vitin 2014, si dhe përforcim të dimensionit të jashtëm të politikës energjetike të Unionit. Qëllimi është që të përforcohet konkurrenca evropiane dhe t’u përgjigjet sfidave të lidhura me çmimet e larta për energji dhe shpenzime.

Në takim u diskutua për masat e nevojshme të cilat duhet të ndërmerren që të kompletohet tregu i brendshëm i Bashkimit Evropian, midis të cilave nevoja për përforcim të trupave rregullatorë dhe mundësim të konkurrencës. Pjesëmarrësit në takim diskutuan për integrimin e tregjeve të energjisë së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përmes lidhjes fizike, gjegjësisht ndërtimit të infrastrukturë së nevojshme dhe mekanizmat për mbështetjen e saj. Debati u zhvillua në drejtim të vendosjes së qëllimeve të reja për vitin 2030, me qëllim të uljes së emisioneve të dëmshme. Në këtë segment, po shqyrtohen mundësitë për konfirmim të qëllimeve të reja për pjesëmarrje të burimeve ripërtërirëse të energjisë, efikasitetit energjetik dhe masa dhe aktivitete të tjera.

Sipas konkluzioneve nga takimi, kompletimi i tregut të energjisë duhet të vazhdojë edhe më tej, përmes masave të cilat do të jenë në drejtim të nxitjes së investimeve në sektorin energjetik dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Janë dërguar edhe rekomandime për nxitje të konsumatorëve që në mënyrë aktive të marrin pjesë në treg, me mundësi që të menaxhojnë me konsumin e tyre, përmes mundësisë për instalim të orëmatësve të mençur. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button