Hetime për vjedhjen e rreth 7 milionë dollarëve në Bankën e Shqipërisë

Prokuroria e Shqipërisë nis hetimet për vjedhjen e kryer në qendrën e Emisionit të Monedhës, e cila ndodhet në periferi të Tiranës, ku depozitohen kartëmonedhat shqiptare.

Në mesin e zyrtarëve të lartë të Bankës që do të merren në pyetje gjatë hetimeve, figuron edhe emri i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Policia ka bërë të ditur se shuma e vjedhur është 7 milionë dollarë, por burime mediatike që i referohen prokurorisë, bëjnë me dije se gjatë 4 vjetëve janë vjedhur 20 milionë dollarë.

I arrestuar nga policia për këtë vjedhje është Ardian Bitraj, punonjës në Emisionin e Monedhës, i cili e ka pranuar akuzën e vjedhjes së 7 milionë dollarëve, si dhe Mimoza Bruzaj, përgjegjëse e arkës në Emisionin e Monedhës, që akuzohet si bashkëpunëtore në vjedhje. Deri tash e dyshuara Bruzaj nuk e ka pranuar akuzën me të cilën ngarkohet.

Hetuesit mendojnë se për vjedhjet, Bitraj është ndihmuar dhe nga persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtorë të tij.

Ndërkohë, mësohet se policia ka kërkuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë kontrollin dhe verifikimin e numrave serikë të kartëmonedhave. Kjo pasi një pjesë e mirë e parave të vjedhura nga Ardian Bitraj ishin para, të cilat do të asgjësoheshin, ndërsa kanë dalë jashtë qarkullimit.

Pas deklarimeve të Ardian Bitrajt, oficerët e policisë dyshojnë se shumica e kartëmonedhave janë rihedhur në treg, ndërsa janë para të pavlefshme kjo për shkak të numrit serik, i cili është i klasifikuar si numër stok për t’u asgjësuar.

Pesë ditë më parë auditori i brendshëm i Bankës së Shqipërisë, në momentin që ka tentuar të bëjë inventarizimin e parave që do të asgjësoheshin, ka konstatuar mangësi në pakot e mbushura me kartëmonedha.

Në këtë kohë, i dyshuari Ardian Bitraj ka pranuar se ka hapur kutitë duke marrë para dhe duke i mbushur ato me libra. Ai ka deklaruar në polici se i ka prishur paratë duke vënë baste sportive në shuma të mëdha nëpër qendrat e lotarive e basteve sportive në Tiranë.

Policia ka mundur të sigurojë dëshmi të banorëve të lagjes ku banonte  Bitraj, sipas të cilëve ai luante shpesh nëpër qendrat e vendosjes së basteve.

Në pronësi të Ardian Bitrajt është një apartament i blerë me kredi, i cili shlyhej rregullisht çdo muaj sipas kontratës së kredisë.

Hetimi i mëtejmë pritet të zbardhë skemën e vjedhjes së miliona dollarëve nga Banka e Shqipërisë, që renditet si vjedhja më e madhe në historinë e kësaj banke.

Lajme të ngjashme

Back to top button