Tetovë, familja Ibrahimi dhe Rexhepi rrezikojnë të mbeten pa çati mbi kokë

Dy familje me gjithsej 10 anëtarë rrezikojnë të mbeten pa çati mbi kokë. Problemi i tyre e ka zanafillën që në vitin 1984 kur shteti u morri shtëpinë dhe i kompensoi me dy banesa. Por tani, pas 30 vjetësh, Komuna e Tetovës dhe Shoqata për Menaxhimin e Objekteve të Banimit kërkojnë që këto dy familje të lënë banesat, madje pa asnjë qindarkë kompensim, duke i lënë në mes të 4 rrugëve familjet. Kryefamiljari Ibrahim Rexhepi thotë se autoritetet nuk japin arsyetime. Ai i bën apel Komunës së Tetovës, që të paktën t’i sigurojë një truall ndërtimi, duke i kompensuar shtëpinë e dikurshme 30 vjet më parë, e cila tashmë shërben si muze i komunizmit, transmeton Alsat M.

“Ne tash problemin më të madh e kemi me SIZ-in, edhe pse këto punë duhet t’i rregullojë vet komuna me SIZ, sepse në vitin 1984 shtëpia neve na u morr me dhunë. Me polici jemi nxjerrë dhe përmes komunës na dhanë dy banesat këtu përkohësisht. Dokumentet i kemi që duhet të na japin një tokë për ndërtim por vendi nuk është askund”, tha Ibrahim Rexhepi, kryefamiljar.

 Shoqata për Menaxhimin e Objekteve të Banimit kërkon nga 2 familjet që t’i blejnë banesat nga 30 000 euro, por banorët e këtyre banesave nuk kanë para. Në këtë mënyrë, ata janë kthyer tek ideja e vjetër, ajo e rikompensimit për shtëpinë e uzurpuar 30 vjet më parë.

 “Me çfarë të paguaj unë, dokumentacioni i 84 është se neve na premtohet një vend për ndërtim. Tani ata arsyetohen se përmes pronarit të parë na kanë dhënë një shumë prej 13 000 eurosh dhe një pjesë e kanë ndalë në komunë por jo, ne nuk kemi pranuar asgjë… ne nuk kemi pranuar gjë. Ne kërkojmë ose të na jepet parcela për ndërtim ose komuna le të merret vesh me SIZ-in sepse ishte komuna ajo që na ka nxjerrë këtu, nuk kemi ardhur me vetë dëshirë”, deklaroi Ibrahim Rexhepi, kryefamiljar.

Fat të njëjtë ka edhe xhaxhai i Ibrahimit, Arifi, i cili po ashtu ka 5 anëtarë që i mban gjallë vetëm me ndihmë sociale prej 2000 denarësh.

“Na premtuan që do na japin parcelë për ndërtim, të holla për ta ngritur shtëpinë sot e kësaj dite as para s’na kanë dhënë e as parcelë. Shkojmë në komunë na kërkojnë ti blejmë banesat , ne para nuk kemi as për qira as për të jetuar nuk kemi. Jetojmë me ndihma sociale 2200 denarë. 4 fëmijë i kam të gjithë i kam në shkollë”, u shpreh Arif Ibrahimi, Kryefamiljar.

Dy familjet Rexhepi kanë vendosur ta kërkojnë drejtësinë në të gjitha instancat shtetërore.

Lajme të ngjashme

Back to top button