Wohlers ‘porosit’ Qeverinë e Maqedonisë: Liria e mediave-shtyllë e demokracisë

Të gjitha zërat duhet të dëgjohen, për shkak se të gjithë anëtarët e shoqërisë kanë interes në rezultatin përfundimtar. Këtë mes tjerash shkruan ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Paul Wohlers në kolumnën e tij botuar sot në shtypin ditor, duke përmendur debatin për Propozim-ligjet për mediat që zhvillohet në vend.

Nga mesazhi i tij mund të lexohet se edhe te ambasada amerikane ekziston shqetësimi për mënyrën si miratohen ligjet për media në Maqedoni.

Ai në fillim potencon se mediat e lira dhe të pavarura  mbeten ajo që kanë qenë  gjithnjë – shtyllë kryesore e demokracisë dhe duke treguar shembullin e vendit të tij, Amerikën, ai i sugjeron Maqedonisë ta ndjek rrugën e vendit të tij.

“Propozim ligjet për media që momentalisht janë në procedurë parlamentare, kanë ngritur diskutime serioze  dhe të mirëpritura në Maqedoni gjatë muajve të fundit. Përshëndesim Qeverinë e Maqedonisë që pranverën e kaluar pezulloi veprimet rreth Ligjit për media me qëllim që të krijohet hapësirë për kontribut më të madh nga populli i Maqedonisë. Të gjitha zërat duhet të dëgjohen, për shkak se të gjithë anëtarët e shoqërisë kanë interes në rezultatin përfundimtar” shkruan ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Paul Wohlers.

Ai mes tjerash thotë se demokracia e SHBA-ve ka mbijetuar nga aftësia e tyre për ti mbrojtur liritë e njeriut, posaçërisht fjalën e lirë. 

“Ne nuk dëshirojmë ti sigurojmë qeverisë mjete për ti kontrolluar mediat, përkundrazi, përqendrohemi  në mënyrën më të mirë për ti mbrojtur mediat nga restrikcionet e qeverisë. Mediat e lira dhe të pavarura janë një nga mbrojtjet më të mira  që populli mund të ketë kundër kontrollit të tepruar të qeverisë”, thotë Wohlers.

Ai e përfundon kolumnën e tij me shpresën se do të merren parasysh të gjitha këndvështrimet dhe se rezultati final do të jetë miratimi i ligjeve që do tu shërbejnë të udhëhequrve dhe jo udhëheqësve.

Ai thotë se është e rëndësishme të theksohet se liria e shtypit nuk siguron mbrojtje të verbër për çdo qytetar, përfshirë këtu edhe gazetarët dhe se ata duhet të jenë përgjegjës për veprat e tyre dhe mos bëjnë shkelje ligjore.   /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button