UEFA, 27 mijë Euro gjobë Kukësit

Pjesëmarrja e Kukësit në Europa Ligë, deri në fazën Play-off të këtij kompeticioni, përvecse ishte një arritje e padiskutueshme e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, pati edhe kosto financiare për shkak të sjelljes së tifozëve në shkallët e “Qemal Stafës”, ku nënkampionia e Shqipërisë I zhvilloi të gjitha ndeshjet brenda. Mesditën e kësaj të Enjte, në adresë të klubit verilindor kanë mbërritur disa shkresa nga UEFA, që janë vendime të komisionit disiplinor të këtij institucioni.

Kukësi është dënuar me 14 mijë Euro gjobë për shkak të hedhjes së shisheve dhe fishekzjarrene në përballjen me Sarajevon, ndërsa për për takimin me Metalurg Donjeck, shifra e gjobës është 13 mijë Euro.

Por Kukësi nuk ia hedh me 27 mijë Euro në total, sepse janë në shqyrtim edhe relacionet e sfidës me Trabzonsporin, që me siguri kanë prova të mjaftueshmë për ta dënuar skuadrën e Armando Cungut me një tjetër gjobë të majme.

Vendimet e disiplinorit të UEFA-s I kanë ardhur si rrufe në qiell të hapur presidentit Safet Gjici, që përtej investimeve marramendëse të vitit fundit, duhet të paguajë të tjera shifra të konsiderueshme për shkat të sjelljes së tifozërisë, që në këtë rast ka vepruar shumë larg profesionalizmit të shfaqur nga skuadra në fushën e blertë.

Përgjegjësi për gjobat e vëna nga UEFA kanë pa dyshim edhe forcat e rendit, që janë treguar të paafta për të identifikuar dhe shoqëruar personat që e ngatërrojnë mbështetjen e skuadrës së zemrës me sjellje që janë ta patolerueshme nga qeveria e futbollit europian.

Lajme të ngjashme

Back to top button