Muzeu i Alfabetit, përleshi PDSH-në dhe BDI-në

Edhe pse u investua nga Qeveria, Shtëpia e Alfabetit në Manastir sërish është në gjendje të mjerueshme me fasada të rrënuara ku ende duken grafitet anti-shqiptare. Qeveria e ka lënë pas dore këtë objekt, akuzoi sot deputeti i opozitares, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) Bekim Qoku, i cili thotë para një jave ka vizituar këtë objekt  për të parë nga afër çfarë ka ndodhur me atë shtëpi pas dy vandalizmave që ndodhën nga ana e huliganëve maqedonas. 

“Aty pash që ai objekt pas një investimi që e bëri Qeveria shpejt e shpejt për dy javë, rezultatet ishin se ai kishte filluar të rrënohet, fasada në disa pjesë të shtëpisë kishte rënë poshtë.  Kishte gjurmë të grafiteve antishqiptare ku shkruhej vdekje shqiptarëve. Problemi tjetër është gjetja nga ana e shtetit dhe policë, e vandalëve, kjo nuk tregon asnjë rezultat deri tani. Këtë unë e lexoj si inkurajim të mëtutjeshëm të vandalëve tjerë për të dhunuar këtë muze” tha Qoku.

Në akuzat e tilla, deputeti i BDI-së, Behixhudin Shehapi thotë se dëmet të cilat u shkaktuan nga vandalët janë regjistruar dhe riparimi është bërë.  

“Muzeu po funksionon, nuk ka asnjë pengesë për funksionimin e muzeut, por janë konstatuar dëme, riparimi është bërë javën e kaluar dhe gjithashtu janë identifikuar të gjithë ato ekzekutorët që kanë shkaktuar dëm në muzeun e alfabetit” tha Shehapi duke theksuar se  Ministria e Kulturës ka një projekt për instalimin e kamerave në këtë institucion dhe kjo  sipas tij, në masë të madhe do të kontribuojë për mbrojtjen e këtij institucioni.


Qoku hapi problemin e oborrit të shtëpisë e cila njëjtë është lënë pas dore.

 “Nga fotografitë bëra nga ai mund të shihet se bëhet fjalë për një xhungël, është i parkuar një kamion dhe ka barëra dhe ai vend nuk është sanuar fare. Kjo tregon një neglizhencë totale për një objekt që për ne shqiptarët duhet të jetë i shenjtë, kur dihet se aty është krijuar një gjuhë e botës” tha ai.

“Fatkeqësisht muzeun e gjeta mbyllur, në ora 12 ishte mbyllu dhe nuk e di pse ankohen kur vet e mbyllin muzeun” tha Qoku duke akuzuar gjithashtu për nepotizëm sepse në këtë muze janë të punësuar 7 persona, katër prej të cilëve janë të njëjtës familje dhe një është maqedonas.
Shehapi mohoi akuzat duke thënë se muzeu punon dhe ka vizitorë. 

“Muzeu ka edhe vizitorë, organet dhe udhëheqësit të muzeut janë në krye të detyrës së vetë dhe në asnjë mënyrë, asnjë vandalizëm dhe asnjë ksenofobi që fakt është se po ekziston në këtë qytet nuk është në gjendje të na detyrojë që ne të heqim dorë nga ky institucion dhe nga funksionimi normal dhe zhvillimi i mëtejshëm, progresi i mëtejshëm të këtij institucioni shumë të rëndësishëm për shqiptarët në Maqedoni” tha sot Shehapi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button