Pirro Dhima: Himara është greke

Deputeti himariot i PASOK-ut në parlamentin grek Pirro Dhima, me anë të një mesazhi të publikuar në rrjetin social të “Facebook”-ut ka kundërshtuar dje reformën e re territoriale që pritet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas tij drafti përfundimtar i propozuar nga qeveria shqiptare është i papranueshëm dhe në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare.

Dhima pretendon se qëllimi i vetëm i kësaj reforme është ndryshimi i përbërjes demografike të Himarës.

“Në tre muajt e fundit, unë e kam ndjekur me interes të madh debatin që është mbajtur me rastin e ndarjes së re administrative në Shqipëri dhe veçanërisht për vendlindjen time Himarën. Arsyeja pse nuk kam reaguar më parë publikisht për këtë temë, ka qenë besimi im se këto çështje duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Por duke parë draftin përfundimtar që shkoi për votim në parlamentin shqiptar, kam kuptuar se qëndrimi i palës greke nuk është vlerësuar, dhe se propozimet tona nuk janë marrë parasysh. Ky draft është i papranueshëm, në kundërshtim me legjislacionin europian dhe çdo koncepti të së drejtës ndërkombëtare.

Qëllimi i tij i vetëm i shërben ndryshimit të përbërjes demografike të rajonit. Gjithë kohës si deputet i PASOK-ut kam pasur kontakte të rregullta me Ministrin e Jashtëm dhe kryetarin e PASOK-ut, Venizelos, të cilit i kam përcjellë shqetësimet dhe kërkesat e bashkatdhetarëve të mi. Së fundmi, uroj që do të gjendet një zgjidhje që do të kënaqë të dyja palët”, përfundon komentin e tij Pirro Dhima.

Lajme të ngjashme

Back to top button