Shqipëri: Dhuna në familje, Policia krijon databazë për të luftuar fenomenin

Shoqëria shqiptare ka ndryshuar perceptimin ndaj dhunës në familje, sipas një studimi të 10 viteve të fundit.

Referuar rezultateve të studimit, të bëra publike në një takim të zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme mes një grupi OJF-ve, Koordinatores Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Elona Gjebrea, si dhe strukturave policore kundër dhunës në familje, vetëm 54 % e të anketuarve mendojnë se çështja e dhunës në familje është tërësisht private, ndryshe nga 89 % që ishte perceptimi 10 vjet më parë.

Sipas raportit, institucioni kryesor ku drejtohen ankesat apo denoncimet për dhunë brenda familjes, mbetet Policia. Më konkretisht, 39 % e të dhunuarve i drejtohen zyrës së Policisë nëse përballen me dhunë; 23 % u telefonojnë OJF-ve; 18 % e çështjeve shkojnë në Gjykatë; vetëm 1 % e denoncimeve përfundojnë në Prokurori dhe 1 % në pushtetin lokal, megjithëse ky i fundit, me ligj, është ndër institucionet kryesore që menaxhon këtë problematikë.

Nga më shumë se 500 qytetarë të pyetur përmes intervistimit telefonik, bisedave në fokus-grupe apo vetë-intervistimit online, 443 prej tyre u shprehën kundër dhunës në familje, ndërsa 100 të tjerë u përgjigjën se “pse jo, burri mund ta godasë gruan”.

Rezultatet i bëri publike Iris Luarari, Drejtore Ekzekutive e “Linjës së Këshillimit për Gra e Vajza”.

Në vijim, Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea siguroi se rezultatet e këtij anketimi do të bëhen pjesë e planit të punës së Policisë së Shtetit, ndërsa vlerësoi se është krijuar një databazë e rëndësishme për të luftuar fenomenin e dhunës në familje dhe sulmet seksuale. Ajo falënderoi projektin SIDA, që mbështeti iniciativën.

Timothy Del Veçhoi, konsulent i Programit suedezo-shqiptar për Policimin në Komunitet, u shpreh se po punohet për të zgjidhur incidentet, përpara se të shkojnë në Gjykatë./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button