BFI: Ramazani, mundësi për ndryshime pozitive

Me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), H. Sulejman ef. Rexhepi, ka lexuar mesazhin tradicional duke uruar të gjithë besimtarët e fesë islame për fillimin e muajit të agjërimit. 

Në mesazhin e këtij fillim-muaji të Ramazanit, ef. Rexhepi ka theksuar se “ai paraqet kënaqësi të veçantë dhe mundësi që me plot përkushtim t’i përgjigjemi thirrjes së Allahut për agjërim, adhurim, respekt dhe lexim të Kuranit, për ndërtim të vlerave morale, për bamirësi dhe humanitet, solidaritet dhe përkujdesje ndaj jetimëve”.

“Ky është muaji i Kuranit, librit të shenjtë dhe të pavdekshëm, i cili është i shpallur nga Zoti për t’i udhëzuar njerëzit në besimin e vërtet, për të kuptuar vlerat shoqërore, për ndërtuar standarde të jetës, të bashkëjetesës, tolerancës dhe për të respektuar dallimet, ku Allahu i plotfuqishëm thotë: ‘Muaji i Ramazanit është muaji kur filloi të shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra.’ Ky është muaj kur të gjithë Ne i shijojmë në mënyrë të veçantë begatitë e Ramazanit, ngase përmes tij hartojmë koncepte për të ngritur besimin në shpirtin tonë në shkallë më të larta. Guximi ynë për t’i bërë ballë çdo lodhjeje që vjen gjatë muajt të agjërimit është edhe një mundësi përmes së cilës dëshmojmë përulësinë më të madhe ndaj Allahut, krijuesit të të gjithë botëve”, ka deklaruar ef. Rexhepi.

Ramazani, vijon mesazhi i kreut të BFI-së, është muaj i solidaritetit dhe i afrimit mes vete gjatë të cilit, gjithsesi, duhet shtrirë dorën e mëshirës dhe ndihmës skamnorëve dhe nevojtarëve. 

“Numri i kësaj kategorie të shoqërisë sonë për fat të keq po rritet, andaj sinqerisht kjo e dhënë po na shqetëson nga koha në kohë. T’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit dhe të mos nxisim urrejtje, ngase çështja jonë nuk duhet të jetë viktimë e mosrespektit të ndërsjellë vëllazëror”, thekson më tej kreu i BFI-së.

Myslimanët, faktori kryesor në çështjet madhore

Ai ka bërë thirrje gjithashtu që ky Ramazan të jetë edhe shprehje e vërtetimit të dinjitetit tonë se myslimanët janë faktori kryesor i vendosjes së fatit dhe i rezultatit të çështjeve madhore. 

“Ne jemi të ngritur ngase jetojmë dhe veprojmë me fjalën më të madhe, më të pastër dhe më të pamposhtur, Kuranin famëlartë. Jemi të edukuar nga fjalët e edukatorit më të madh të  njerëzimit,  Muhamedit (a. s.),  se duhet t’i përgjigjemi gjithnjë me plot respekt urdhrit dhe parimit fetar se duhet të rrisim natalitetin dhe shtimi i numrit të pasardhësve tanë është pjesë e ruajtjes së gjenezës tonë të pastër dhe krenare. Myslimanët e këtyre hapësirave në këtë mënyrë kanë ruajtur ekzistimin e tyre biologjik dhe fetar; ndryshe,  mosrespektimi i normave fetare do të na nxirrte një të dhënë trishtuese,  për të mos thënë do të ishim asimiluar plotësisht. Në këto ditë shumë vëllezër dhe motra janë kthyer në vendlindje për të kaluar bashkërisht këtë muaj të madhërishëm të Ramazanit, andaj kam porosi që kontributi që ata japin në shërbim të familjes, fesë dhe vatanit të jetë me mençuri dhe profitabil, ngase askush nuk qan dertin tonë për fatin dhe të ardhmen e perspektivës sonë përveç vetë neve”, ka vijuar ef. Rexhepi.

Duke iu drejtuar mërgimtarëve, kontributi i të cilëve është i njohur, kreu i BFI-së thotë se ka shumë institucione të cilat me kujdesin më të madh janë në shërbim të Islamit, Kuranit dhe Vatanit dhe të tillët duhet përkrahur dhe stimuluar. 

“Kontributi juaj është i gjithanshëm dhe shumë me peshë, ngase përmes tij ju ndihmoni vazhdimin e zhvillimit të Islamit në këto hapësira, mbarëvajtjen e institucioneve edukativo-arsimore, freskoni vlerat islame dhe traditën tonë që bartim nga brezi në brez”, thekson ef. Rexhepi. 

Muaji i dashurisë së sinqertë ndaj Allahut

“Vëllezër e motra, për të gjithë Ne le të jetë ky muaj mundësi për ndryshime pozitive si në aspektin individual, ashtu dhe në aspektin familjar e shoqëror. Mbi të gjitha,  le të jetë muaji ku do t’i përkushtohemi me sinqeritet të plotë dashurisë së Allahut fuqiplotë, nga i cili do të kërkojmë që të na pranojë agjërimin që e bëjmë në emër të Tij, të na fal për lëshimet tona eventuale nga përditshmëria jonë si rezultat i modernizmit dhe jetës bashkëkohore. Meqë ky është muaj përplot sfida, atëherë le të jetë sakrifica jonë vetëm për kënaqësinë e Allahut, nga i cili presim edhe shpërblimin për veprat tona”, vijon mesazhi i kreut të BFI-së, duke përfunduar më pas me një bekim.

“Të nderuar vëllezër e motra, nga shtëpia juaj shumë miqësore, Bashkësia Fetare Islame ju përcjell bekimet e Allahut fuqiplotë kudo që gjendeni, në vendlindje a në diasporë, duke jua uruar me plot sinqeritet muajin e madhërishëm të Ramazanit, duke ju dëshiruar shëndet, mirësi e begati në familje dhe agjërim të lehtë e të pranuar tek Allahu i Gjithëmëshirshëm!”, përfundon mesazhi i kreut të BFI-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button