Gruevski: i kemi përkeqësuar marrëdhëniet me BDI-në

Kryeministri Gruevski në një intervistë për “Netpres” ka pranuar se ka mosmarrëveshje me partnerin e koalicionit, BDI dhe se për disa nga këto mosmarrëveshje janë gjetur zgjidhje, ndërsa për disa të tjera ende jo.

“Thashë njëherë dhe po them përsëri, marrëdhëniet me BDI, në mandatin e parë dhe të dytë, nuk janë të njëjtat. Në të dytin janë keqësuar, por ende janë në nivelin që mund të durohen. Përderisa ka trend të ngritjes së standardeve në të gjitha sferat, do të ketë logjikë koalicionimi ynë”, ka deklaruar kryeministri Gruevski.

Ai gjithashtu, ka komentuar edhe përfaqësimin e e shqiptarëvë në institucione publike, duke theksuar se  liderët politikë shqiptarë, sipas tij, më shumë kujdes i kushtojnë sasisë së posteve, sesa cilësisë së kuadrove që zgjidhen në këto poste.

“Nuk them se nuk ka kuadro të mirë në mesin e shqiptarëve, Ka. Por atyre nuk u kushtohet vëmendja e duhur nga liderët e tyre politikë, dhe kur them kështu nuk kam parasysh, një ose dy parti politike, por të gjithë ata në përgjithësi”, ka deklaruar Gruevski për Netpres.

Kryeministri Gruevski vlerëson se funksionarët shqiptarë e keqpërdorin për pikë politike çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe. Gruevski thotë se përderisa nxënësit shqiptarë gjuhën angleze e mësojnë nga klasa e parë, refuzojnë që edhe gjuhën maqedonase gjithashtu ta mësojnë nga klasa e parë.

“Nga ana tjetër, kemi një ligj që mundëson që nxënësit maqedonas të munden të mësojnë shqipen si lëndë zgjedhore në shkollë, por këtë nuk e bën thuajse askush. Politikanët heshtin për këtë, sepse nuk duan të humbin poenë politikë. Pyes veten, ku na shpie kjo? Nëse tani nuk jetojmë me njëri-tjetrin, por njëri pranë tjetrit, si do të jetë pas 20 ose 30 vitesh? Si do të kuptohemi atëherë? Me përkthyes, ose në anglisht do të komunikojmë? Këto janë probleme thelbësore!”, tha  ai. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button