Muzeu i Strugës, Ekspozita natyrore-shkencore, magnet për vizitorët (FOTO)

Muzeu i Strugës është një nga institucionet më të vjetra kulturore dhe shkencore në Komunën e Strugës. Në të ruhen vlerat e trashëgimisë kulturore , por edha pasuria e florës dhe faunës së kësaj ane. 

Nga ana tjetër, ky institucion është një nga të rrallët në Strugë dhe më gjerë që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Të paktë janë ata turistë që vijnë në Strugë dhe nuk ndalen në këtë muze, ndërsa nga më të vizituarit është ekspozita natyrore dhe shkencore e këtij muzeu, në të cilën janë ekspozuar flora dhe fauna e këtij rajoni.

Përparësia e saj është se ajo funksionon pandërprerë që nga ngritja e saj, në kuadër të muzeut, kurse vizitorët kanë mundësi që në çdo kohë, madje edhe vikendeve të shohin pasuritë natyrore të florës dhe faunës së kësaj ane, të ruajtura me kujdes në ambientet e kësaj ekspozite.

 Murteza Usejni, një nga të punësuarit e këtij institucioni thekson se interesimi për ta vizituar këtë ekspozitë është më i madh gjatë muajve të verës dhe kjo, siç thekson ai, është e kuptueshme kur vizitorët më të shpeshtë janë nxënësit e shkollave që  qëndrojnë në mënyrë të organizuar në Strugë.

Mirëpo, Usejni thekson se ky institucion pëlqehet dhe vizitohet shumë edhe nga grupe të shumta turistësh që vijnë nga jashtë. Ata janë vizitorë të shpeshtë të kësaj ekspozite, ndërsa janë agjencitë turistike ata të cilat ua sugjerojnë ardhjen këtu atyre, kurse ata gjithmonë largohen të kënaqur nga ajo që kanë parë dhe madje kthehen shpesh për ta vizituar edhe herët tjera, kur vijnë në Strugë.  

“Vetëm brenda dy muajve këtë ekspozitë e kanë vizituar 662 turistë të huaj, thekson Usejni, duke shtuar se vizitorë më të shpeshtë janë turistët grekë, por nuk mungojnë as ata holandezë dhe të tjerë. Gjatë muajit maj ekspozitën e kanë vizituar 334 të huaj, kurse gjatë qershorit 228 sosh” , pohon ai.

Ai thekson se vizitorë më të shpeshtë të kësaj ekspozite janë fëmijët, ndërsa nga vendasit më të paktit qytetarët e moshës madhore. Kështu gjatë muajit maj, atë e kanë vizituar 655 vizitorë fëmijë (nxënës), kurse gjatë qershorit 374. Pra, vetëm brenda dy muajve ekspozitën e kanë vizituar mbi 1000 vizitorë. Usejni thekson se çmimi për të parë ekspozitën është simbolik për vendasit, kurse për të huajtë 50 denarë.

Lajme të ngjashme

Back to top button