5 mijë nënshkrime për peticionin për anulimin e testimit ekstern

Në peticionin që testimi ekstern të konsiderohet si pilot, që organizohet nga Forumi Rinor Arsimor (FRA), për tre ditë janë nënshkruar 5000 qytetarë.

Nga FRA theksojnë se fakti që Ministria e Arsimit pjesërisht ka pranuar lëshimet në testimin ekstern, është për t’u përshëndetur.

“Konfirmojmë se FRA nuk është kundër vlerësimit ekstern që të përdoret si mjet për përmirësimin e procesit arsimor, por në të njëjtën kohë edhe njëherë insistojmë që testimi këtë vit të jetë vetëm si provues, me qëllim që të shqyrtohen, të korrigjohen lëshimet teknike dhe piket që nuk përputheshin me ligj”, thuhet në deklaratën e FRA.

“Për tre ditë, 5 mijë qytetarë të shqetësuar, nxënës, mësues, profesor dhe prindër janë nënshkruar në peticionin që testimi ekstern këtë vit të shpallet si provë dhe me këtë dërguan mesazh të qartë se testimi ekstern këtë vit ka qenë problematik, e jo ashtu siç ka qenë i prezantuar nga kompetentët, se bëhet fjalë për probleme të vogla teknike dhe se do të largohen me kalimin e kohës. Në peticion janë nënshkruar edhe punëtorë në arsim, ndërsa disa prej tyre kanë shprehur përkrahje dhe mbështetje me gojë, duke thënë se frikësohen ose nuk munden të nënshkruajnë”, thuhet nga organizata joqeveritare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button