Heshtin kur duhet të flasin

Partitë politike shqiptare preferojnë të deklarohen në masë të madhe në media, duke bërë PR agresiv, ndërsa heshtin në situata krizë siç ishte rasti i fundit i protestave të shqiptarëve lidhur me rastin “Monstra” dhe përplasjen e tyre me policinë maqedonase. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet është deklaruar përmes një komunikate, vetëm një ditë të plotë pas protestave të së shtunës, në të cilën nuk thuhet asgjë për sjelljen e policisë, ndërsa lideri i saj, Ali Ahmeti u deklarua dy ditë pas organizimit të tyre. I vonuar ka qenë edhe reagimi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), edhe pse kjo parti është në opozitë. Ngjashëm ka ndodhur me partitë shqiptare edhe lidhur me situatën e tensionuar në maj në lagjen Gjorçe PetrovBDI dhe PDSH reaguan shumë orë pas vrasjes së të riut maqedonas, Angell Petkovski, protestave të maqedonasve dhe djegies së pronës së shqiptarë.

Partitë shqiptare sillen sikur kriza të jetë diku larg

Ismail Sinani është kryeredaktor i portalit “Shenja” dhe analist politik. Sinanideklaroi për Inbox7 se sjellja e BDI-së dhe PDSH-së flet qartë për gjendjen e përgjithshme në të cilën janë katandisur shqiptarët. Ai vlerëson se BDI-ja me 153 mijë vota dhe PDSH me 67 mijë vota të fituara në zgjedhjet e fundit, dëshmojnë për një qasje jashtë mase joserioze ndaj elementit shqiptar në Maqedoni. “Këto dy parti sillen sikur votat t’i kishin fituar diku në Zimbabve dhe jo këtu në mesin e shqiptarëve. Kjo krizë e krijuar, me fajin e tyre, dëshmon për paaftësinë që të përballen me situatën më të re. Dhe, në një situatë të këtillë duket se shqiptarët kanë vendosur që demokracinë ta kërkojnë në rrugë, njëjtë sikurse në vitet e tetëdhjeta kur zhvilloheshin demonstratat në Kosovë. Pra sot, pas tri luftërave të zhvilluar në 15 vitet e fundit, shqiptarët e Maqedonisë, për shkak të paaftësisë së elitave të tyre politike, detyrohen të kthehen 30 vite prapa! Kur e them gjithë këtë, e kam parasysh se protestat në disa raste mund t’i kenë tejkaluar kufijtë e sjelljes normale, por kjo nuk do të thotë se drejtuesit politik duhet të ‘bunkerizohen’ deri në këtë shkallë sa që mos ta shohin të arsyeshme të dalin me qëndrim të qartë se çfarë janë duke bërë”, u shpreh Sinani. Analisti politik Ismail Sinani mendon se faji kryesor bie mbi partinë që është në pushtet sepse në fund të fundit ajo i ka të gjithë mekanizmat institucional për t’u përballur me krizën. Sinani vlerësoi se një PR apo marrëdhënie të këtilla me publikun nuk u bëjnë mirë partive të Ahmetit dhe Thaçit, sepse ikja nga realiteti nuk e zhbën të vërtetën! “Nëse një parti që numëron pesë – gjashtë ministra, dy zëvendëskryeministra hesht përballë gjithë këtij turpi që ndodh nga dita e premte e këndej atëherë kjo tregon se gjërat nuk janë duke ecur në kahe të duhur”, komentoi Sinani.

Media shqiptare: Politika mbyll celularin në kriza

Ndërsa gazetari i të përditshmes KohaArben Zeqiri deklaroi se mosreagimi i duhur dhe në kohë i partive shqiptare lidhur me situata të ndryshme të krizës, të cilat paraqiten kohë pas kohe, janë pasoje e moskonsolidimit të sektorëve për marrëdhënie me publikun dhe të qendrave të tyre analitike. “Si në BDI ashtu edhe në PDSH ka nga 1 ose 2 persona që janë të autorizuar të flasin për mediat, edhe atë për të gjitha temat dhe askush tjetër s’mund të flasë as për sektorin e vet që ka në parti ose në ndonjërin nga pushtetet. Partitë shqiptare vuajnë ende nga ‘paranoja mediatike’. Bëhen shumë të hapur, përgjigjen në telefon madje edhe vet paraqiten kur kanë për tu lavdëruar diçka ose për të akuzuar oponentët e tyre, ndërsa kur janë në situata të palakmueshme dhe duhet të japin sqarim për ndonjë temë problematike ose diçka që s’ju shkon për shtati aktrojnë sikur janë shumë të zënë, nuk përgjigjen në telefon ose luajnë ping- pong me gazetarët duke i hedhur tek njëri tjetri, nga deputeti tek ministri, pastaj te zëdhënësit dhe në fund asnjëri s’ka qasje në rrjet”, tha gazetari Zeqiri.

Ndërsa Afrim Tanallari, gazetar në Televizionin Publik Maqedonas (TVM)Programi në Gjuhën Shqipe, nga lidhshmëria me PR e partive politike varet edhe suksesi i gazetarit, por konflikti lind në momentin kur këshilltarët e PR-it partiak tentojnë që informacionet e caktuara t’i plasojnë ashtu si u konvenon atyre, ndërsa konstaton mbyllje dhe jotransparencë tek politika. “Kur neve na duhet ndonjë informacion, apo konfirmim të informacionit, në të shumtën e rasteve ballafaqohemi me mos hapje të telefonit, apo moskthim të emailave dhe detyrohesh të bësh lajm të njëanshëm. Thjesht kur kanë situatë të disfavorshme nuk flasin, madje edhe mbyllin telefonat celularë. PR i partive shqiptare duhet të reformohet dhe të ketë funksion bazik  informimin dhe por te ketë edhe qendër që do të merret edhe me analitikë dhe të organizojë më shumë brifingje për gazetarët”, tha gazetariTanallari.

Ndryshe nga partitë shqiptare, partitë maqedonas kanë një PR më aktiv, edhe pse shpesh PR i tyre devijon nga objektiviteti dhe faktet, duke u shndërruar në propagandë klasike, e cila instrument kryesor i ka mediat, por në situata krize, të cilat i tanojnë këto dy parti politike, vetëm minutat dhe orët janë pyetje sa i përket reagimeve të tyre partiake. Në këtë drejtim, mediat kritike ndaj pushtetit theksojnë se pushteti përmes reklamave qeveritare e “blen” animin politik-partiak të medieve.

Ditën e protestave u arrestua gazetari-praktikant i të përditshmes “Lajm”,Besim Ibrahimi. Sipas deklaratave të Ibrahimit, të shtunën kishte qenë në detyrë si gazetar me qëllim që të raportojë për gazetën “Lajm” lidhur me protestat që ndodhën në Shkup dhe papritmas nga pas i kishte ardhur njësiti special nga pas, i cili edhe e ka arrestuar. Ibrahimi u ka thënë mediave se në momentin e arrestimit ka qenë 200 metra larg turmës, duke ndjekur se çfarë ndodh. Ai ka sqaruar se u është prezantuar policëve si gazetar në detyrë, por ata në vend që ta lirojnë, e kanë rrahur me shkopa gome dhe me shqelma, madje siç ka pohuar ai duke i lënë plagë trupore. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ashpër reagoi kundër arrestimit të gazetarit Besim Ibrahimi, i cili të shtunën ishte shoqëruar në polici për shkak të dyshimeve se ka marrë pjesë në protesta të dhunshme. “Arrestimi i gazetarit Ibrahimi është precedent i rrezikshëm, gazetarë, që ndjekin protesta, të cilët janë ngjarje me interes të lartë publik, të arrestohen nën akuzën se kanë marrë pjesë në shkeljen e rendit dhe të qetësisë publike”, reagoi SHGM-ja. Ndërsa botuesi i “Lajmit”, Fejzi Hajdarika shkruar në “Facebook” se policia në të ardhmen, kur të ketë ndërmend të arrestojë gazetarë, të mos arrestojë gazetarë të rinj, por ta arrestojë direkt atë. “Mund të më gjeni në Shkup, ose Kumanovë, por për “hatër” të policisë, do të vij edhe në Zajaz, nëse ka nevojë për t’ua lehtësuar punën!”, tha Hajdari. /Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button