Do të konfiskohet prona e Velija Ramkovskit dhe të tjerëve

Agjencia për menaxhimin e pronave të konfiskuara, ka hapur procedurë për konfiskimin e pronës dhe llogaritë e dymbëdhjetë të dënuarve në rastin “Merimanga”, të cilët duhet të paguajnë katër milion e gjysmë euro për tatim të fshehur, raporton Plusinfo.

Prona e Velija Ramkovskit dhe të tjerëve që janë dënuar me burg, ende nuk është nxjerrë në shitje, thonë nga Agjencia, sepse bëhet fjalë për lëndë shumë të madhe. Para se të përfundojë procedura, thonë se nuk mund të komentojnë se a do të vlejë konfiskimi edhe për anëtarët e familjes së të dënuarve.

“Në procedurë është ndërmarrja e veprimeve ligjore të cilat janë përgjegjësi e Agjencisë për menaxhimin e pasurive të konfiskuara, që ka lidhje me konfiskimin e pasurisë së tundshme, të patundshme, të holla, por edhe prona tjera të cilat do të vërtetohen dhe kanë të bëjnë me rastin “Merimanga”. Për momentin janë duke u marrë vepra operative dhe rasti është i madh me çka ende nuk dihet se a do të zgjerohet konfiskimi”, thonë nga Agjencia për menaxhim të pronave të konfiskuara për Plusinfo.

Në muajin mars të vitit të kaluar, u dënuan të gjithë të akuzuarit në rastin “Merimanga. Nga 23 të akuzuar, tre u liruan, ndërsa 19 të tjerë u dënuan me 109 vite burg, një prej tyre u dënua me kusht. Gjykimin e shkallës së parë, më vonë e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit – Shkup. Dënimin më të madh e morri pronari i televizionit të mbyllur A1, Velija Ramkovski, i cili u dënua me 13 vite burg. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button