Ja kush mund ta zëvendësojë Sali Berishën

Partia Demokratike mblodhi sot ryesinë e saj për shqyrtuar kandidaturat për kreun e ri, pas dorëheqjes nga detyra të Sali Berishës.

Kreu i kësaj partie, Sali Berisha prezantoi katër kandidaturat, të cilat sipas tij, plotësojnë kushtet për të drejtuar PD-në.

“Kam kënaqësinë t’ju them se kandidaturat që plotësojnë kriteret janë katër: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, anëtari i kryesisë së PD, z Lulzim Basha. Nuk besoj se ka nevojë të ndalem në renditje e cv-së së tij, se anëtarësia duhet ta botojë nesër në gazetën e partisë. Sokol Olldashi, ministri i punëve publike. Por që plotësojnë kushtet janë dhe 2 të tjerë: Astrit Sinanaj, që është anëtar i PD-së, dega Fier.

Dhe kandidatura e katërt që ka paraqitur dokumentet është Sokol Paja, dega Tiranë e PD-së”, tha Berisha. Ai tha më tej se anëtarësia e PD-së duhet të përgatitet që tashmë të veprojë dhe mendojë si një opozitë e fuqishme që tenton të vijë sërish në pushtet.

“Është në detyrën tonë më parësore, flakja mënjanë e mantelit të një force politike në pushtet, përveshja e për t’u shndërruar në opozitën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë.

PD-ja ka potencialin më të madh sot se kurrë në historinë e saj për t’u bërë pushteti moral i vendit. Ajo duhet të jetë e vetëdijshme në çdo qelizë të saj për domosdoshmërinë jetike si opozitë e sigurt, që ecën e drejt fitores së radhës. Pikërisht, në këtë kuadër, evenimenti më i rëndësishëm është gara për lidershipin e ri”, tha Berisha./Indeksonline

Lajme të ngjashme

Back to top button