Mustafa: Thaçi na ka ofruar postin e kryeministrit (Video)

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, konfirmon se ka pasur përpjekje nga Partia Demokratike e Kosovës për bashkëqeverisje, përfshi këtu edhe gatishmërinë e PDK-së për ta dorëzuar postin e kryeministrit.
Por, gjithçka për këtë çështje ka qenë në nivelin e porosive dhe fjalëve pasi takime zyrtare nuk kanë ndodhur.

Në një intervistë për Top Channel, Mustafa nënvizon se nuk do të hyjë në qeverisje me PDK-në edhe nëse ai do të jetë në krye të qeverisë. “Nuk ka pasur asnjë ftesë zyrtare, por çdo takim do të ishte i pakuptimtë pasi ne tashmë e kemi bërë një koalicion. Ne duam që ta ndalim këtë qeverisje, duam një ndryshim dhe që vendit t’i ofrojmë një alternativë tjetër qeverisëse. Nëse më ofrohet posti i kryeministrit, nuk lëviz nga qëndrimi im. Nuk bëhet fjalë për postin tim, por për ndryshimin”, thekson Mustafa.

Për vendimin e Gjykatës Kushtetutese, Mustafa thekson se është në dorën e presidentes Jahjaga që të vendosë në favor të stabilitetit politik dhe institucional për mandatarin e dytë, për të mos e çuar Kosovën në zgjedhje të reja. Nga marrëveshja me AAK-në dhe Nismën, LDK-ja do të fitojë shumicën e ministrive, postin e kryeparlamentarit dhe në vitin 2016 presidentin e shtetit. Debati aktual se kujt i takon posti i kryetarit të Kuvendit, për kreun e LDK-së është i mbyllur. Insistimi i PDK-së për këtë pozitë është pa rezultat sepse PDK-ja nuk i ka 61 vota aq sa kërkohen dhe sipas Mustafës nuk mund t’i sigurojë.

“Neve na takon pasi kemi grupin parlamentar më të madh. Sido që të jetë, ne kemi votën më të madhe në Kuvend dhe kryetari nuk mund të zgjidhet pa 61 vota. Në asnjë rast nuk do të votojmë për një kryetar parlamenti nga PDK-ja”, shpjegon kreu i LDK-së.

E gjithë kjo situatë u krijua pasi LDK-ja nuk arriti të dalë e para në zgjedhjet e 8 qershorit. Zërat që kërkojnë dorëheqjen e zotit Mustafa do të marrin përgjigje vetëm në Kuvendin Zgjedhor të partisë në vjeshtën e këtij viti: “Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen. Nuk shoh arsye pasi kam futur 30 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ata që duan që unë të jap dorëheqjen, duan të shkatërrojnë LDK-në. Unë kam parasysh interesin e LDK-së dhe interesin e vendit për një parti të fortë. Vetëm në zgjedhjet e shtatorit do vlerësohen performancat e atij që do e udhëheqë partinë.”

I pyetur nëse është analizuar rezultati zgjedhor i partisë së tij, Mustafa tha se kjo do të bëhet pas formimit të institucioneve ndërsa shtoi se nuk ka qenë i kënaqur me përqindjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje.

Lajme të ngjashme

Back to top button