Kur të (pa) brendshmet përcaktojnë identitetin e këngëtares!

Kur inspirohesh për të shkruar për gjëra serioze, të thonë “shiko ky intelektuali”, u bëre edhe ti të japësh këshilla! Ndaj, sot vendosa të shkruaj për diçka intriguese jo pak serioze, por “shumë serioze”!?

Shpesh herë thuhet se disa këngëtare të reja edhe përkundër talentit, zërit të tyre të bukur dhe edukimit muzikor nuk mund të afirmohen dhe depërtojnë si duhet në skenën muzikore, për shkak se sot, në kohën e përdhosjes së artit, një masë e madhe e publikut jo vetëm e të rinjëve, e konsumojnë muzikën jo vetëm për ta ndëgjuar, por edhe për ta shikuar!

Disa këngëtare këtë gjë e kanë kuptuar fare mirë ndaj, përveç zërit kujdes të veçant i kushtojnë interpretimit dhe paraqitjes së tyre të jashtme, madje disa të tjera shkojnë edhe më largë, paraqitjes së jashtme i japin rëndësi primare se sa muzikës dhe me këtë ia dalin të jenë më të sukseshme dhe të mbizotërojnë në botën e muzikës.
Siç dihet në botën e show bizit botëror këngëtarëve dhe artistëve të famshëm u ngjiten nga mbrapa paparacët (të paguar nga vetë këngëtaret!) që t’i fotografojnë në çdo detaj të jetës së tyre publike dhe private madje, madje, u fotografojnë edhe pjesët e veshjeve intime të tyre dhe këto fotografi sipas nevojës i publikojnë edhe në mediume për të qenë në qendër të vëmendjes dhe për ta rruajtur famën e tyre! 

Duke i nxjerrë të brendshmet ato paralajmërojnë edhe ndonjë këngë të re, ose kur nuk kanë çka të tregojnë tjetër nga veprimtaria e tyre artistike, kur fillojnë të harrohen nga publiku, blejnë një palë të brendshme “firmato” dhe hop, pa dashje i nxjerrin jashtë dhe sa çel e mbyll sytë bëhen objekt thashethëmjeje dhe me këtë e ruajnë prezencën në publik.

Derisa, dikur jo shumë moti, lajm ishte se filan këngëtarja editoi një këngë të re, pastaj filan këngëtarja promovoi një album të ri, më vonë edhe një video klip. E tash në kohë të fundit modë është se: filan këngëtarja i tregoi të brendshmet e saja që shkurt e shqip i thonë i tregoi brekët ose tetovarçe donet,…!

Pra, tash nuk ka më rëndësi as teksti (me plotë fjalë banale), as muzika (e vjedhur), as interpretimi i këngëtares, por më e rëndësishme, dhe të gjithë janë kureshtarë të dinë se, çfarë të brendshmesh mban ajo? Kureshtja shuhet kur këngëtarja e cila rastësisht duke ecur rrugës bënë lëvizje të shkujdesur ose e ulur dikund në ndonjë restoran në një atmosferë intime, i duken ato pahiri, dhe paparaci syçelë e kap këtë moment shumë të pritur dhe e fotografon, dhe të brendshmet e saja të nesërmen pushtojnë mediumet elektronike dhe ato të shkruara, “filan këngëtarja i tregoi të brendshmet”.
Të brendshmet nuk tregohen vetëm në ambiente intime kur personi është i relaksuar, por tregohen edhe nëpër koncerte ama gjithmonë pa hiri (pa dashje?),…, pastaj nisin komentet, filan këngëtarja gjatë një koncerti të mbajtur në …, “ngriti temperatutën” kur hoqi xhaketën dhe poshtë saj kishte një palë recipeta transparente-të tejdukshme, apo kur e entuziazmuar me publikun kërcen nëpër podium duke i treguar brekët e saja, madje shkrime tjera bombastike, filan këngëtarja në koncertin e mbajtur në … i kishte harruar të brendshmet në shtëpi. Edhe kjo mund të ndodh mbase nga ngutia për të arritur në kohë në binë ku e presin me mijëra fansa të saj!

Kjo tendencë e këngëtarëve dhe artistëve nga bota, me të shpejtë është përhapur edhe tek këngëtaret shqiptare, të cilat duke u munduar të ndjekin trendin e këngëtarëve respektivisht artisteve nga bota, nxjerrin në shesh të brendshmet e tyre për shkak se siç thonë disa këngëtare: “të brendshmet janë kryefjalë e veshjeve për të qenë në qendër të vëmendjes”. Pra, dëshirojnë me zor të bëhen të famshme, në fakt njeriu mund të bëhet i famshëm edhe me budallallëk!

Madje, ka këngëtare (shqiptare) maniake të atilla, që në vend se të nxjerrin ndonjë këngë të re, kohë pas kohe vetë me dashje (jo pahiri) i fotografojnë të pasmet e tyre (bythët prapanicën, vithet, kofshët, tuçkat si të doni thoni) dhe pastaj i postojnë në internet duke na ofruar si diçka me vlerë artistike dhe pa komplekse pranojnë publikisht se janë të dashuruar në to!

Ne, sot jetojmë në kohën e “të brendshmeve” dhe “të pasmeve”, kur në bazë të tyre përcaktohet popullariteti i këngëtares. Nuk është me rëndësi më kënga, muzika interpretimi apo editimi i ndonjë albumi, nxjerrja e ndonjë kënge të re, por e rëndësishme është nxjerrja në shesh e të brendshmeve dhe të pasmeve  të këngëtareve.
Mos u mundoni të gjeni të përbashkëtën e të brendshmeve dhe të pasmeve të këngëtares me muzikën apo tekstin e këngës, se nuk do ta gjeni dotë!

Pas festivaleve të muzikës zbavitëse, ta zëmë, si në “Videofestin Muzikor 2013”, që kohë më parë u mbajtë në Prishtinë, për vlerat e muzikës flitet përciptazi ose nuk flitet fare, ndërsa me të madhe flitet për (jo) të brendshmet e këngëtareve (dy prej tyre në këtë eveniment kishin harruar t’i mbathnin të brendshmet fare, ose nuk kanë patur para të blejnë ose nga ngutia që të arrijnë sa më parë që të marrin trofetë që organizatori u kishte përgatitur apo ngase fustani ka qenë tepër i ngusht, kushedi?), bëhen analiza të llojit, se cila këngëtare çfarë të brendshmesh vesh (nëse mund të quhen veshje), ku i blenë, kush ia zgjedh, sa i kanë kushtuar, etj.etj.

Epo, punë brekësh, do të thoshte një shoku im!

Të brendshme sa të pa rëndësishme keni qenë e sa të rëndësishme jeni bërë. 
Të brenshmet që i shihni në foto, mund të jenë të veshura në trupin e cilës do femër, madje edhe të ndonjë femre të panjohur! Këto në të kaluarën nuk kanë patur kurfarë vlere, përveç si mbathje, por tani ama, dhe në të ardhmen sigurisht,  për to sa do të flitet e sa do të shkruhet!…

Meqë ra fjala, në të ardhmen këngëtaret në vend se të nxjerrin ndonjë këngë, ato, në internet, jo në Youtube, por në Facebook, do të postojnë foto të brendshmëve dhe të pasmeve të tyre dhe adhuruesit e tyre do të kënaqen duke i dëgjuar, pardon duke i shikuar ato!…

Sa interesant do të ishte kur një ditë (si kanë nis punët shumë shpejtë) do të lexojmë ose ndëgjojmë: “Filan të brendshmet nxorrën albumin …” që ta zëmë i këndojnë ndonjë lloji tjetër të brendshmeve! Pastaj do të ndëgjojmë “të pasmet e … janë ulur në …, kaq Oskare fituan të pasmet e…, ose prezentuesi në koncert apo në ndonjë festival të këngës zbavitëse, do ta prezentoj këngëtaren e rradhës duke thënë: “Dhe tani përpara jush të brendshmet e… do të këndojnë këngën …”,  juria e festivalit ndau çmimin e parë të brendshmeve të …, sa lezet ë?!…

Ose kur do të japin ndonjë intervist, moderatori do t’i drejtohet: Leri të brendshmet, na trego diçka për muzikën? Cilën muzikë? Ka kohë që nuk merrem me muzikë! Por, me çka merreni? Me të brendshmet dhe me të pasmet. Moderatori,-Reklamoni brekët e ndonjë firme? -Jo, kohë pas kohe i fotografoj vithet e mia dhe i postoj në internet, e bëjë me shumë pasion, kam marrë shumë like.

Përkundër këtyre lloj këngëtareve, në mesin e këngëtareve shqiptare ekzistojnë shumë të atilla që janë modele të këngëtareve moderne dhe të sukseshme, të cilat e dinë shumë mirë se kariera e tyre varet vetëm nga zëri dhe talenti që kanë, këtë më së miri e vërtetoi një vajzë e nga Shkodra, Elhaida Dani, e cila me zërin e saj spikati në “Voice of Italy”, si zëri më i mirë i Italisë. Çfarë suksesi! edhe ate  pa i nxjerr të brendshmet e të pasmet e saja. Ajo spati nevojë ta bëjë këtë sepse e ka zërin dhe me zërin e saj të shkëlqyer ka dashur të arrijë suksese dhe sigurisht që ia ka arritur, i lumt asaj!

Dhe në fund çka të themi tjetër përpos se është e drejtë e këngëtareve që pamjes së jashtme dhe (zh)veshjes ti kushtojnë rëndësi, por ama kur preokupimi i këngëtareve përqendrohet vetëm në pamjen e jashtme atëherë kënga e humb kuptimin! Ato e devijojnë qëllimin…, të tillat mundohen që paaftësinë e tyre për të arritur suksese në fushën e këngës, ta mbulojnë me zbulimin e të (pa) brendshmëve ose ekspozimin e të pasmeve. 
Njohësit e muzikës thonë se, këngëtaret që armë të fortë e kanë zërin, si Elhaida dhe shumë të tjera si ajo, nuk ju duhet gjë tjetër, sepse nuk shitet kënga me të brendshme e me të pasme. Kështu, mbase duhet të jetë, por realiteti te ne i tillë është, të brendshmet e shesin këngën dhe përcaktojnë identitetin e këngëtares!

Kushtrim Jashari, student i informatikës në USHT

Lajme të ngjashme

Back to top button