Lazarati që nuk njihni dhe ata që fituan prej tij

Ky shkrim nuk ka për qëllim të mbrojë apo të kritikojë dikë. E shkruaj vetëm për të vënë në dukje një realitet që e njoh ndryshe thashethemeve, dezinformimeve dhe ekzagjerimeve që e trajtojnë si ishull e vend pa vlerë, jashtë kontekstit kombëtar që ishte krijuar vetëm për të kultivuar e shitur drogë. Koha do të tregojë se kush janë autorë të këtij fenomeni…Falenderoj doktor Hodo Çela, Islam Buçi, Sali Radi, Njazi Mahmuti dhe Hito Brahimi; ish studentët e mi tani mjekë të nderuar e me tituj shkencorë për informacionin që më dhanë. Lazaratasit të më falin për ndonjë pasaktësi.

Historia e Lazaratit është e lashtë. Ajo fillon që me periudhën Iliro-Romake. Pozicioni gjeografik i këtij fshati, vendosur në një pllajë kodrinore-shkëmbore në rrëzë të Malit të Gjerë, kufizuar nga veriu me Gjirokastrën, në jug me krahinën e minoritetit grek dhe poshtë me autostradën, i jep disa veçori Lazaratit. Është vendi me 12 orë diell në ditë e 12 muaj në vit. Si vendas të patundur, lazaratasit kanë krijuar fshatin më të madh të Jugut e ndoshta më i madhi në Shqipëri. Në vitin 1945 ishin 200 shtëpi me 1200 banorë e aktualisht janë 750 shtëpi me 4000 banorë (74 banorë për km2). Përmenden si më të preferuarit për produktet blegtorale, në kufi me minoritetin grek njihen si banorë me tolerancë fetare, që duan të jetojnë në miqësi, vëllazëri e në marrëdhënie korrekte e të mira reciproke. Historikisht virtutet e tyre u kanë shërbyer vlerave e qëndrimeve kombëtare. Është absurde të dëgjosh, se pozicioni gjeografik i Lazaratit ka shpëtuar Gjirokastrën nga helenizimi dhe të folurit greqisht!

Fshati është me tokë bujqësore të pakët. Banorëve lazaratas u takon 1.5 dynymë për frymë, kur mesatarja e rrethit është 3 dynym. Por megjithë këtë, 79% e lazaratasve janë të punësuar në bujqësi (në bazë rrethi 56%). Popullsia lazaratase me moshë mesatare 71.4 vjeç , 3065 frymë i ka në moshë pune dhe nga këta vetëm 79 vetë janë punësuar në shtet. Prosperiteti në fshat thuajse u takon të gjithëve. Vetëm 3.2% e familjeve të Lazaratit janë me ndihmë ekonomike ( mesatarja e rrethit është 12%). Në fshat 67% e familjeve janë me makina, shtëpitë me ujë brenda e me komoditete jetese të admirueshme. Komuna, nga tatimet e taksat vendore siguron 5 milionë lekë të reja në vit. Për zhvillimin ekonomik e mirëqenien nëpërmjet një pune të lodhshme e të ndershme në Lazarat, ka kontribuar mbarështrimi i blegtorisë. Lazaratasit kanë qenë e janë blegtorë potencialë Në regjimin e Zogut tufat (kopetë) e Lazaratit numëronin 16.000 krerë bagëti të imta (kryesisht dele). Prodhimet e tyre ishin të preferuara në Gjirokastër, Shqipëri e më tej.

Në vitet ’50, pas çlirimit, një nga reformat drastike të sistemit, shoqërorizimi i blegtorisë private dhe krijimi i ndërmarrjeve ( brigadave blegtorale shtetërore), ashtu si në gjithë Shqipërinë e dëmtoi rëndë edhe ekonominë lazaratase. Në këtë reformë, për të cilën jam dëshmitar okular e pjesëmarrës për shkak të detyrës, blegtorët me qindra e mijra kokë dele kishin të drejtë të “zgjidhnin” 150 krerë. Të tjerat shoqërorizoheshin. Në këtë katastrofë edhe blegtorët lazaratasit bënë si gjithë të tjerët, ashtu siç tha partia. Fatet e “brigadave blegtorale shtetërore” dihen: Degradim në vazhdimësi i blegtorisë shqiptare, gjer në fundin e tyre me “tufëzat e Ramiz Alisë”. Ekonomia kombëtare humbi rreth 5 milionë kokë dele. Është dëshpërimi më i madh i jetës time, të cilin do ta marr me vete.

Në kooperativën bujqësore, lazaratasit hynë me 5000 kokë dele; 800 dhi; 700 lopë dhe 175 qe pune dhe dolën prej saj me një pasuri të përafërt. Oborrizimi ishte goditja kulminante për të gjithë fshatarësinë. Çerdhet e fëmijëve prisnin qumësht e vezë nga qyteti që s’kishte për vete. Mirëqënia lazaratase e dikurshme u harrua. Për të siguruar mbijetesën shumë lazaratas erdhën në Zagori dhe ngritën çadrat në rrëzat e maleve Bisej edhe Dhëmbel për të mbledhur bimë medicinale. Me këtë pasuri natyrore mundoheshin të mbijetonin edhe zagoritët, por hallexhinjtë u mirëpritën dhe së bashku nxirrnin bukën e gojës. Edhe Lazarati ka treguar herë pas here mikëpritësinë e tij. Në Lazarat gjetën strehë çamët e përzenë nga Greqia, atje u strehuan 1500 kosovarë në ditët e emigrimit të tyre. Mirësinë zagorite ata nuk e harrojnë.

Historia, nga Ali Pasha te partizanët

Lazaratasit kanë qenë miq e luftëtarë të Ali Pashë Tepelenës. Për mbrojtjen e Janinës nga turqit mori pjesë edhe një çetë lazaratase me në krye trimin Daut Dervishi. Ajo luftoi me trimëri, fitoret e saj janë shënuar në histori. Çeta lazaratase u kthye duke lënë 7 të rënë në fushën e betejës. Në mbretërinë e Zogut, kur u bë goditja ndaj fanolistëve, u vu në shënjestër edhe doktor Omer Nishani. Lazaratasit e morën në mbrojtje deri sa kaloi kufirin me Greqinë. Në Vlorë midis pritësve të ngritjes të flamurit ishin edhe 12 lazaratas. Shkolla e parë shqipe u hap më 1908. Në luftën për çlirimin e atdheut nga nazifashistët lazaratasit, si edhe disa krahina të tjera, patën prirje të ishin me Ballin. Ndërkaq 70 lazaratas dollën partizanë; 6 prej të cilëve janë dëshmorë të kombit. Ndër këta edhe kryetrimi Mustafa Gjollesha, emri i të cilit nderohet në rrugën më kryesore të kryeqytetit. Në këtë luftë regjistrohet një moment historik për lazaratasit. Në luftime, rreth 20 partizanë u bënë viktima të rënies rob në duart e ballistëve. Urdhëri ishte të pushkatoheshin në Lazarat. Por burrat lazaratas, pavarësisht bindjeve dhe angazhimit politik me Ballin, mendjen dhe karakterin i kishin në vend. Ata nuk pranuan një turp të tillë për fshatin dhe partizanët, me gjithë armët e tyre, u lanë të lirë të ktheheshin në njësitë partizane.

Përfituesit nga Lazarati

Tani kur është vënë në debat prejardhja e mirëqenies lazaratase, të dhënat tregojnë më së miri që ajo sigurohet me punë të ndershme. Aktualisht Lazarati numëron 14.000 kokë dele, 200 dhi, 1000 lopë, 560 pemë frutore dhe atë tokë bujqësore që fati i ka dhënë. Në këtë periudhë tranzicioni lazaratasit që në 70 vjetët e fundit u dyfishuan me popullsi e banesa, ndryshe nga fshatrat dhe krahinat e tjera që janë boshatisur, banojnë e punojnë në fshatin e në shtëpitë e tyre. Nuk mundet që këtë fshat të mos e quash pasuri kombëtare. Për operacioni historik që bëri policia në Lazarat për të goditur kapot e drogës, shtypi dhe mjetet audiovizive, përveç reportazheve të natyrshme jepnin edhe mendime kontradiktore e që disa prej tyre nuk pasqyrojnë dhe nuk i qëndrojnë realitetit.

Kush e zgjodhi Lazaratin për të krijuar plantacione me kanabis ende nuk dihet. Pozicioni gjeografik e forcat e mjaftueshme të punës mund të jenë faktor ndikues. Por që të mendosh se këtë fenomen e përcaktuan dhe e realizuan lazaratasit është absurditet. Investimi që kërkonte kjo sipërmarrje e madhe nuk mund të përballohej nga fshatarët e varfër të Lazaratit. Duhej gjetur fara, mbjellja e saj, shërbimet 6 mujore deri tek korrja. Në vazhdimësi kërkonin shpenzimet e tyre të konsiderueshme tharja, paketimi, ambalazhimi për të cilat ishin ngritur e shërbenin 5 laboratorë; sigurimi i vendeve për të depozituar qindra tonelata, ruajta e tyre, etj. Për gjithçka duhej paguar. Investime të veçanta duheshin për të siguruar “lënien të qetë” e mosndëshkueshmërinë, ruajtjen e sekretit për prodhimin, tregtimin brenda dhe jashtë shtetit nëpërmjet korruptimit të forcave të rendit, shtetarëve e politikanëve. Investime duheshin për transportin, për blerjen e garancive për kalimin e kufijve tokësorë detare dhe ndoshta ajrorë. Jo pa shpenzime e vështirësi ka qenë gjetja e bashkëpunëtorëve dhe e tregjeve të shitjes në shtetet fqinje e më gjerë. Kjo sipërmarrje kaq e madhe dhe e ndërlikuar mund të bëhej, siç edhe u bë, vetëm nga kapobanda që janë parellinj e të përkushtuar për të kapërcyer çdo rrezik në misionet e kundërligjshme. Nuk mund të ketë mendje e aftësi fshatareske për të realizuar misione të kësaj natyre. Në të gjithë këtë veprimtari lazaratasit kanë përfituar thërmijat që ju jepte puna si argatë.

Ku ishte presidenti dhe kryeprokurori?

Në Lazarat ka pasur burra që në rrethana të caktuara kanë marrë vendime të mençura dhe me vlerë. Natyrshëm në këtë rast duheshin burra shteti për të kuvenduar me ta nëse brezat e sotme trashëgojnë virtutet e të parëve. Për një marrëveshje të tillë i takonte Presidentit të kishte vajtur një, apo disa herë në Lazarat. Kjo nuk u bë dhe më e habitshmja është se ”babai i kombit” nuk është prononcuar për të vlerësuar arritjet e forcave të rendit. Po kështu ka bërë edhe kreu i prokurorisë. Drejtuesit e lartë të forcave të rendit e patën parasysh zgjidhjen e problemit nëpërmjet bisedimeve. Ata pinë me vendasit kafet e miqësisë dhe premtuan se kafe në Lazarat do të pijnë herë pas here. Portat për të hyrë në Lazarat u hapën. Përkrahja që popullsia i dha operaconit policor është dëshmi e hedhjes të bazave të miqësisë shtet-Lazarat. Titujt me gërma të mëdha të disa gazetave se “Lazarati u sulmua”, se “Lazarati u pushtua”, nuk pasqyronin realitetin. Në fakt Lazarati u çlirua nga kapot e drogës. Lazaratit iu kthye identiteti historik, lufta u bë në qendrat e zjarrit që kishin ngritur kapot e drogës dhe “bodigardët” e tyre të moshës 20 vjeçare. Kur ka pasur ndërhyrje e kur cënohej identiteti i fshatit, pushkën në Lazarat e merrnin edhe 80-vjeçarët, bile me sëpata kanë luftuar edhe gratë. Në rastin e fundit lufta bëhej për të vënë në vend identitetin e Lazaratit. Populli e përkrahu. Keqinterpretimet e disave se atje bëhej “luftë klasash”, se atje luftohej për të ndryshuar poseduesit e drogës e për të krijuar tregje të reja, që për fat të keq dolën nga goja e disa “politikanëve adoleshentë”, ishin krejt absurde. Po kaq absurde ishin edhe të thënat se policia bastis shtëpitë e keqtrajton banorët.

Kryetari i komunës, nxitës dhe mbrojtës i drogës

Nëpërmjet shtypit mësojmë se këtu apo atje u dënua kryeplaku se nuk tregoi se në fshatin e tij mbillej kanabis. Ndërkaq në të shumtat e rasteve thuhej se policia zbuloi dhe asgjësoi kanabis. Pse të ndodhë kjo? Policia e ka të vështirë të gjejë mbjelljen e bimës në një terren të panjohur, kur kryeplaku dhe operativi e kanë terrenin në pëllëmbë të dorës. Rasti më flagrant është kryetari i Lazaratit, nxitës e mbrojtës i drogës në Lazarat që me hipokrizinë e tij protestoi në Tiranë kundër drogës, kur kjo protestë duhej bërë në qendër të Lazaratit. Dhe jo vetëm kaq. Në aksionin e policisë siç po informohemi mori në mbrojtje qendrat e zjarrit kundra forcave të rendit. Në këto dukuri të pista dhe antiligjore nuk janë pa faj shtetarët e politikanët. Në fushatat për votat kanë vajtur shumë prej tyre në Lazarat, por askush nuk kanë thënë që unë e dua votën e lazaratasve me kusht që të mos mbillet e tregtohet drogë. Heshtja në këtë drejtim nuk mund të mos konsiderohet si licensim për prodhimin e drogës. Kjo gjendje amullie më bën tu kthehem kujtimeve të vegjëlisë time. Ishte regjimi i Zogut. Kryeplaku i fshatit që na kishte dhënë me pagesë kazanin e rakisë, erdhi e prishi zjarrin se kishte mbaruar orari. Në luftën italo-greke neve e disa familje të varfëra na u morën mushkat për nevojat e ushtrisë greke pa asnjë pagesë, të tjerve u mori viça e lopë. Taksidari, meqë nuk kishim para, na mori delen që unë e doja shumë. Në një rast na zuri shiu thasët me grurë në lëmë dhe nuk mund t’i tërhiqnim, se nuk kishte ardhur dhekatari të merrte pjesën e vet! Ishte e ndaluar të prisje një lis në pronën tënde për dru zjarri. Ato do t’i siguroje në vendin e caktuar, dy orë larg fshatit. Natyrisht i urreva ata njerëz për sjelljet e tyre abritrare, por tani ndergjegjësohem dhe kuptoj që në atë kohë nuk kam ditur rëndësinë e zbatimit të ligjit. Jo nostalgjikë, por respekt për rregullvënien e asaj kohe.  /Shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button