PDK e vendosur: Qeverinë e formojmë ne

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka sqaruar në aspektin kushtetues të drejtën e saj si fituese e zgjedhjeve parlamentare që të formojë Qeverinë e Kosovës.

Në kumtesën e lëshuar nga takimi i Kryesisë së PDK-së, gjithashtu thuhet se nisur nga Kushtetuta e Kosovës, Rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si dhe praktikat e deri tanishme, Partisë Demokratike të Kosovës i takon e drejta e pakontestueshme për të caktuar kandidatin/kandidaten për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të një nënkryetari të Kuvendit të Kosovës.

Duke marrë parasysh faktin që zgjedhjet e mbajtura ishin një sukses i qytetarëve dhe popullit të Kosovës, PDK fton të gjitha partitë politike për konstruktivitet, bashkëpunim dhe unitet në ndërtimin e të gjitha institucioneve shtetërore të përcaktuara me Kushtetutë.

Partia Demokratike e Kosovës, rikonfirmon qëndrimin e saj, se nuk do të bëjë kompromis me asnjë forcë politike me verdiktin e popullit të shprehur në Zgjedhjet e 8 qershorit që si parti fituese me mandatarin Hashim Thaçi të udhëheq Qeverinë e Republikës së Kosovës në mandatin e ardhshëm, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

PDK pret me padurim përmbylljen e procesit të ndërtimit të institucioneve të reja, fillimin e jetësimit të Misionit të Ri: zhvillimin ekonomik, krijimin e Fondit të Punësimit, krijimin e 200.000 vendeve të reja të punës dhe vazhdimin e rritjes së mirëqenies për qytetarët e vendit, thuhet në kumtesën e lëshuar nga takimi i Kryesisë së PDK-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button