Soni i rikthehet muzikës komerciale

Pasi u shpall fituese e “Top Fest 11″ me baladën e saj “Me të jeton”, Soni Malaj po i rikthehet komercialitetit në muzikë, pasi po përgatitet për publikimin e një kënge të re këtë verë.

Vetë Soni ka postuar në profilin e saj në rrjetin social “Facebook” një foto me autorin e hiteve tallava, ku shkruan “me kompozitorin Alfred Sula, new hits coming soon…”. Alfred Sula ka punuar një këngë për Sonin me refren të kënduar nga Saad Ramadan në arabisht.

Sula, i cili është mjaft i njohur në rrethin e artistëve për krijimin e hiteve, si: “Të ka lali shpirt”, apo mjaft këngëve të Sinan Hoxhës, tashmë po e zgjeron rrethin e tij me artistë që duan të sigurojnë një hit për verën. Le të shohim se si do të shfaqet Soni në këtë bashkëpunim të ri, që pritet të jetë i nxehtë.

Ajo gjithashtu ka paralajmëruar bashkëpunim me këngëtarin libanez Saad Ramadan dhe ka postuar një foto në facebook duke treguar se videoklipi po xhirohet nga Max Productons.

Ndryshe, ajo triumfoi këtë edicion në “Top Fest”, duke u bërë për herë të parë poseduese e një çmimi të parë në karrierën e saj 18-vjeçare si këngëtare. Pronarja e hitit “E Vogla” tashmë jeton mes Tiranës dhe Romës, pasi këtu vazhdon karrierën muzikore, ndërsa në kryeqytetin italian ka familjen e saj, që përbëhet nga bashkëshorti balerin, Mirko dhe vajzën e tyre, Ana.

Lajme të ngjashme

Back to top button