Erdhi vera, Marrëveshja, “Vetëfundosja”

Pas një viti të lodhshëm si një brucosh i mjekësisë, me padurim prita këto muaj pushimi, që sadopak do të ç’lodhesha dhe do t’i mblidhja fuqitë për sfidat studentore më tutje.
Ajo që më shoqëroi për gjatë gjithë kohës së studimeve ishte stresi i provimeve, por jo dhe kaq! Aktualiteti në të cilin shqiptarët kalonin, natyrisht që më shqetësonte e më devijonte kursin e të menduarit vetëm për studimet. Sigurisht që më silleshin në kokë fjalët e liderëve të të dyja shteteve shqiptare gjatë festës së 100 vjetorit këtu në Shkup, se do të jenë “gardian” të shqiptarëve në Maqedoni, në çastet kur shqiptarët po sulmoheshin, rriheshin e therreshin nga huliganë të shtyrë nga qarqe të njohura anti-shqiptare. Pos deklaratave nëpër shtyp ditorë, asnjë gjë konkrete nuk pamë nga ta. 

Nuk mund të rrija i qetë në ato çaste kur mendoja se i gjithë ky pluhur i ngritur ka cakun e vetë, ka pikënisjen e ditur!
I gjithë ky ujë po shkon në mullirin e atyre që për ne është më pak e dëshirueshme.
Aq më pak nuk isha dhe nuk jam indiferent edhe ndaj ngjarjeve të fundit që po ndodhin në Kosovë. Debatet që u shtruan ku si pikënisje pati publikimi i xhirimit të hoxhës gjatë një ligjërate, pasuan si një zinxhir hapjen e shumë temave që personalisht mendoj që janë vetëm se harxhim i energjisë dhe një defokusim vëmendjeje ndaj asaj që realisht po ndodh me Kosovën. Është fakt që shoqëria shqiptare është në një krize të thellë morale, këtu nuk ka diskutim dhe se për këtë i gjithë faji është se jemi në një periudhë tranzicioni që doemos duhet kaluar. Me një shtet të “hajrit”, ekonomikisht stabil dhe një arsim të mirëfilltë, dhashtë Zotit një ditë do ta kalojmë edhe njëherë këtë barrierë goxha të madhe.

Qeveria aktuale po e shet Kosovën, marrëveshjet që po bëhen po e rëndojnë sovranitetin e saj, po e serbizojnë edhe më tutje veriun. Pakoja e Ahtisarit me gjithë ato të drejta “me bollëk” si i themi ne, nuk po u dalin serbëve dhe po u nevojitet diçka plus. Kjo është abnormale e patolerueshme, ne shqiptarët në Maqedoni me 25% të popullatës (zyrtarisht në numra, por më shumë në realitet) nuk gëzojmë aq të drejta, sa ai 5%-ësh minoritar, kolonizues i Kosovës. Vallë ne ishim ata që bëmë ETNOcid ndaj tyre, që po e paguajmë këtë denim kaq të rëndë ? Ne, që më së shumti pësuam, tash po e vuajmë dënimin e fajtorit. Jo, jo të dashur lexues, problemi qëndron aty se për hir të pushtetit, po copëtohet shteti. E vërtetë po del thënia se “demokracia, nënkupton kur dy të marrë mundin një të mençur me gishta, në kuvend”. Këtë mos e merrni sikur të jem kundër demkoracisë, por si një rezultat i asaj që vaj halli për ne kush është duke na përfaqësuar. Ata që gënjyen popullin, vodhën votën, tash japin pjesë, pjesë shtetin. 

Zëri kundërshtues, i fuqishëm që po i  reziston njëmijë e një të zezave të qeverisë, lëvizja Vetëvendosje, që vazhdon të jetë opozita e vetme në Kosovë, vazhdon të luftohet në shumë sfera që për mendimin tim është e padrejtë dhe jo morale. Deri më tash ata u akuzuan si anti-amerikan, (vizita e fundit e lëvizjes në SHBA dëshmoi të kundërtën), komunist e ateist (deklarata e liderit të lëvizjes dëshmoi poashtu të kundërtën) e shumë e shumë akuza tjera që nuk kanë të ndalur. Ata që po frikësohen me rritjen e paimagjinueshme sipas tyre të kësaj lëvizje, çdo hap të tyrin e konsiderojne si humbje votash. Dhunë të ushtruar, tentim për marrje me dhunë të pushtetit, ishin shpifjet e fundit që edhe më shumë forcon Vetëvendosjen si lëvizje politike. Në shumë raste ky subjekt vërtetoi që ajo që bën nuk është në interes të disa votave apo elektoratit, por në interes të gjithë votuesve, në interes të vet shqiptarëve. Shumë subjekte politike që në planprogramin e tyre kanë pasur bashkimin kombëtar, kanë dalur dhe janë shuar në këto troje. Vetëm Vetëvendosja i mbijetoi, i mbijetoi sepse nuk u thirrë në populizëm, folkorizëm. Janë të vetmit që bëjnë elaborimin e bashkimit në atë mënyrë që është e vështirë t’i kundërargumentohet.
Reciprociteti, ridefinimi i marrëdhënieve me ndërkombëtarët, dhënia përparësi e prodhimeve vendore, ruajtja e pasurive shtetërore janë disa nga shtyllat kryesore, që shteti i Kosovës mund të “shërohet” nga sëmundja që po lëngon. Albini me bashkpunëtorët e tij shumë mirë po e mbrojnë atë TONËN, po e legjitimojnë veten për vitet e ardhshme dhe po i  bëjnë ballë cdo stuhie të mundshme. Vërtetë ia kemi lakmi, do kisha dashur që të kemi edhe ne këtu në Maqedoni një Albin që ta zgjon këtë rini të përgjumur e të shtypur nga të gjitha anët. Pasiviteti i rinisë po mbytë popullin, po i rehaton edhe më shumë politikanët. “Këshillat”; mos u përzi se je i ri, nuk i di këto punë, s’je askushi për të thënë diçka, çka të thojë “i madhi” ashtu është, ky botëkuptim po e vret demokracinë, jo rezistenca aktive ku si shembull kemi Vetëvendosjen.
Sa për fund si pikë referimi do të marrë të madhin Ukshin Hoti që në doktrinën e tij, ai sheh pavarsinë e Kosovës si një hap drejt bashkimit me Shqipërinë, drejtë realizimit jo të ëndrrave, por një të drejte që shqiptarëve historikisht i ka takuar. 

Uroj që “diagnoza” ime si një mjek në hapat e parë të formësimit, të mos jetë i gabueshëm, duke e shikuar veten në syrin e një mjeku të diplomuar, pas një kohe relativisht të gjatë, por “diagnozë” që vetëm se mund që t’i shtohej nesër një metodë më e mire dhe efikase për shërim sa më të shpejtë

Autori është student i mjekësisë së përgjithshme në universitetin Shën Kirili dhe Metodij në Shkup.

Lajme të ngjashme

Back to top button