Bexheti: Bekim Fazliu të kërkojë falje, ose do të paditet

Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti ka paralajmëruar sot se do padisë deputetin e PDSH-së Bekim Fazliu nëse ai brenda tre ditëve nuk kërkon falje publike për akuzat që bëri nga foltorja e Parlamentit. 

Sipas tij, deputeti i PDSH Bekim Fazliu jo vetëm që nuk gjeti guximin, që në realitet asnjëherë nuk e ka pasur, që të mos fshihet pas foltores së Parlamentit me shpifjet e tij, por madje tani fshihet edhe pas rrjeteve sociale. 

“Edhe përkrah vullnetit tim të dobët që të merrem me këtë person i cili nuk meriton çdokush të humb kohë me të, kërkojë që deputeti Bekim Fazliu brenda tre ditëve të kërkojë falje publike.
Nëse nuk e bën një gjë të tillë, atëherë ai këto denigrime dhe shpifje do të duhet ti dëshmojë para gjykatës përkatëse për shkak se do të ngrejë padi për shpifje dhe ofendim. Gjithashtu, dëshirojë të njoftojë opinionin se mjetet nga kjo shpifje  do të jepen për çështje humanitare”, thuhet në reagimin e ministrit Bexheti. 

Sipas tij, deputeti Fazliu, jo vetëm që fshihet por edhe rrit nivelin e shpifjes e cila është e bazuar vetëm në imagjinatën dhe halucinacionet e tij. Sipas këtij personi me imagjinatë të sëmurë, “Ministri i Drejtësisë jo vetëm që na paska poseduar materie joligjore  – materie narkotike por ato dhe na i paska shpërndarë në një diskotekë”. 

Fazliu: Bexheti ka pasur edhe drogë me vete kur është ndaluar nga policia
Akuzat e Bexhetit vinë pasi që dje deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu në foltoren e Parlamentit pyeti Ministren e brendshme Gordana Jankullovska për aksionin policor në një klub nate në Shkup në të cilin, sipas tij, në shënjestër ka qenë Ministri i drejtësisë Blerim Bexheti. 

“Ministri i drejtësisë para disa ditësh sipas disa mediave është kapur me një lokal me armëmbajtje pa leje dhe thonë se ka pasur edhe drogë. Kërkojë informatë për aksionin policor në klubin e natë të ashtuquajtur ‘Sheri’ në parkun e qytetit të Shkupit ku është implikuar Ministri i drejtësisë Blerim Bexheti dhe njerëzit e tij?”, u shpreh Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button