Lazarati në normalitet bie “Republika e marijuanës” (Video)

“Republika e marijuanës”, “fshati rebel”, “fshati i trafikantëve”, “kështjella e pamposhtur” janë disa nga emrat që i janë “veshur” Lazaratit ndër vite e deri para dy ditësh, por tashmë këtyre iu duhet shtuar para një “Ish”.

Të premten, më 19 qershor 2014 rreth orës 17:00 Policia e Shtetit njofton: “Uniformat blu ndodhen në të gjithë territorin e Lazaratit”. E lajmi sigurisht që mori dhenë. Lazarati ka rënë pas 5 ditësh përballje mes forcave të rendit dhe një grupi banditësh, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë zonë prej vitesh për të kultivuar dhe shitur kanabis sativa. Por për të arritur këtë u nevojit një operacion në shkallë të gjerë i drejtuar nga vetë kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi, ku u angazhuan 800 efektivë nga Forcat Speciale të policisë të komisariateve, RENEA, FNSH-ve, të Tiranës, Shkodrës, Fierit, ato të DELTA Forcë, të Drejtorisë së Operacioneve Speciale në Policinë e Shtetit, dhe u përdorën rreth 60 automjete policie, disa autoblinda, madje edhe helikopterë.

Të dielën më 15 qershor policia bën tentativën e parë, për të hyrë në Lazarat në mënyrë normale si në çdo fshat tjetër të vendit, por pritet me armë. Plagoset një 45-vjeçar, banor i fshatit, nga një plumb qorr. U duk sikur policia edhe këtë herë do të mjaftohej me postbllokun në hyrje të fshatit, por jo. Zaret ishin hedhur. Të hënën në mëngjes, më 16 qershor policia fillon të ngjitet në fshat, trafikantët përgjigjen me armë dhe Beteja e Lazaratit fillon. Viktimat e para, grupi i xhirimit të “A1 Report”, i cili guxoi duke hyrë i pari në fshatin Lazarat dhe filloi të transmetojë duke njoftuar publikun i pari rreth situatës së rënduar. Banditët qëllojnë me kallashnikov gazetarin Gerti Xhaja, operatorin Renis Kelaj, shoferin Hair Ismailonji dhe përgjegjësin e IT Kreshnik Marku, që shpëtuan vetëm falë ndërhyrjes së banorëve të fshatit. Pamjet e makinës së djegur të “A1 Report” bënë xhiron e botës.

Gjithsesi sulmi i policisë vazhdon. Shënjestra e parë krahu jugor i fshatit, kapanonet e Gate Mahmutajt, njëri prej krerëve të trafikantëve. Kundërpërgjigja është e ashpër. Breshëri kallashnikovi, mitralozi e deri edhe predha mortajash janë hedhur nga banditët kundër forcave të rendit. Rezistenca e fortë dhe plagosja e një oficeri të policisë, bëri që të fillonte të forcohej miti i pathyeshmërisë së Lazaratit, por deklarata e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri: ”Dorëzoni armët se nuk ka Zot që u shpëton”, demonstroi vendosmërinë e shtetit.

Të martën më 17 qershor, banditët kapen një tjetër kameraman të “A1 Report” që sapo kishte filmuar betejën brenda fshatit. Ledio u rrah dhe u mor peng, por më në fund arriti të shpëtojë. “Sapo më identifikuan si operatorin e këtij televizioni, banditët më thanë: Por ne luftojmë kundër policisë apo kundër ‘A1 Report’?’’

Strategjia ishte përpunuar mirë krahas avancimit në terren, u luajt edhe në aspektin psikologjik. Policia bëri publike 26 emra të personave që e qëlluan dhe menjëherë disa prej tyre filluan të shfaqen nëpër media, duke deklaruar se nuk janë ata që qëllojnë. Një prej tyre vetë kreu Gate Mahmutaj, që në lidhje telefonike me “A1 Report” ka mohuar të jetë pjesë e bandës që qëllonte policinë.

Rezistenca është e fortë, por shteti këtë herë tregon “muskujt”. Të martën rrethimi shtrëngohet dhe policia pushton kapanonet e Gate Mahmutajt, i cili i frikësuar në mbrëmje dorëzohet, gjatë negocimit Live në “A1 Report” për sigurinë e jetës. Dorëzimi i Gates i dobësoi trafikantët. Natën një mjegull tymi pushtoi fshatin, banorët të bindur se nuk kanë shpëtim filluan të djegin hashashin.

Të mërkurën lagjja e Mahmutaj merret plotësisht nga policia dhe fillon sulmi në krahun verior të fshatit. Trafikantët nervozohen dhe shtojnë zjarrin e armëve. Plagosen dy barinj në qendër të fshatit. Banditët përdorin arsenal të rëndë, deri edhe snajper. Policia vazhdon taktikën e bërjes publike të emrave që duket se funksionon. Hysen (Neli) Çela, i cilësuar si snajperist nga policia, telefonon në “A1 Report”, duke treguar vendndodhjen në një supermarket në Gjirokastër, ku edhe arrestohet Live. Banditët rezistojnë, por tashmë lojën e kanë të humbur.

Kryetari i bashkisë Dasho Aliko në një ballafaqim të ashpër me ministrin Tahiri kërcënoi për dorëheqje, por më pas pranon të bashkëpunojë me policinë duke ofruar një kontribut të rëndësishëm për teë qetësuar banorët. Mbetet edhe sot një mister aludimi e tij për prezencë të huaj brenda fshatit, sipas tij për persona që kishin shkaktuar përplasje të armatosur kundër policisë.

Të enjten 19 maj nga policia përdoren edhe helikopterët ushtarakë për të mbyllur rrethimin duke kaluar trupa edhe në majë të malit, mbi zonën perëndimore të Lazaratit, aty ku ishte edhe bastioni i fundit i rezistencës. Rreth mesditës qendra bie në dorë të forcave të rendit dhe pasdite gjithçka mbaron. Bilanci 15 persona të arrestuar, 32 ton kanabis i kapur, mbi 100 mijë rrënjë kanabis të shkulura, 4 laboratorë droge të sekuestruar, mbi 50 armë, 1 mitraloz i rëndë, etj.

Lazarati ra. Me një betejë 5-ditore policia ia ktheu shtetit Lazaratin pas 15 vitesh. Ashtu si asnjëherë më parë në çdo pjesë të territorit të Lazaratit, është prezente Policia e Shtetit duke ofruar rend dhe siguri për banorët, të cilët gjatë ditëve të këtij superaksioni përcillnin apelin për t’i dhënë fund kësaj “lufte” dhe për të arrestuar banditët, të cilët nga nisja e aksionit rezistuan me armë ndaj uniformave blu. Lazarati tanimë është si çdo pjesë tjetër e Shqipërisë, ku ndonjëherë shikon edhe ndonjë polic rrugor që mund të kërkojë dokumentacionin e makinës.

Një sukses politik për ministrin e Brendshëm dhe për kryeministrin që e ka mbështetur. Por mbi të gjithë një arritje për Lazaratin dhe për gjithë Shqipërinë, që ndoshta një herë e për gjithmonë do të hedhë poshtë epitetin si “Shteti i kanabisit në zemër të Europës”. /Shqiptarja

Lajme të ngjashme

Back to top button