Shqipëria feston sot Fitër Bajramin

Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin. Namazi i Bajramit në Tiranë u fal në orën 6:23 minuta në sheshin përpara hotel Dajtit e deri te lulishtja në sheshin “Skënderbej”, ndërsa si vend faljeje për gratë u planifikua segmenti i rrugës “Myslym Shyri, në krah të ministrisë së Mbrojtjes.

Për të realizuar ritin e faljes së Bajramit ishin marrë masa për kufizimin e lëvizjes së mjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, segmenti nga ura pranë ish-hotel “Dajtit” deri në sheshin Skënderbej si dhe në pjesën jugore të këtij sheshi.

Krerë të shtetit dhe politikës kanë përcjellë një ditë më parë on-line mesazhet e tyre të urimit për besimtarët myslimanë, por pritet që sot të zhvillojnë vizita urimi në selitë e komunitetit mysliman dhe atë të kryegjyshatës së bektashinjve.

Kreu i Komuniteit Mysliman, Haxhi Selim Muça ka uruar gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për sa më shumë paqe dhe harmoni mes njeri-tjetrit. Ai e cilësoi këtë muaj të shenjtë si “muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe mëshira hyjnore”.

Një urim tjetër drejtuar besimtarëve myslimanë ka ardhur nga kreu i shtetit, Bujar Nishani i cili i ka ftuar të përqafojnë të mirën, paqen e t’i shmangen konflikteve e sherrit.

Nëpërmjet një mesazhi të shpërndarë për mediat kreu i shtetit e quan Bajramin një festë të shenjtë, Nishani shton se ajo shërben për të na bërë më të mirë për veten, për tjetrin dhe për shoqërinë.

Nishani apeloi më tej se festa të tilla duhet të na shërbejnë për ta parë botën me sy të tjerë, duke mposhtur kulturën e urrejtjes.

Besimtarët myslimanë festojnë Fiter Bajramin. Pas 30 ditë agjërimi e sakrifice, për shlyerjen e mëkateve, pastrimin e shpirtit dhe të trupit, besimtarët myslimanë i falen zotit t’u pranojë këtë ritual pavarësisht të mirave që ata presin t’u sjellë. /Albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button