A do të zyrtarizohet koalicioni në Këshillin e Komunës së Strugës?

Nuk përjashtohet mundësia që gjatë seancës së ardhshme të Këshillit të Komunës së Strugës të ketë zhvillime, të cilat do të sillnin formimin  e një koalicioni, i cili do të arrinte të përbënte shumicën në Këshill.

 Këshilli i Komunës së Strugës pritet të  mbajë mbledhjen e tij të ardhshme të hënën. Dje, siç mëson Portalb, nga burime afër kryetarit të Komunës së Strugës, Ziadin Sela mbledhje kanë mbajtur komisionet e këshillit, ndërsa të hënën do të vazhdohet me diskutimin  e pikave të  mbetura të rendit të ditës nga seanca e kaluar.

 Burimi, nuk përjashton mundësinë që gjatë seancës të ketë zhvillime, të cilat do të sillnin formimin  e një Koalicioni. Ai nuk saktëson se kush mund të jetë pjesë e këtij koalicioni, por si PDSH, ashtu edhe VMRO –DPMNE e Strugës, disa herë e kanë pohuar për Portalb, se janë duke zhvilluar bisedime intensive për arritjen e një koalicioni për të qeverisur së bashku me Komunën e Strugës.

Por, edhe përkundër këtij fakti, bisedimet midis tyre nuk kanë rezultuar me arritjen e një marrëveshjeje për koalicionim. Pjesëmarrësit në këto bisedime, ndërkaq nuk kanë bërë të ditur se për çka nuk mund të merren vesh dhe e zgjasin arritjen e marrëveshjes  për një kohë kaq të gjatë.

Shpresat për arritjen e koalicionit janë rritur sidomos pas mbledhjes së fundit të Këshillit të komunës së Strugës, kur këshilltarët në mënyrë unanime kanë votuar  sjelljen e vendimeve që kishin të bëjnë me formimin e komisioneve të këshillit , kryesisht.

Megjithatë, formimi i koalicionit nuk duket të jetë gjë e lehtë edhe përkundër votimit me unanimitet të plotë të vendimeve në mbledhjen e kaluar të Këshillit. Kjo, sepse në bllokun politik maqedonas situata është e komplikuar, kur të kihet parasysh se VMRO-DPMNE dhe  LSDM janë në koalicion. 

Këto dy subjekte hapur kanë shprehur vullnetin tyre për t’u bërë pjesë e koalicionit, por intenca e tyre është që në koalicion të hyjnë së bashku. Nga ana tjetër për PDSH-në më e pranueshme është që pjesë e koalicionit të jetë vetëm njëri nga këto dy subjekte, në kushtet kur shumica në Këshill mund të formohet edhe vetëm me njërën prej tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button