RMV, VMRO-DPMNE-ja kërkoi dorëheqjen e ministrit Osmani sepse “foli shqip me homologun spanjoll”, MPJ i mohoi akuzat

Partia opozitare VMRO-DPMNE sot i bëri thirrje ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani që të japë dorëheqje, pasi, siç thonë, në takimin e fundit me kolegun spanjoll, e ka përdorur vetëm gjuhën shqipe. Ata kërkuan edhe përgjegjësi penale për Osmanin, pasi sipas tyre, ka dëmtuar reputacionin e shtetit. Nga ana tjetër, përmes një kumtese Ministria e Punëve të Jashtme i mohoi akuzat e opozitës, duke theksuar se megjithëse janë Pashkët, VMRO-DPMNE-ja nuk heziton të krijojë tensione dhe ndarje etnike në shoqëri përmes përdorimit të gënjeshtrave dhe fakteve të sajuara, njofton Portalb.

“Nga takimi zyrtar i Osmanit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës përmes konferencës për media, shihet qartë se Osmani përdor vetëm gjuhën shqipe, edhe pse është e qartë se cila është gjuha zyrtare në Maqedoni për përdorim ndërkombëtar e përcaktuar me Kushtetutë. Kjo sjellje është shkelje e Kushtetutës së vendit, por edhe e vetë Marrëveshjes kornizë, deklaroi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Maria Miteva, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm dhe ngarkimin me përgjegjësi penale të tij.

Kërkojmë, potencoi Miteva, përgjegjësi penale për Osmanin, organet kompetente menjëherë të ngrejnë procedurë dhe përfundimisht në Maqedoni të ngrihet procedurë adekuate për vepra që cenojnë imazhin e vendit. Ajo potencoi se kërkojnë që Osmani të dorëhiqet nga pozita ministër i Punëve të Jashtme dhe është më e pakta që mund ta bëjë pas këtij veprimi joshtetërore dhe nënçmues për qytetarët e Maqedonisë.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se qeveria LSDM-BDI dhe Bujar Osmani si ministër i Punëve të Jashtme, shkelin vlerat kombëtare, duke i bërë thirrje Osmanit të nisë ta respektojë vendin dhe në komunikimet ndërkombëtare të prononcohet në gjuhën zyrtare maqedonase.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme i mohoi akuzat e opozitës, duke theksuar se megjithëse janë Pashkët, VMRO-DPMNE-ja nuk heziton të krijojë tensione dhe ndarje etnike në shoqëri përmes përdorimit të gënjeshtrave dhe fakteve të sajuara.

Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut i kërkuan VMRO-DPMNE-së të kërkojë falje dhe theksuan se përdorimi i gjuhëve zyrtare në vend është çështje e rregulluar me ligj dhe nuk duhet të jetë subjekt i kalkulimit politik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button