MPB përsëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e emaileve të rreme në emër të drejtorit të BSP-së

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) sot përsëri informon për mesazhe të rreme të dërguara në emër të drejtorit të Byrosë për siguri publike (BSP), Sasho Tasevski, dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mesazheve të tilla, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Brendshme raportoi për mesazhe elektronike të rreme në mesin e javës së kaluar, duke treguar se bëhet fjalë për tentativë mashtrimi për marrjen e të dhënave personale të qytetarëve.

Në njoftimin e sotëm, me shënimin “paralajmërim”, thuhet se këto ditë Ministria ka pranuar ankesa nga qytetarët për mesazh elektronik të pranuar kinse në emër të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike Sasho Tasevski, në të cilin, në formë të një kërkesë për sqarim gjyqësor, marrësi i mesazhit raportohet se është objekt i procedimit ligjor për një sërë veprash penale fiktive, të cilat nuk i ka kryer. Në mesazh, marrësi ftohet të kontaktojë dërguesin.

“Ministria e Brendshme njofton qytetarët se bëhet fjalë për mesazh të rremë që nuk është dërguar nga MPB-ja, gjegjësisht BSP-ja. Këto mesazhe elektronike janë tentativë klasike e mashtrimit në të cilën qëllimi i mashtruesve është të marrin të dhënat personale të dërguesit me qëllim abuzimin e mëtejshëm me to”, thuhet në deklaratën e MPB-së.

Ministria u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të veçantë me mesazhe të tilla dhe të mos i hapin ato.

“Prandaj apelojmë për vëmendje të veçantë, që të mos hapen këto mesazhe, e aq më pak të kontaktohet dërguesi përmes linkut të dhënë dhe të shpërndahen të dhënat personale që do t’ju kërkohen. Gjithashtu, ju paralajmërojmë të mos hapni linqe dhe skedarë që dërgohen si bashkëngjitje të një mesazhi elektronik që vjen nga një dërgues i panjohur, për të mbrojtur sistemin tuaj kompjuterik nga malware”, apelon Ministria e Punëve të Brendshme.

Javën e kaluar Drejtoria e të hyrave publike njoftoi edhe për SMS mesazhe të rreme që janë dërguar në telefonat celularë të qytetarëve me kërkesë për raportim të detyrueshëm në faqen e rreme https: ujp-gov.mk/potvrda.

Drejtoria e të Ardhurave Publike u bëri thirrje qytetarëve që të mos e hapin këtë faqe të rreme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button