Kur pasqyrat shndërrohen në dritare

“Bijtë e Ademit nuk mund të mbushin enë më të keqe se sa barkun e tyre.”

Profeti Muhamed, a.s.

Stomaku është rezervuari ku mblidhet lënda djegëse e trupit: kur është plot, ai i jep egos burimet e nevojshme të energjisë për të ndezur dëshirat e zilisë, epshit, lakmisë dhe krenarisë. Ne nuk mund t’i dorëzohemi plotësisht Zotit kur egoja është në fuqi dhe udhëheq me ne. Ndërkaq kur agjërojmë, i gjithë trupi ngadalësohet, duke e dobësuar egon përmes lodhjes dhe urisë, duke i lejuar shpirtit tonë të rimarr kontrollin mbi veten. Agjërimi e transformon egon nga një tiran i papërkulshëm në një shërbëtor të nënshtruar të Zotit.

Kur zbusim egon, ne i japim hapësirë fuqisë së shpirtit të rritet. Siç na kujton edhe filozofi kinez i shekullit të 6-të, Lao Tzu duke thënë “Ai që kontrollon të tjerët mund të jetë i fuqishëm, por ai që ka zotëruar veten është ende më i fuqishëm“.

Agjërimi na shtien në një gjendje përulësie duke na përkujtuar se sa shpejt dobësohet trupi ynë: për disa orë abstenimi nga ushqimi dhe uji, lëvizja e gjakut ngadalësohet, energjia jonë davaritet, kështu, iluzioni ynë se jemi të pathyeshëm ngadalë zhduket. Ndërkohë ndjejmë se sa të vobektë jemi përpara Zotit dhe përjetojmë varësinë tonë të plotë prej Tij. Gradualisht dhe natyrshëm, zemrat tona bëhen më bujare ndaj atyre që janë në nevojë. Njëjtë pastrohen edhe gjykimet që kemi ndaj të varfërve, pasi edhe vet e përjetojmë se sa e vështirë është uria. Kur ndalemi dhe mendojmë thellë për të mirat e shumta që na ka falë Zoti, ne fillojmë të vetëdijesohemi për realitetin rreth nesh, ku miliona njerëz anembanë botës janë në gjendje të përhershme urie, duke mos shpresuar se do të mund të hanë pas perëndimit të diellit. Për dallim prej atyre që janë të bekuar nga Zoti dhe që gjatë agjërimit me gëzim e presim kohën e iftarit.

A jeni falënderues për këtë? Agjërimi dhe meditimi na mbrojnë nga prirja e egos sonë për arrogancë dhe na bën falënderues për gjërat që na i ka fal Zoti.

“Ushqimi i trupit është buka, ndërsa ushqimi i shpirtit është të ushqyerit e të tjerëve.”

Imam Aliu

Agjërimi i shndërron pasqyrat tona në dritare, duke zgjeruar kështu vizionin tonë, dhe nga një gjendje egocentrike ku shohim vetëm veten, kalojmë në një gjendje tjetër ku shohim edhe nevojat e atyre më të pafat se ne. Kjo gjendje dhe çiltërsi shpirtërore na mundëson të shohim qartë edhe Zotin.

Sepse, rrugëtimin ynë shpirtëror mbase nuk është përpjekja jonë për të gjet rrugën për të shkuar deri te Zoti, por në të vërtetë është përpjekja për të mënjanuar çdo pengesë që na pamundëson të shohim qartë se ne veç më jemi në oborrin hyjnor dhe Zotin e kemi gjithmonë afër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button