Roli i Pejgamberit a.s. në sigurimin e unitetit social

Ashtu siç u përpoq Pejgamberi a.s. ta përhapte besimin e teuhidit në mesin e njerëzve, i cili rregullon marrëdhënien ndërmjet Allahut dhe njeriut, ai gjithashtumu përpoq të përhapte edhe unitetin ndërmjet shoqërisë.
Kjo përpjekje e Pejgamberit a.s. nuk është kufizuar vetëm në periudhën e Islamit. Ai, para se të emërohej si pejgamber, ndërmori hapa për sigurimin e unitetin dhe solidaritet shoqëror edhe gjatë periudhës së injorancës. Ai në këtë drejtim, për të kontribuar në unitetin shoqëror u angazhua në punë dhe aktivitete të ndryshme si “Anëtarësimi në organizatën Hilfu’l-fudul(1), arbitrazhi – gjykimi për rindërtimin e Qabesë dhe projekti për vëllazërim.

Anëtarësimi në organizatën “Hilfu’lfudul”

Luftërat e bëra në muajt e ndaluar, arabët i quanin “luftëra fixhar” – “luftëra mëkatare”. Luftërat fixhar kanë ndodhur katër herë. Në luftën e zhvilluar ndërmjet fiseve Kurejsh dhe Kinane, nga njëra anë, dhe fisit Hevazin, në anën tjetër, pati marrë pjesë edhe Pejgamberi a.s..
Ai pati marrë pjesë gjithmonë vetëm në anën e së drejtës, në krah të të drejtit dhe viktimës. Në këtë luftë ai ishte në moshën njëzetvjeçare, së bashku me të ungjin, por nuk derdhi gjakun e askujt. Vetëm mblodhi shigjetat e hedhura nga armiku dhe ua dha ungjijve.
Organizata “Hilfu’l-fudul” e nisi veprimtarinë për mbrojtjen e të drejtave të të shtypurve. “Hilfu’lfudul” është e vetmja organizatë e kohës pagane para islamike që i Dërguari i Allahut a.s. e ka miratuar dhe ka marrë pjesë në të, sepse kjo ishte një organizatë që mbronte drejtësinë. Ajo ishte ngritur për ta penguar padrejtësinë dhe dhunën. Pas pejgamberisë, Pejgamberi a.s. është shprehur kështu për këtë organizatë: “Kam marrë pjesë së bashku me ungjit e mi në Hilfu’lfudul në shtëpinë e Abdullah bin Xhudasë. Aq i kënaqur mbeta nga ai kuvend, sa nuk do të mbetesha i kënaqur e i gëzuar edhe sikur të më falnin deve të kuqe në vend të tij. Edhe sikur të thirresha përsëri sot për një marrëveshje të tillë, do të merrja pjesë.”(2)

Arbitrazhi për rindërtimin e Qabesë

Në Mekë pati ndodhur një shtrëngatë, një përmbytje, e si pasojë e saj Qabeja qe dëmtuar mjaft. Pas kësaj, fiset vendosën të punonin së bashku për ta meremetuar Qabenë. Në meremetimin e Qabesë mori pjesë edhe Pejgamberi a.s. së bashku me të ungjin Abasin. Por, kur erdhi puna për ta vënë në vend Gurin e Zi, meqë secili fis kërkonte ta kishte vetë nderin për një gjë të tillë, u shkaktua një grindje e madhe. Ndërmjet tyre nisën konflikte të ashpra. Çështja u kthye në smirë dhe pasion. Ishte gati të derdhej gjak. Të bijtë Abdudar sollën një çanak plot me gjak, bënë marrëveshje me të bijtë Adij bin Ka’b se do të luftonin gjer në vdekje dhe u përgatitën për të luftuar. Dhe, për t’i përforcuar betimet e tyre, i ngjyen duart me gjak. Kjo gjendje e tensionuar vazhdoi për katër-pesë net.
Më në fund, më plaku i Kurejshve, Ebu Umejje, u foli me zë të lartë: “O fisi im! Ne duam vetëm të mirën, nuk duam të keqe! Mos hyni në garën e zilisë për këtë gjë! Lëreni zënien! Meqë këtë çështje nuk mundëm ta zgjidhnim mes nesh, le ta caktojmë gjykatës mes nesh të parin njeri që ka për të hyrë tani nga porta e Qabesë dhe ta pranojmë vendimin e tij.” Dhe tregoi me dorë portën Beni Shejbe të Qabesë. Mu në ato fjalë, u duk në portë Muhamedi a.s.. Fytyrën e secilit e mbuloi një buzëqeshje lehtësimi, se ai që po hynte e që do të bëhej gjykatës mes tyre, ishte Muhamed Emini, Muhamedi i besueshëm! Dashuria, respekti dhe besimi i Kurejshve për të ishte shtuar e forcuar çdo ditë e më tepër.
Prandaj, sapo e panë, Kurejshët thanë: “Ja, el-Emini! Të gjithë jemi dakord që ai të gjykojë mes nesh!” Dhe ia treguan se si qëndronte çështja. Ai zgjodhi nga një person prej çdo fisi, pastaj hoqi mantelin e vet dhe e shtroi përdhe dhe urdhëroi që Gurin e Zi ta vendosnin në mes. Pastaj u tha njerëzve të zgjedhur prej çdo fisi që ta kapnin secili rrobën në një cep. Guri i Zi u bart nga të gjithë. Kurse në vend e vendosi Muhamedi a.s. me duart e tij. Kështu u parandalua një grindje e mundshme ndërmjet fiseve.
Falë moralit të tij të mirë, besueshmërisë dhe personalitetit të ndershëm që kishte fituar besimin e një shoqërie politeiste, e cila nuk njihte të drejta dhe ligje, Pejgamberi a.s., parandaloi konfliktin duke vepruar si arbitër në mosmarrëveshjen ndërmjet tyre. Kjo sjellje e Pejgamberit a.s. është një qëndrim që duhet të merret si shembull për të gjithë myslimanët, veçanërisht myslimanët që jetojnë në shoqëritë jomyslimane. Bazuar në faktin se Pejgamberi a.s. ishte arbitër ndërmjet politeistëve, mund të thuhet se pavarësisht se në cilën shoqëri jetojnë, myslimanët nuk duhet të largohen nga e vërteta, drejtësia dhe ndershmëria dhe se ata duhet t’i japin rëndësi unitetit shoqëror më shumë sesa konflikti social.

Projekti për vëllazërim

Në përgjithësi, ekzistojnë katër lloje të vëllazërisë. Vëllazëria njerëzore, vëllazëria e gjakut, vëllazëria e qumështit dhe vëllazëria e fesë.(3) Feja islame, anëtarët e saj i shpall si vëllezër fetarë në përputhje me ajetin “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër”(4) dhe favorizoi vëllazërinë fetare ndaj vëllazërive të tjera.
Pas migrimit të Pejgamberit a.s. në Medine, një nga problemet më të rëndësishme ishte integrimi i mekasëve në shoqërinë e medinasëve, kjo sepse mekasit do ta kishin vështirë të mësoheshin me klimën e Medinës dhe të integroheshin me shoqërinë në Medinë. Për këtë arsye, një nga gjërat e para që Pejgamberi a.s. bëri kur emigroi në Medine ishte zbatimi i projektit të vëllazërimit ndërmjet muhaxhirëve të Mekës dhe ensarëve të Medinës.(5)
Se çfarë vëllazërie të fort krijoi Pejgamberi a.s. në mes muhaxhirëve të Mekës dhe ensarëve të Medinës shihet më së miri në luftën e Bedrit. Si rezultat i vëllazërimit, muhaxhirët dhe ensarët u shkrinë dhe u integruan
me njëri-tjetrin, derisa u bënë një trup, u formua një identitet i përbashkët mes tyre dhe u arrit një unitet i mentalitetit. Kjo në përhapjen e Islamit i ka ndihmuar myslimanët jashtëzakonisht shumë për të siguruar integritet kundër armikut brenda dhe jashtë.
Prandaj historia e vëllazërimit në mes muhaxhirëve dhe ensarëve përbën një shembull që nuk mund të gjendet në histori. Kjo praktikë e Pejgamberit a.s. hedh dritë mbi qëndrimin e myslimanëve në solidaritet, bashkëpunim dhe unitet në kohë të vështira dhe të trazuara.
Uniteti për edukim dhe trajnim
Një çështje tjetër që Pejgamberi a.s. e theksoi për sigurimin e unitetit shoqëror është uniteti për arsim dhe trajnim, ngase sigurimi i unitetit dhe solidaritetit në shoqërinë e formuar nga njerëz që besojnë në të njëjtat vlera është më i lehtë. Për këtë arsye, edhe në kushte shumë të vështira, Pejgamberi a.s. u përpoq të integrojë shoqërinë islame përmes edukimit dhe trajnimit me qendrat arsimore që krijoi si në Mekë, ashtu edhe në Medinë pas migrimit.

Qendra e parë arsimore-trajnuese “Daru’l-Erkam”

“Daru’l-Erkam” është emri i qendrës që Pejgamberi a.s. krijoi për edukimin dhe trajnimin e myslimanëve të parë. “Darul Erkam” (porta ose shtëpia e Erkamit) e njohur si “Darul Islam” (porta ose shtëpia e Islamit), ndodhej pranë kodrës Safa. Duke u ruajtur nga politeistët mekas, Pejgamberi a.s. shkonte në këtë shtëpi, u fliste për Islamin të ardhurve, u këndonte Kuran dhe u fliste për përmbajtjen dhe kuptimin e tij. Të pranishmit aty falnin namaz së bashku, dhe shumë njerëz aty u njohën me Islamin. Prandaj i Dërguari i Allahut a.s. është një udhërrëfyes i cili na paraqet shembujt idealë në fushën e edukimit dhe trajnimit. Bashkimi i njerëzve që ndajnë të njëjtin besim dhe mendim rreth një qendre është ndër përparësitë e të gjitha lëvizjeve që duan të arrijnë transformimin shoqëror.
Një nga aktet e para të Pejgamberit a.s. në shoqërinë mekase, e cila ishte në prag të politeizmit, ishte krijimi i një qendre ku ai mund të përcillte me lehtësi vargjet e Kuranit te myslimanët. Pra krijimi i një qendre të tillë, Pejgamberit a.s. ia mundësoi më lehtë stërvitjen e besimtarëve të tij mendërisht dhe shpirtërisht.

Shkolla “Suffa”

Një nga institucionet e para që Pejgamberi a.s. themeloi kur emigroi në Medine ishte shkolla “As’habu Suffa” (shokët e sofas). Në këtë qendër u edukuan dhe arsimuan sahabët, ku më vonë u bënë personalitete shumë të rëndësishëm në historinë islame. Në këtë shkollë, sahabët merrnin një edukim të nivelit të lartë e pothuajse të sforcuar. Kështu, sahabët që kanë përcjellë më shumë hadithe (të quajturit mukthirun), përgjithësisht kanë dalë prej tyre. Më i shquari prej tyre, Ebu Hurejre, thotë kështu: “Njerëzit thonë me çudi se Ebu Hurejre përcjell shumë hadithe! Mirëpo, ndërsa vëllezërit tanë muhaxhirë ishin të zënë me tregti në treg, vëllezërit ensarë, me bujqësi e pemëtari në arë e në kopshte, Ebu Hurejre që kishte hall vetëm të mos mbetej pa ngrënë, ndodhej pranë të Dërguarit të Allahut, bëhej dëshmitar i sa e sa gjërave që ata s’i përjetonin dot, mësonte përmendësh gjëra që ata s’i mësonin dot!”(6)
Duke u nisur nga këto fakte që u treguan më lartë, kuptohet se Pejgamberi u përpoq të siguronte kohezion shoqëror gradualisht, duke marrë parasysh nevojat dhe përparësitë e shoqërisë në proporcion me mjetet dhe fuqinë e tij.
Sot, njerëzimi në përgjithësi dhe myslimanët që jetojnë në pjesë të ndryshme të botës janë në depresion të madh. Pushtimi i tokave islame, situata e myslimanëve që jetojnë si pakica në shtetet jomyslimane, paqëndrueshmëria politike në vendet islame, ndarjet mendore, ndarjet shoqërore, problemet ekonomike dhe problemet e migrimit dhe refugjatëve ndërkombëtarë qëndrojnë para nesh si probleme të rëndësishme me të cilat përballen myslimanët. Strategjitë dhe metodat që Pejgamberi a.s. ndoqi kur ishte i dobët dhe i fortë do t’i shpëtonin myslimanët në kapërcimin e të gjitha këtyre problemeve.

1. Aleanca për mbrojtjen e të drejtave.
2. Ibni Kethir, el-Bidaje, II, 295.
3. Saffet Köse, “Karde?lik Hukuku F?k?h Boyutu, Diyanet ??leri Ba?kanl??? Yay?nlar?, 123.
4. Huxhurat, 10.
5. Ibën Hisham, Sire, 433-435.
6. Buhariu, Ilm, 42.

Mr. Fatmir Hadri

Burimi: Islamgjakova.net

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button