Greva bllokoi sistemin e transportit publik në Gjermani

Trenat, avionët dhe sistemet e tjera të transportit publik u bllokuan në pjesën më të madhe të Gjermanisë të hënën për shkak të një greve njëditore të organizuar nga sindikatat gjermane të punëtorëve. Grevistët po kërkojnë rritjen e pagave, të cilat sipas tyre, janë goditur nga rritja e inflacionit, raporton VOA.

Greva 24-orëshe preku edhe transportin e mallrave përmes trenave dhe anijeve, pasi punëtorët e këtyre sektorëve ju bashkuan grevës.

Shumë njerëz vendosën të udhëtonin me makinat e tyre, duke shkaktuar vonesa në trafik, ndërsa të tjerë punuan nga shtëpia.

“Kjo po ndikon në rutinën time dhe nuk jam i sigurt se çfarë po ndodh me pagat. Mendoj se ata kanë të drejtë të protestojnë”, thotë Becker MacHayer, punonjës në sektorin e teknologjisë.

Operatori gjerman i hekurudhave, “Deutsche Bahn” e quajti grevën “shqetësuese” dhe u bëri thirrje sindikatave të kthehen në tryezën e bisedimeve.

“Miliona udhëtarë që varen nga autobusët dhe trenat po vuajnë nga pasojat e kësaj greve të gjerë. Jo të gjithë mund të punojnë nga shtëpia. Mijëra kompani që zakonisht importojnë ose eksportojnë mallra përmes trenave dhe anijeve janë duke vuajtur pasojat e grevës. Po, edhe mbrojtja e mjedisit dhe klimës përfundimisht vuan nga këto pasoja”, tha Achim Staub, zëdhënës i operatorit “Deutsche Bahn”.

Një nga udhëheqësit e sindikatave në Gjermani e justifikoi sot grevën, duke thënë se ajo është një “çështje e mbijetesës” për mijëra njerëz që po luftojnë për paga më të larta ndërsa inflacioni vazhdon të rritet.

Sindikatat po kërkojnë një rritje pagash prej të paktën 10.5 për qind dhe kanë refuzuar ofertat e punëdhënësve për një rritje prej 5 për qind në dy faza plus një pagë shtesë.

Greva shkaktoi anulimin e shumë fluturimeve, duke bllokuar një numër udhëtarësh.

“Po ta dija se do kishte grevë, nuk do të vija këtu. Nuk kisha dëgjuar se do të kishte grevë. Tani nuk di se çfarë do të bëjë”, thotë Pepygn Verschur, një udhëtar holandez i bllokuar në aeroportin e Munihut, i cili po shkonte për ski në Malaga të Spanjës.

“Qëllimi ynë nuk është të bëjmë grevë kundër udhëtarëve dhe fëmijëve, por kundër bordeve të menaxherëve të të gjitha kompanive. Kjo përgjegjësi duhet të merret nga menaxherët, të cilët duan të shfrytëzojnë personelin e tyre me paga të ulëta”, thotë Isidoro Peronace, menaxher i Sindikatës së Punëtorëve të Hekurudhave dhe Transportit.

Grevat e punëtorëve janë një dukuri e rregullt në Gjermani dhe normalisht përfundojnë me një marrëveshje kompromisi midis sindikatave dhe punëdhënësve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button