Gërshetimi i modernes dhe tradicionales në vargun poetik të Adelinës

(Vështrim mbi përmbledhjen poetike “Breza grash”)

Foto: Arlind Farizi FB

Përmbledhja poetike Breza grashe poetes së re dhe mjaft të talentuar Adelina Xhaferi që në faqet dhe vargjet e para lexuesin e çfarëdo kohe, çfarëdo moshe, shkollimi a profesioni të caktuar duket sikur e dërgon natyrshëm drejt një bote të bukur e të veçantë poetike, brenda së cilës, si rrallë ndonjëherë, shihet se si bëhet gërshetimi i natyrshëm në mes asaj që quhet moderne në poezi dhe asaj që për botën e tërë njihet si tradicionale, po ashtu brenda këtij krijimi të veçantë letrar.

Këtë lidhje të fuqishme dhe të pandarë për shekuj me radhë, ose të quajtur ndryshe si mishërim i veçantë brenda vargjeve të lira, në këtë përmbledhje poetike në të njëjtën kohë e jep edhe vetë titulli i veprës (titull ky që rrjedh nga brendia e kësaj vepre), duke dëshmuar në këtë mënyrë jo vetëm lidhjen e shumtë e të pandashme të brezave, të cilat gruaja i përjeton edhe sot e kësaj dite, si më të afërta, por edhe vetë lidhjen që për të vjen që nga fryma e parë e Evës.

Lidhjen e saj të fuqishme dhe vetë futjen e elementeve tradicionale a fetare brenda poezive të kësaj përmbledhjeje, kjo poete e re e jep fuqishëm duke e parë në këtë mënyrë jo vetëm rrjedhjen e natyrshme të vargjeve poetike, ashtu siç rrjedh edhe vetë fryma e grave mbi tokë, por edhe vetë rrjedhën e mëkateve të lashta të njerëzve mbi tokë. E këta të fundit ndonëse gjithmonë janë rritur dhe endur me dhimbje të njëpasnjëshme mbi shpatulla kanë qenë sërish ata te të cilët kjo poete e sheh pjesën e pandashme (besën e burrave dhe shaminë e grave), siç del edhe në vargjet e mëposhtme, me të cilat na dëshmon se njeriu i saj, edhe pa bekimin e murgjve, sërish është dhimbje, po aq sa njëherazi është dhe njeri: 

Ti je dhimbje e vjetër, njeriu im

fshehur atje tek jetojnë besët e burrave

e veç pse në sy s’mund të na bekojnë murgjit

më rëndon dhe shamia që fytit ma lidhin

ditë për ditë.

E veçanta e kësaj përmbledhjeje shihet edhe në vetë titujt e poezive, në të cilët fund e krye, ashtu siç pak është bërë më parë në kornizat e letërsisë së ashtuquajtur moderne shqipe, ngërthehet natyrshëm motivi i lashtë i krijimit dhe dashurisë së dy njerëzve të parë të tokës, si dhe mëkatet a djallëzitë e shumta, të cilat ata i bartën në jetën mbi tokë, të dënuar për të mos qenë pjesë e hyjnores për një kohë të caktuar, e që pa frikë dhe mjaft guximshëm i lanë për bartje edhe te qeniet e ditëve tona. Mëkatet sipas kësaj poeteje të re, dalin se janë të urdhëruara nga vetë Eva, meqë si për të ashtu dhe për brendinë e këtyre vargjeve, ata janë vetëm për qeniet të cilat jetojnë mbi tokë (në rastet më të shumta, me personin të cilën e bart ndjenjën e dashurisë), varësisht se çfarë natyre marrin dhe kujt i (ri)vihen mbi shpatulla. Ja se si del ky pohim i veçantë:

Për ty Eva me shekuj të mëkatoj më pëshpëriti në vesh.

E di?

Kam për ta bërë sërish.

Në qeniet e tokës mëkatet janë jetë.

Në poezitë e kësaj poeteje, shihet se krijimi dhe fryma e njerëzve të parë të tokës jepet gjithmonë në anën e kundërt me të cilën jemi mësuar të njihemi, për të dëshmuar në këtë mënyrë jo vetëm mungesën për t’i pranuar veprimet e tyre si të drejta, por edhe vetë dëshirën, që me veprimet e tilla t’i karakterizojë dhe njerëzit (gratë) e ditëve të sotme. E këta të fundit, duke pasur parasysh faktin se ndjenjën madhore të dashurisë e kanë çmuar dhe do ta çmojnë përherë si ndjenjën më të veçantë e më sublime mbi tokë, në emër të saj, arrijnë që t’i pranojnë e t’i bëjnë edhe mëkatet e ardhshme, edhe atëherë kur të mëparshmet do t’i kenë të falura. Kjo del mjaft mirë dhe qartë në vargjet e njërës prej poezive më të bukura, që zë vend në këtë përmbledhje poetike:

e kur ta dimë se mëkati na është falur

sërish do e bëjmë një të ri.

Në poezitë e saj, prapa nuk mbetet as mënyra se si dikur trajtohej gruaja shqiptare dhe sa tek ajo ndikonin negativisht fjalët/urdhrat e të tjerëve (në këtë rast ata që vinin nga figura mashkull, qoftë ai baba, burrë a vëlla), duke e bërë të njëjtën kështu, jo vetëm një qenie te e cila arrinte të shprehej hapur pakënaqësia për lindjen e saj, por edhe vetë fati i një brezi të tërë të grave shqiptare, simboli kryesor i së cilave në vazhdimësi të jetës, ishte shamia me oja të zeza.

Këtë motiv a tematikë të veçantë letrare kjo poete e re e jep në më shumë vargje poetike, të cilat me një rrjedhshmëri mjaft të natyrshme futen edhe brenda kornizave të kësaj vepre, duke e paraqitur një veprim të tillë si të padrejtë dhe pa vlera për shoqërinë tonë. Por më e spikatura është ajo poezi, me të cilën edhe emërtohet kjo përmbledhje poetike, “Breza grash”, në të cilën si rrallë ndonjëherë, gruaja, një trup që fryhej me mallkime dhe me lot të një gruaje me po të njëjtin fat, jepet e njëjtë me të gjithë brezat e grave paraardhëse. E nisur për të paraqitur një realitet të hidhur tonin, të vjetër po aq sa njihen edhe frymët e njerëzve mbi tokë, Adelina i thur vargjet e mëposhtme:

Në krahë s’më morën me dashuri,

shkëndija urrejtjeje në ballë u rëndonin,

shamizezat e ngujuara me ego burrash

në djep druri ma kufizuan ditën e parë

të mërkurën e zezë për timen më

timen gjyshe

timen jetë në prag dëshirash.

E bukura e kësaj përmbledhjeje është edhe vetë mënyra se si ajo, subjektin e saj lirik (të ndjekur gjithmonë nga motivi i një dashurie të pastër dhe motivit të lashtë fetar), qoftë veten, një të dytë a një të tretë, të njohur a të panjohur, e jep gjithmonë me shpresën se fund e krye do ta përjetojë një agim të ri, me rreze të fuqishme dielli dhe me një natyrë ndryshe nga e zakonshmja, se do t’i (ri)qeshë sërish jetës, duke e lutur në vazhdimësi në këtë mënyrë jo vetëm hënën (simbolin e fuqishëm dhe të pandashëm poetik), me të cilën tashmë ne si lexues jemi mësuar ta shohim komunikimin e vazhdueshëm të poetëve, por duke u lutur edhe te vetë murgu, me ç’rast menjëherë dallohet edhe kalimi i saj tek elementet e fuqishme e të lashta fetare.

Te ky i fundit (murgu), nga ajo që shihet në këto poezi lirike, kjo poete nuk e lëshon vetëm ëndrrën e saj, që gruaja të zë vend të rëndësishëm dhe të vlerësohet në shoqërinë shqiptare, por edhe dëshirën që ai ta pohojë edhe para të tjerëve, se dashuria si ndjenjë është mbi të gjitha, dhe se vetëm si e tillë arrin ta mposhtë çdo ndjenjë tjetër të një natyre më të ulët. Ja si del kjo ëndërr dhe dëshirë e moçme e kësaj poeteje, nisur nga besimi i verbër për diçka të tillë:

IMZOT!

Më thuaj nga sot e tutje se qe DASHURIA!

Për të shtuar më pas në po të njëjtat vargje të poezisë së njëjtë edhe pohimet e mëposhtme, të cilat dalin po aq guximshëm, sa ç’do të dilte ëndrra e gruas nga një kullë e lashtë, e ftohtë nga çdo anë, trashëgim i burrave me plisa të bardhë, në tokat që për të, në vazhdimësi rrisin dhimbje:

pastaj

UNË, TI

e brezat e harruar të grave gjëmëzeza

le të jetojmë për të!

E para qe IMZOT.

Thuaji psalm mbi kokat tona!

Me një rëndësi mjaft të madhe për këtë përmbledhje poetike është edhe shfrytëzimi i figurave të legjendave tona popullore, emrat dhe veprimet/trimëritë/pohimet e të cilave i merr si motive poetike sa herë e ndien të nevojshme ta paraqesë lidhjen dhe guximin e grave, që ndonëse në breza të shumtë, sërish arrijnë që për ndjenjën e dashurisë ta murosin trupin dhe veten, e që si të tilla, ta marrin pa droje emrin e Rozafës. Këtë gjë e japin natyrshëm edhe vargjet e mëposhtme:

Rëndo dashurie po të duash dhe nesër!
Në gur do të hyjë sërish për besën tënde
e shekujt kuturu kanë për ta folur këtë.
Veç mos harro Odise,
ji dashuri nën dritën e hënës!

Vetë lidhshmëria dhe mishërimi i elementeve të lashta në vargjet moderne të këtyre poezive, këtë përmbledhje poetike e bëjnë të veçantë, duke dhënë para botës së lexuesve shqiptarë një art që meriton të përjetohet e te i njëjtë të rendet në vazhdimësi të jetës. Vargu i Adelinës e jep këtë veçanti, duke sjellë në letrat shqipe një frymë të re e të nevojshme letrare.

Nga Arlind Farizi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button