Kaptina Kehf dhe metodat e edukimit që burojnë prej saj

Kaptina Kehf, me karakteristikat e sureve mekase, e përbërë nga 110 ajete, ngërthen në vetveten e saj tematika të larmishme nga të cilat mund të nxirren mësime të vlefshme. Padyshim, ndër tematikat më të rëndësishme dhe që vihet në pah pothuajse në çdo pjesë të kaptinës, është çështja e besimit, me theks të veçantë, besimin në botën e ardhshme (Ahiretin), parime në lidhje me profetësinë, përshkrimi i tri tregimeve të bukura të Kuranit, përmes së cilave paraqitet fuqia e pakufishme e Zotit të Madhëruar.

Po ashtu, kjo kaptinë vë në pah natyrën e jetës së kësaj bote duke e përshkruar si të shkurtër e kalimtare, pra një ditë do të marrë fund. Një nga mesazhet kryesore që jepet në këtë kaptinë është edhe rëndësia e modestisë. Në shumë vargje theksohet se si mendjemadhësia i çon njerëzit në zhgënjim dhe duke dhënë shembuj theksohet se mendjemadhësia është cilësi shkatërruese e individit dhe shoqërisë. Pra kaptina Kehf, me gjithë këto tematika të larmishme në aspektin edukativ, ofron mjaft mësime dhe këshilla të dobishme.

Ajo hedh dritë mbi shumë çështje që lidhen me edukimin, si metodat që duhen ndjekur në edukim, mendjen, shpirtin dhe zemrën e edukimit.

Lidhshmëria e kësaj kaptine me kaptinat tjera

Kaptina Kehf, e cila në renditjen kuranore zë vendin e nëntëmbëdhjetë, është një prej atyre pesë kaptinave të Kuranit, që fillojnë me “Elhamdulilahi…”, e që janë: Fatiha, En’am, Sebe, Fatir, dhe kjo paraqet lidhshmërinë që kjo sure përmban me kaptinat në fjalë.

Secila nga tri kaptinat, të cilat pasojnë njëra-tjetrën, tregon për ndodhitë e situatave interesante që rrallë shihen në këtë botë. Kaptina e cila në Kuran zë vend para kaptinës Kehf, parashtron mrekullinë e Israsë – udhëtimit të Muhamedit a.s., me ndihmën e Zotit prej Mekës në Jerusalem dhe kjo brenda një pjese të kohës së natës. Ndërsa kaptina Kehf, në tregimin e parë flet për “as’habul kehf ”, për banorët e shpellës, të cilët flijuan jetën për hir të besimit të drejtë. Kaptina Merjem, e cila gjendet në vijim, parashtron çështjen e Merjemes virgjëreshë, e cila e lindi djalin, Isain, pa baba, e kjo është një ngjarje edhe më e çuditshme. Prandaj, është mjaft domethënëse që të gjitha këto gjendje të mrekullueshme të përmenden në këto tri sure që pasojnë njëra-tjetrën.

Kaptina Kehf ashtu si kaptina Isra, thekson rëndësinë e Kuranit dhe tërheq vëmendjen për lavdinë e tij. Kaptina Isra fillon me: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij…”(2) lartësimin e Zotit xh.sh., ndërsa kjo fillon me shprehjen: “E tërë lavdia i takon vetëm Allahut…”(3) , e cila nënkupton lavdërimin e Zotit ndaj vetes së Tij të Madhëruar. Lartësimi dhe lavdërimi (hamdi), nga ana tjetër, shfaqen së bashku (në vazhdimësi), si në Kuran ashtu edhe në hadithe të Pejgamberit a.s., në të cilat lartësimi vjen gjithmonë para hamdit. F.v. në kaptinën Hixhr thuhet: “Andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar”(4), ndërsa në hadithe të shumta përmendet: E gjithë kjo për të tërhequr vëmendjen për faktin se lartësimi është fillimi dhe lavdërimi (hamdi) është rezultati, fillimisht vjen tesbih dhe më pas tahmid. Kaptina Isra përfundon me lavdërim dhe me ajetin që dëshmon për Zotin Një, të pa fëmijë dhe të pashoq, të panevojshëm për asgjë, Fuqiplotë dhe të Pavarur. Po ashtu, kaptina Kehf fillon duke përsëritur të njëjtën të vërtetë. Kështu, ekziston një harmoni unike midis fillimeve të dy kaptinave, fundit të kaptinës Isra, që paraqet faktin për Zotin Një, të pa fëmijë dhe të pashoq dhe lartësimin e Tij dhe fillimit të kaptinës Kehf, e cila gjithashtu dokumenton për Zotin Një dha lavdërimin që i takon Atij.(5) Në transmetimet në lidhje me shkakun e shpalljes së kësaj sureje, përmendet se jehudët u kërkuan politeistëve që t’i bënin pyetje të Dërguarit a.s. për tri çështje: Shpirtin, As’habul Kehf (banorët e shpellës) dhe Dhul-Karnejnin. Përgjigja për të parën prej tyre jepet në fund të kaptinës Isra. Kurse, përgjigjet e dy pyetjeve të tjera janë dhënë në këtë kaptinë. Në këtë këndvështrim, është mjaft e përshtatshme të jenë këto kaptina të renditura njëra pas tjetrës. Ibën Ashuri kur flet për lidhshmërinë mes këtyre dy kaptinave ne aspektin e shkakut të zbritjes, shprehet se është më së e përshtatshme që përgjigjja për shpirtin të vijë paralelisht në kaptinën Isra, ngase pyetja për shpirtin i referohet dijes së Zoti xh.sh. dhe nuk është dhënë një përgjigje e detajuar. Për shkak se ka një ngjashmëri mes shpirtit dhe Israsë, kaptina Isra, u zgjodh për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Ngjashmëria është paaftësia e mendjes për të kuptuar plotësisht natyrën e të dyjave.(6) Natyrisht, lidhshmëria e kësaj kaptine me kaptinat e tjera nuk kufizohet vetëm me këto gjëra. Nuk duhet harruar se mund të ketë lidhshmëri të ndryshme për sa i përket fillimeve dhe përfundimeve të kapitujve, përmbajtjes dhe aspekteve të tjera.

Metodat e edukimit brenda mesazheve të kaptinës El Kehf

Qëllimi i Kuranit në edukimin e njerëzve është t’i largojë ata nga politeizmi duke i ftuar në besimin e njëshmërisë së Zotit, të përforcojë besimin në botën tjetër dhe të tregojë realitetin e kësaj bote kalimtare, duke theksuar se stolia dhe bukuria e saj është e përkohshme. Po ashtu një ndër objektivat e tij është për të mësuar se ngjarjet e hasura në jetë, kanë një botë të brendshme, ndaj është e nevojshme që njeriu të pajiset me durim. Edhe në kaptinën Kehf, vihet në pah fakti se njerëzit janë të thirrur në drejtim të këtyre qëllimeve kuranore dhe se janë aplikuar metoda të ndryshme edukimi në përputhje me natyrën e qenies njerëzore.

Metoda e mësimdhënies bazuar në libër dhe njohuri të sakta

Libri zë një vend të rëndësishëm në mësimdhënie (arsim), ngase në mësimdhënie, përpunimi i informacionit të librit është i pashmangshëm dhe natyra e informacionit të përdorur është gjithashtu e rëndësishme. Po ashtu është e një rëndësie të madhe që njohuria që u jepet njerëzve të jetë pa komplekse dhe kontradikta, të jetë e qartë dhe të shprehë siguri. Kjo metodë është edhe metoda e edukimit e aplikuar nga Kurani. Njohuritë e shpallura nga Kurani përçojnë veçorinë e të qenit njohuri e saktë në të cilin nuk ka asnjë kontradiktë apo kompleksitet. Kjo e vërtetë madje shprehet edhe në kaptinën Kehf në të cilën thuhet: “E tërë lavdia i takon vetëm Allahut, që ia zbriti robit të vet librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie. (Ia zbriti) Të saktë (pa shmangie)…”

Ndërsa, ata të cilët nuk kanë njohuri të sakta dhe një libër të vërtetë për t’u mbështetur, në kaptinën Kehf qortohen dhe thuhet: “Dhe për t’ua tërhequr vërejtjen atyre që thanë, se Allahu ka fëmijë. Dhe për atë (fëmijë), as ata, e as të parët e tyre nuk kanë kurrfarë dije. Sa e madhe është ajo fjalë që del nga gojët e tyre, e ata nuk thonë tjetër vetëm se gënjeshtër.”(8) Siç shihet, në kaptinë, synohet edukimi i njerëzve për këtë çështje duke vënë në dukje rëndësinë e njohurisë së saktë. Në ajete theksohet fakti se njëra nga metodat e edukimit është njohuria e saktë e cila duhet të bazohet në libër të vërtetë apo prova të qarta, përndryshe një njohuri që nuk posedon këto nuk mund të posedojë asnjë vlerë të vetme.

Kaptina Kehf gjithashtu thekson faktin që është i gabuar diskutimi mbi çështje për të cilat nuk gjenden njohuri të caktuara, duke sjellë si shembull diskutimet rreth numrit të atyre që qëndruan në shpellë dhe theksoi panevojshmërinë e këtij diskutimi si vijon: “Ata (që bisedonin për këtë) do të thonë: “Ishin tre…Ishin pesë… kjo ishte hamendje, po edhe thonë: “Ishin shtatë… Thuaj: “Zoti im e di më së miri për numrin e tyre, përveç një pakice nuk di kush për ta, e ti (Muhamed) mos polemizo për numrin e tyre vetëm ashtu në tërësi, dhe mos pyet askënd për ta”.(9) Sejid Kutbi, (v. 1969) në lidhje me këtë ajet kuranor thekson që diskutimi për të rinjtë në fjalë është i kotë. Mund të nxirren mësime prej tyre, qofshin ata në numër të paktë apo shumë. Për këtë arsye, Zoti i Lartësuar e urdhëron të Dërguarin e Tij që të mos debatojë për këtë dhe të mos kërkojë asgjë nga ata që polemizojnë. Kjo është në përputhje me metodën e sistemit islam të mbrojtjes së energjisë mendore nga harxhimi në gjëra të padobishme dhe parandalimi i myslimanit që të mos ngelet prapa gjërave për të cilat nuk ka njohuri të caktuar. Kjo ngjarje, e cila ka mbetur në thellësi të kohës, është një nga ngjarjet e padukshme që duhet referuar në njohjen e Allahut. Pra, diskutimi për këtë çështje duhet të lihet mënjanë.(10) Këta shembuj në kaptinë theksuan rëndësinë e njohjes së librit të vërtetë dhe faktin që informacioni i dhënë gjatë edukimit të njerëzve duhet të jetë i bazuar në të ose në prova të qarta.

Burimi: Islamgjakorava.net

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button