‘Tani implementimi’, Lajçak: Procesi do të mbikëqyret nga një komision i përbashkët

Implementimi i pikave të marrëveshjes së dakordësuar, por jo të nënshkruar, është hapi i radhës që duhet të ndërmarrin Kosova dhe Serbia për të avancuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve, raporton EN.

Në një intervistë për ENW Serbia, negociatori evropian Miroslav Lajçak ka deklaruar se përmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga akordi i arritur të shtunën e kaluar në Ohër përfshin edhe atë pjesë të njohur si “aneksi” e që ka të bëjë me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Prova kryesore e marrëveshjes është përmbushja, prandaj tani fokusi është tek implementimi. Këtu nuk është sekret se ne si lehtësues të dialogut kishim planifikuar një implementim më të detajuar të aneksit, me një sekuencë hapash dhe afatesh të qarta që janë lehtësisht të matshëm. Por pas orësh të shumta negociata u arrit dakordësia mbi 12 nga 18 pika dhe ishte e pamundur të tejkalonim dallimet për 6 pikat e mbetura”, tha Lajçak.

Edhe pse me një variant të ri më të përgjithshëm dhe më pak konkret të aneksit, Lajçak ka theksuar se kriteret që palët duhet të plotësojnë janë aty dhe ka shprehur bindjen se përmbushja e tyre do të realizohet në mirëbesim.

Sa i takon procesit, ai do të mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit, një strukturë që do të kryesohet nga Bashkimi Evropian dhe që do të formohet brenda 30 ditësh. Për Lajçak, e rëndësishme nuk është çfarë u firmos dhe çfarë jo, por çfarë implementohet dhe çfarë jo.

“Ne kishim plane për afatet e implementimit. Ne duam ta përfundojmë këtë proces brenda kësaj presidence të BE-së dhe administratës aktuale amerikane. Besojmë se kemi kohë për ta çuar këtë proces përpara”, u shpreh Lajçak.

Negociatori ka shtuar më tej se në këmbim të arritjes së marrëveshjes, BE ka nisur hartimin e procedurave të brendshme për të formalizuar agjendën evropiane për Serbinë dhe Kosovën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button