Publikimi i Rezolutës së Parlamentit Evropian për RMV-në, delegacionin parlamentar në takim me eurodeputetët në Strasburg

Delegacioni i Komitetit të Përzier Parlamentar – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Evropian i përbërë nga: Sonja Mirakovska, bashkëkryesuese dhe anëtarët Zhaklina Llazarevska, Bajram Kadrija, Zhaklina Peshevska dhe Maja Moraçanin, do të qëndrojë për vizitë pune në Parlamentin Evropian në Strasburg më 14 dhe 15 mars 2023 ku do të ketë takime me eurodeputetët në prag të publikimit të Draft-Rezolutës së Parlamentit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2022, transmeton Portalb.mk.

Sipas programit të vizitës, deputetët do të kenë takime me eurodeputetin Tonino Picula, koordinator i Grupit Parlamentar të Socialistëve dhe Demokratëve në Komisionin për Politikë të Jashtme, eurodeputetët Tijs Rojten dhe Vlladimir Bilçik, anëtarë të Komitetit të Përzier Parlamentar BE – Maqedonia e Veriut, më pas me Andreas Shider, Marion Valtsman dhe Ilhan Kjuçuk, pjesëmarrës në Dialogun e Zhan Monesë, gjegjësisht në procesin për avancimin e dialogut politik, si dhe eurodeputetja Irena Joveva, kryetare e grupit joformal Miqtë e Maqedonisë së Veriut dhe anëtare e KPP BE – Maqedonia e Veriut.

Gjatë vizitës dyditore është planifikuar takimi me kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme, Dejvid Mekalister, si dhe takime me raportuesit në hije për Maqedoninë e Veriut në Komisionin për Politikë të Jashtme (AFET), përkatësisht Tineke Shtrik nga grupi i të Gjelbërve, Stelios Kouloglu nga “E Majta” dhe Matiazh Nemec nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve. Raportuesit në hije, në emër të grupeve të tyre politike, janë përgjegjës për temën dhe luajnë rol të rëndësishëm në harmonizimin e tekstit përfundimtar të Rezolutës.

Pra, drafti i parë i Rezolutës për Maqedoninë e Veriut nga raportuesi Ilhan Kjuçuk do të shqyrtohet në Komisionin për Politikë të Jashtme në fund të marsit, për të do të votohet në Komision në fund të majit dhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian pritet të jetë në mesin e qershorit.

Kujtojmë se përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, këtë javë do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fillimisht, ai do të ketë takime me krerët e qeverive të këtyre dy shteteve, në kuadër të Këshillit të Stabilizim Asociimit. Ndërkaq, më 18 mars ai do të organizojë takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut që e lehtëson blloku evropian.

Burimet në BE thonë se vizitat në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut ishin planifikuar më herët, prandaj edhe kishte lindur ideja që pasi Borrell do të vizitojë rajonin, në Ohër të Maqedonisë së Veriut të zhvillohet takimi i radhës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Shkup, Borrell do të takohet me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, por edhe me presidentin Stevo Pendarovski, dhe me një numër ministrash të këtij vendi.

Maqedonia e Veriut ishte shteti i parë i rajonit të Ballkanit Perëndimorë i cili me BE-në kishte arritur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, qysh në vitin 2001. Por, u desh të priste deri në vitin 2022 për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE. Vitin e kaluar, negociatat e anëtarësimit u nisen edhe me Shqipërinë.

Pritet që gjatë vizitave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Borrell me mikpritësit e tij të bsiedojë edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, për pasojat që kjo ka pasur për Evropën dhe rajonin, dhe për bashkëpunimin mes BE-së dhe këtyre shteteve të përballje me këto pasoja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button