Fjalët e Sulejman ef.Rexhepit për festën e Fitër Bajramit

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), H. Sulejman ef. Rexhepi, ka uruar dashuri, pajtim dhe devotshmëri ndaj Allahut, me rastin e mbarimit të Muajit të Bekuar të Ramazanit dhe festës së Fitër Bajramit. 

Në mesazhin e tij tradicional, një ditë para shënimit të kësaj dite të bekuar, kreu i institucionit të vetëm islam në Maqedoni, ka uruar të gjithë besimtarët në vend dhe jashtë vendit, duke dëshiruar paqe, harmoni, dashuri dhe perspektivë të ndritur kudo ku jetojnë ata. 

“Uroj që këto ditë festive të Bajramit të shprehim dashuri ndaj familjes, miqëve dhe fqinjëve, të respektojmë konceptin e respektit të gjithë anshëm, duke anuluar diferencat dhe dallimet që mund të ekzistojnë. Qoftë ky Fitër Bajram edhe një mundësi që të na falen lëshimet dhe gabimet tona, lidhur me këtë  Muhammedi (savs) thotë: “ Në Ditën e Fitër Bajramit, All-llahu Fuqiplotë besimtarët që falin namazin e kësaj dite i shikon përplot mëshirë dhe thotë: O robërit e Mi! Me urdhërin Tim keni agjëruar dhe me urdhërin Tim keni bërë iftar. Keni falur namaz për Mua dhe keni ardhur të falni edhe namazin e Bajramit. Tani ngrihuni dhe kthehuni sepse Unë ua kam falur të gjitha mëkatet””, ka theksuar ef. Rexhepi.

Kreu i BFI-së ka porositur dhe rikujtuar se duhet pasur kujdes ndaj miqve, të afërmve dhe fqinjëve, dhe të mos harrohen assesi të varfrit dhe familjet skamnore. 

“Gjatë ditëve të festës së Fitër Bajramit dyert e shtëpive tona që kanë traditë të pastër islame duhet të jenë të hapura për çdo vëlla dhe besimtarë. Ne jemi edukuar dhe nga kultura jonë e lartë fetare që kemi do të shtrijmë dorën tonë si gjithmonë ndaj secilit”, ka vijuar mesazhin ef. Rexhepi. 

Duke u ndalur tek çështja e sulmeve ndaj fesë islame, ef. Rexhepi ka thënë se Islami dhe besimtarët myslimanë kanë qenë dhe do të mbesin “caku i gjithë atyre që nuk shohin ndryshe, i atyre që nuk treguan asnjëherë respekt për vlerat që solli Islami gjithandej, nuk janë treguar të sinqertë ndaj kësaj feje dhe ithtarëve të saj kurrë i zgjoi nga zhdukja dhe dekadenca popujt e sotëm të zhvilluar perëndimor!”. 

“Sot ndjehemi shumë të shqetësuar që në botën islame kemi një periudhë kohore ku dora e flliqur antiislame dëshiron që të rrënon dhe të përdhos gjithë atë që kanë arrijtur disa shtete myslimane duke ndërtuar përmes Kushtetutës, Kuranit. Në disa vende liderët myslimanët janë përleshur me demonstrues që nuk kanë kuptim dhe bazë organizimi i tyre, disa po mbyten nga dora e myslimanëve të manipuluar, disa po sulmohen me burgosje të liderëve të tyre. O sot, o kurrë na duhet të jemi unik dhe t’i qëndrojmë ballë kësaj stuhie të egër dhe dashakeqe të kurdisur nga të huajt përbrenda botës islame”, ka deklaruar kreu i BFI-së. 

Sipas tij, Pranvera Arabe simbolizon dritë, prosperim, ecje të sigurt dhe gjallëri tek popujt myslimanë. 

“Por si duket vetëm rinisja e gjallërisë ishte e madhe e të mos flasim si do të ishte ajo ecuri më tej, ringjallja e tillë shqetësoi shumë opinione, andaj edhe instaluan elemente përbrenda myslimanëve dhe duke manipuluar ata arritën që myslimanët të mos jenë të qetë kohëve të fundit, bile-bile nuk shijuan madhështitë e muajt të bekuar të Ramazanit, e cila do të jetë prezent gjatë festës së Fitër Bajramit. Projektet e tilla vazhduan edhe më larg ku në çdo skaj të botës preket nderi, cenohet e drejta, pengohet adhurimi i Allahut Fuqiplotë dhe persekutohet ajo që i takon Islamit me pa të drejtë”, ka vijuar i pari i BFI-së. 

Këto projekte dashakeqe, thotë ai, janë të pranishme edhe në Ballkan, e veçanërisht në trojet tona. 

“Fatkeqësisht, të njëjtat projekte i kemi prezent edhe në Ballkan në veçanti në trojet tona përmes themelimit të disa asociacioneve dhe organizatave të cilat janë të pavetëdijshëm për dëmin që u bëjnë myslimanëve të këtyre anëve. Ky institucion asnjëherë nuk është përkulur para qarqeve të tilla, andaj fushëveprimi i tyre është më i lehtë nëpër shoqata dhe organizata të cilat nuk kanë forcë për të hetuar hilet dhe qëllimet e errëta të tyre. Kujdesi dhe syçelësia jonë duhet të jenë edhe më të mëdha në këtë drejtim dhe duhet jetësuar fjalën e Allahut ku thotë: “Dhe kapuni që të gjithë ju për Fenë ( litarin) e Allahut dhe mos u përçani””, ka deklaruar ef. Rexhepi.

Lajme të ngjashme

Back to top button