Parlamenti i Gjeorgjisë anuloi projektligjin për “agjentët e huaj”

Ligjvënësit gjeorgjianë kanë votuar për të anuluar projektligjin për “agjentët e huaj”, një projektligj që do të kishte kufizuar ashpër aktivitetin e grupeve të shoqërisë civile dhe mediave, pas tre ditësh protestash të dhunshme, mes akuzave se ligji pasqyron legjislacionin rus dhe mund ta shtyjë vendin drejt autoritarizmit, transmeton Radio Evropa e Lirë (REL).

Ligjvënësit votuan 35-1 kundër projektligjit, dhe në këtë mënyrë e anuluan në tërësi.

Ligjvënësit e opozitës pro-evropiane shpalosën flamujt e Bashkimit Evropian dhe Gjeorgjisë gjatë votimit.

Protestat në vend shpërthyen më 7 mars, kur ligjvënësit e Parlamentit gjeorgjian morën parasysh këtë ligj.

Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit gjeorgjian, Tbilisi, për të natën të tretë me radhë, pavarësisht se partia qeverisëse, Ëndrra Gjeorgjiane, u zotua se do të tërheqë Ligjin kundërthënës për “agjentë të huaj” nga Parlamenti.

Protestuesit më 9 mars u mblodhën jashtë Parlamentit, ku valëvitën flamujt të Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian dhe brohoritën slogane kundër Qeverisë dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ligji i propozuar, i cili u mbështet nga partia qeverisëse, Ëndrra Gjeorgjiane, dhe u miratua me nxitim në leximin e parë, kërkonte që organizatat e shoqërisë civile që marrin mbi 20 për qind të financimit të tyre nga burime të huaja të etiketohen si “agjentë të huaj”.

Kritikët thanë se ky ligj pasqyronte legjislacionin rus që ka kufizuar punën e gazetarëve të pavarur dhe institucioneve demokratike, sidomos mediat e huaja ose të financuara nga jashtë.

Ngjashmëria e projektligjit gjeorgjian me atë rus provokoi zemërim të gjerë në mesin e gjeorgjianëve, të cilët protestuan për dy ditë në rrugët e kryeqytetit, ku u pritën me gaz lotsjellës dhe topa uji nga forcat e sigurisë dhe policia.

Në mbrëmjen e 9 marsit, presidentja gjeorgjiane, Salome Zurabishvili, u dërgoi një mesazh mbështetjeje protestuesve përmes një video-adresimi.

“Para së gjithash, dua t’iu uroj të gjithëve si shoqëri për këtë fitore të parë të këtij lloji. Mirëpres përmirësimin e hapave të ndërmarra nga Qeveria për faktin se ata u tërhoqën nga ky draft-ligj”, tha ajo.

Presidentja e vendit, Salome Zurabishvili, kishte thënë se do të vendosë veto ndaj projektligjit, megjithëse Parlamenti mund ta kishte anuluar veton e saj.

Delegacioni i BE-së në Gjeorgji tha në një postim në Twitter se e mirëpret njoftimin për tërheqjen e projektligjit.

“Ne inkurajojmë të gjithë liderët politikë në Gjeorgji që të rifillojnë reformat pro-BE, në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive dhe në përputhje me 12 prioritetet që Gjeorgjia të arrijë statusin e kandidatit”, thuhet në deklaratë.

Gjeorgjia ka lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por zyrtarët e BE-së thanë se ligji për “agjentët e huaj” do të ndërlikonte rrugën e anëtarësimit të vendit.

Vitin e kaluar, blloku nuk pranoi t’i jepte statusin e kandidatit Gjeorgjisë, duke përmendur reformat e ngecura në politikë dhe gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button