Liderët partiak të Maqedonisë urojnë Festën e Bajramit

Me urime për paqe, mirëqenie dhe begati liderët partiak në Maqedoni urojnë festën e Fitër Bajramit.

Ali Ahmeti: Bajrami na fton të bëjmë vepra të mira në vazhdimësi
“Muaji i shenjtë i agjërimit dëshmoi dedikimin tonë ndaj Perëndisë dhe kam kënaqësinë që të uroj çdo anëtar dhe përkrahës të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) bashkë me çdo besimtar të fesë islame për festën e madhe të Fitër Bajramit. Uroj që gëzimi familjar dhe paqja midis nesh të karakterizojë festën e madhe të Fitër Bajramit në të cilën të gjithë ne bëhemi bashkë për të shtruar dorën e pajtimit, solidaritetit dhe bamirësisë. Përveç urimeve më të mira dhe mesazheve për tolerancë e mirëkuptim, Fitër Bajrami na fton të gjithë neve që të bëjmë edhe vepra të mira në vazhdimësi, duke kujtuar familjet në nevojë dhe në veçanti na fton që të vijojmë përpjekjet tona të pandërprera për mirëqenien e të të gjithë qytetarëve. 
Uroj që festa e Bajramit të na sjellë më afër njëri tjetrit dhe t’ju gjej të gjithë juve me shëndet, pranë familjeve tuaja të çmuara dhe me mbarësi”, thuhet në urimin e Ali Ahmetit, kryetar i BDI-së.

Menduh Thaçi: Bajrami karakterizohet me sakrificë dhe devotshmëri, gëzuar!

“Sakrifica dhe devotshmëria që karakterizojnë këtë Festë, na përndrisin mendjen dhe besimin drejt vazhdimit të kultivimit të vlerave tona fetare dhe kombëtare duke përmbushur shpirtin tonë me dashuri, respekt, solidaritet dhe vullnet të mirë!       

Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, u’a uroj gjithë besimtarëve mysliman Festën e Fitër Bajramit me shumë shëndet, dashuri, paqe, mirëqenie dhe mbarësi!” thuhet në urimin e Menduh Thaçit, kryetar i PDSH-së.     

Rufi Osmani: Bajrami, le të shkëmbejmë mesazhe të mira mes nesh
Përfundimi i Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kurorëzohet me festën e Fitër Bajramit që paraqet vetëpërmbajtjen, sakrificën dhe devotshmërinë. Sakrificën dhe devotshmërinë e treguar gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit e përmbyllim me këtë festë të madhe e cila duhet të na shërbejë si një rast për të shpalosur ndjenjat e dashurisë, harmonisë, vullnetit të mirë dhe respektit të ndërsjellë.Në këtë festë të madhe të myslimanëve, duke shprehur përkushtimin ndaj Krijuesit të Gjithësisë, të shkëmbejmë mesazhe të mira mes nesh.
Në emrin tim personal dhe në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare, ju uroj festën e Fitër Bajramit me dëshirë që mirëqenia, arsyeja dhe toleranca të mbizotrojnë mbi injorancën, arogancën dhe mungesën e vullnetit. Uroj edhe njëhëre gëzuar Fitër Bajramin dhe mirësi, begati dhe harmoni. ”, thuhet në urimin e Rufi Osmanit, kryetar i RDK-së.

Nikolla Gruevski: Bajrami, mundësi për afrim dhe respektim të njerëzve

“Festimi i Bajramit, dhe përgjithësisht festat e mëdha fetare, kanë qenë gjithnjë një mundësi për respektimin dhe afrimin mes njerëzve të grupeve të ndryshme religjioze. E kaluara, përvojat dhe të moçmit tanë na kanë mësuar dhe këshilluar përherë se duhet të festojmë bashkërisht, me të afërmit dhe miqtë tanë të besimit të njëjtë pranë, por dhe me fqinjët dhe bashkëqytetarët e feve të tjera. Kjo mënyrë jona, mund të na sjellë vetëm gjëra të mira dhe të ndihmojë zhvillimin e shtetit ku jetojmë bashkërisht”, thuhet në telegramin e liderit të VMRO dhe kryeministrit Nikola Gruevski.

Zoran Zaev: Shëndet të mirë, mirëqenie dhe paqe në shpirt

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë Zoran Zaev sot, me rastin e festës së madhe fetare Fitër Bajrami, dërgoi urim deri te Reis ul Ulema i Bashkësisë fetare Islame, Haxhi Sulejman efendi Rexhepi dhe deri te të gjithë besimtarët të besimit islam në Republikën e Maqedonisë.

Zaev në urimin besimtarët e besimit islam u dëshiron shëndet të mirë, mirëqenie dhe paqe në shpirt.

“Besoj se sie dhe deri më tani do të mbetemi fuqimisht të bashkuar në synimin e përbashkët për promovim të pandërprerë të bashkëpunimit shumëkuëturor dhe shumëkonfesional dhe bashkëjetesë në shtetin tonë. Në këtë mënyrë bashkarisht do të kontribuojmë në realizimin e mirëqenies shpirtërore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, thuhet në urimin nga kryetari i LSDM-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button