Takimi Begaj- Stoltenberg: NATO mbështet stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se është shënuar përparim lidhur me vendimin e Hungarisë për të miratuar anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, raporton Anadolu.

Stoltenberg, pas takimit të tij me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në selinë e NATO-s, zhvilloi konferencë të përbashkët.

Duke iu përgjigjur pyetjes rreth procesit të miratimit nga Hungaria për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, Stoltenberg tha se anëtarësimi i këtyre dy vendeve në Aleancë për të është prioritet.

Ai rikujtoi se muajin e kaluar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, kanë rënë dakord për rifillimin e bisedimeve mes Turqisë, Suedisë dhe Finlandës, ndërsa njoftoi se këtë javë takimi do të mbahet në Bruksel ku do të fokusohen në marrëveshjen trepalëshe të nënshkruar në korrik.

Stoltenberg tha se sot do ta vizitojë Suedinë ndërsa një delegacion nga Hungaria para një kohe të shkurtër ka vizituar Suedinë ku kanë përgatitur një raport ku është rekomanduar miratimi i protokolleve të aderimit.

“Ende kemi një rrugë që duhet bërë por jemi duke shënuar përparim”, tha Stoltenberg duke shtuar se Suedia dhe Finlanda janë në procesin e anëtarësimit më të shpejtë në historinë e NATO-s.

Ai rikujtoi se Turqia dhe Hungaria janë dy anëtare në mesin e 30 vendeve që ende nuk e kanë miratuar anëtarësimin e këtyre vendeve. “Parlamenti hungarez njoftoi planin për miratim kah fundi i këtij muaji. Një mesazh pozitiv dha edhe delegacioni hungarez në Suedi. Po shënojmë përparim dhe po i afrohemi miratimit të Hungarisë”, u shpreh ai.

– “NATO mbështet stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”

Stoltenberg tha se Shqipëria është një aleat i vlefshëm dhe se kontribuon në misionet e NATO-s. “Shqipëria ka kontribuar në mbështetjen e dhënë për Ukrainën kundër Rusisë ndërsa edhe NATO mbështet sigurinë e Shqipërisë”, tha Stoltenberg.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për NATO-n.

“Ramë dakord për rëndësinë e pranisë së NATO-s në rajon, përfshirë misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe zyrat tona në Sarajevë dhe Beograd. Gjithashtu rrisim mbështetjen tonë për Bosnjë e Hercegovinën në drejtim të përforcimit të kapacitetit të tyre mbrojtës. E mirëpres avancimin e shënuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Shpresoj për zhvillimin e punimeve konstruktive në javët në vijim. NATO mbështet fuqishëm stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Lidhur me këtë jemi në dijeni se mund t’i besojmë mbështetjes së Shqipërisë”, tha Stoltenberg.

Presidenti Begaj, nga ana e tij, duke theksuar se zgjerimi i NATO-s është i pashmangshëm, potencoi se për këtë shkak është i nevojshëm anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në Aleancën Veri-Atlantike.

Ai deklaroi se Ballkani Perëndimor është bërë skenë e zhvillimeve komplekse të sigurisë, ndërsa tërhoqi vëmendjen se Rusia përveç NATO-s përbën kërcënim edhe për Ballkanin Perëndimor.

Begaj duke rikujtuar se kanë ndjekur me shqetësim zhvillimet e disa muajve më parë në veri të Kosovës, shprehu mirënjohjen e tij për vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

Presidenti i Shqipërisë potencoi se Kosova ka një vizion për integrim në familjen euroatlantike, ndërsa e shohin pozitivisht planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, prania e NATO-s në rajon me KFOR-in është një shembull suksesi.

Stoltenberg për dialogun Kosovë-Serbi: Tani kemi një mundësi historike që mund të jetë me përfitim për gjithë rajonin

Sekretari i Përgjitshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se mirëpresin qasjen konstruktive nga Kosova dhe Serbia në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), derisa ka theksuar se presin përparim të rezultatit në takimet e ardhshme mes palëve, raporton Anadolu.

Stoltenberg, i cili foli në selinë e NATO-s në konferencë për media pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se NATO-ja do të vazhdojë që të lehtësojë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sepse “mendojmë se kjo është rruga e vetme drejt zgjidhjes dhe stabilitetit në Kosovë”.

“Tani kemi një mundësi historike që mund të jetë me përfitim për gjithë rajonin. Kështu që, ne mirëpresim qasjen konstruktive. Është e rëndësishme që të gjitha palët tashmë të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. Është e rëndësishme që palët të dëshmojnë gatishmëri të qartë në mënyrë që të gjejnë një mundësi për zgjidhje përfundimtare”, theksoi Stoltenberg.

Ai tha se çdo zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë parasysh respektimin e plotë të të drejtave të njeriut, vlerat demokratike, shtetin e së drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

“NATO-ja është e pranishme në Kosovë, ne e marrim situatën atje shumë seriozisht dhe ne e mbështesim fort dialogun e lehtësuar nga BE ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shtoi tutje shefi i NATO-s.

Deklaratat e Stoltenberg vijnë pas takimit të fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel më 27 shkurt ku u diskutua propozimi evropian për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Sipas shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan që nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme për këtë propozim, që palëve u është dorëzuar gjatë vitit 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button