Rënie katastrofike e numrit të udhëtarëve në transportin publik të Shkupit (Infografik)

Në linjat urbane-ndërurbane të transportit publik të Shkupit vitin e kaluar janë transportuar diçka më pak se 28.5 milionë pasagjerë, që është 15 milionë pasagjerë më pak në krahasim me numrin e udhëtarëve të transportuar që kishte NQP-Shkup para fillimit të pandemisë Covid-19. Për ekspertët këto janë rezultate katastrofike në punë dhe kërkojnë që kompanitë private të rikthehen në qarkullim sa më shpejt dhe orarin paraprak, i cili nënkuptonte një numër më të madh të autobusëve në linja, shkruan Meta.mk.

Sipas Raportit Vjetor për funksionimin e NQP-Shkup për vitin 2022, numri i udhëtarëve të transportuar vitin e kaluar ishte 28.496.000 udhëtarë. Krahasuar me vitin 2021 ka pasur një rritje të numrit të pasagjerëve të transportuar prej 5.360.000, por duhet pasur parasysh se pikërisht në vitin 2021 dhe 2020, për shkak të pandemisë Covid19, në periudha të caktuara u vendos ora policore me kufizime në lëvizjen e qytetarëve, mësimi zhvillohej online, ndërsa një numër i madh i qytetarëve punonin nga shtëpia.

Numri i udhëtarëve të transportuar nga NQP-Shkup
Numri i udhëtarëve të transportuar nga NQP-Shkup

Pas zbutjes së masave, transporti publik i Shkupit u kthye në normalitet me qarkullim të autobusëve deri në vjeshtën e kaluar, kur transportuesit privatë të “Makekspres” dhe “Sloboda prevoz” e ndërprenë lëvizjen, dhe NQP-Shkup mori përsipër detyrimin për mirëmbajtjen e të gjitha linjave urbane-periferike në Shkupi. Megjithatë, të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2022, numri i pasagjerëve të transportuar është ulur me 15 milionë në krahasim me periudhën para shfaqjes së pandemisë Covid19.

Përgjegjësit si elefant në dyqan porcelani

Profesori universitar për transport publik të qytetit, Nikolla Kërstanoski nga Fakulteti Teknik në Manastir, thotë për Meta.mk se krahasimi real i rezultateve të vitit të kaluar është ai me të dhënat nga koha para koronës dhe një krahasim i tillë tregon rezultate katastrofike.

Kërstanoski beson se përgjegjësit e administratës aktuale lokale në Shkup, kur është fjala për transportin publik të qytetit, sillen si elefant në dyqan porcelani.

“Përderisa kudo në botë transporti publik i qytetit mbështetet dhe promovohet aktivisht, si sistemi më i rëndësishëm në ndërtimin e një politike të një sistemi të qëndrueshëm të transportit urban, në Shkup po ndiqet një politikë katastrofike që degradon transportin e qytetit në kufij të paprecedentë”, komenton profesori Nikolla Kërstanoski.

Qëndrimin e tij ai e shpjegon me vendimin e miratuar paraprakisht në kohën e kryetarit të Qytetit Koce Trajanovski, kur NQP-Shkup dhe transportuesit privatë u shndërruan në një sistem të vetëm të transportit publik të qytetit, përkatësisht në sistem u përfshinë kompanitë private. Vendimi i Qytetit të Shkupit që këtë vjeshtë t’i heqë transportuesit privatë ishte shumë i keq, sepse NQP-Shkup ka mungesë të madhe të automjeteve për të mbajtur oraret e regjistruara”, sqaron Kërstanoski.

“Ajo që po ndodh tani është se në shumë linja numri i nisjeve është zvogëluar, kështu që rezultati është që pasagjerët presin 40 minuta ose më shumë, dhe kur vjen ndonjë autobus ai tashmë është plot. Është interesante se ligji dënon nëse transportuesit nuk e respektojnë orarin e regjistruar, andaj inspektorët duhet të shkojnë në Shkup dhe të ndajnë gjoba: Pyetja e vetme është kujt”, pyet Nikolla Kërstanoski.

Shpjegimi i tij konfirmohet edhe në Raportin Vjetor për funksionimin e NQP-Shkup për vitin 2022. Numri mesatar i autobusëve ditorë të rregullt vitin e kaluar ishte 246, që është dy autobusë më pak se në vitin 2021. Për shkak të kësaj, numri mesatar ditor i autobusëve në rezervë u ul në vetëm shtatë autobusë në vitin 2022, dhe një vit më parë kishte 41 autobusë në rezervë. Numri mesatar ditor i autobusëve në funksion vitin e kaluar u rrit në 197, krahasuar me 171 sa ishin në funksion në vitin 2021. Megjithatë, pyetja është nëse me 26 autobusë shtesë NQP-Shkup do të mund të mbulonte të gjitha linjat urbane-ndërurbane të transportuesve privatë në Shkup.

Profesor Nikolla Kërstanoski sqaron se problemi me mungesën serioze të mjeteve lëvizëse duhet të zgjidhet urgjentisht dhe të rivendoset orari paraprak i linjave urbane-ndërurbane në Shkup. Vetëm pas kësaj do të jetë e nevojshme të fillohet ndërtimi i një politike për përmirësimin e transportit publik të qytetit.

Nga qyteti i Shkupit dje kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshje me transportuesit privatë, në mënyrë që pushteti i qytetit të bëjë thirrje të re për përfshirjen e transportuesve privatë në transportin publik.

“Thirrja publike do të përmbajë kushtet për aplikim si në dy thirrjet paraprake publike, në mënyrë që çdo transportues që planifikon t’i përmbahet kontratës për transport publik me ndershmëri dhe përgjegjësi do të mund të aplikojë. “Sloboda Prevoz” dhe “Makekspress” nuk do të mund të marrin pjesë në këtë thirrje publike për shkak të pengesave që dalin nga kontrata paraprake, tashmë e ndërprerë, e cila parashikonte ndalimin e pjesëmarrjes në thirrje publike nëse kontrata zgjidhet para skadimit të saj dhe për faj të tyre”, informuan nga Qyteti i Shkupit.

Ata mbesin të mendimit se Qyteti i Shkupit nuk ka borxh ndaj transportuesve, ndërsa obligimet aktuale të NQP-Shkup ndaj transportuesve privatë do të paguhen sipas kontratave të nënshkruara, derisa vazhdon thirrja publike për kontrata të reja për transport publik.

Meta.mk të hënën i ka drejtuar pyetje Qytetit të Shkupit se çfarë masash do të ndërmarrin për rritjen e numrit të pasagjerëve në transportin publik të Shkupit në periudhën e ardhshme, por edhe se sa subvencione do të ndajë pushteti i qytetit në vitin 2023 për funksionimin e transportit publik dhe cilat kategori të qytetarëve do të mund të shpresojnë në vendosjen e transportit publik falas këtë vit, si një nga premtimet kryesore të bëra para zgjedhjeve nga kryetarja Danela Arsovska. Deri më sot nuk ka përgjigje për këto pyetje.

Profesor Nikolla Kërstanoski sqaron se transportuesit në transportin publik të qytetit nuk funksionojnë sipas ligjeve të tregut të lirë, por sipas çmimit të biletës dhe orareve të përcaktuara nga Këshilli i Qytetit të Shkupit.

“Askund në botë transporti publik urban nuk arrin të mbulojë kostot e funksionimit me të ardhurat nga biletat e shitura. Meqenëse qyteti cakton tarifën e tyre, e cila mbahet e ulët, dikush duhet të mbulojë diferencën. Në kohën para koronës vetëm autobusët e NQP Shkup kalonin 50 mijë kilometra në ditë, konsumoheshin rreth 24 tonë naftë në ditë, e të mos flasim për shpenzimet tjera të mëdha”, thotë ai, duke shtuar se nëse bileta rritet, ul automatikisht numrin e pasagjerëve dhe efekti i përgjithshëm do të ishte ulje e të ardhurave.

Të mos ketë improvizime me transportin e shpejtë me autobus (BRT-Shkup)

Kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, në disa raste ka dhënë deklarata jokonsekuente lidhur me performancën e dy linjave të transportit me autobus të shpejtë (BRT-Shkup), të cilin e ka nisur si projekt paraardhësi i saj, Petre Shilegov, dhe për të cilin. Qeveria ka siguruar një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 70 milionë euro.

Pas marrjes së detyrës, kryetarja Arsovska fillimisht deklaroi se nuk ka ndërmend të realizojë projektin për ndërtimin e BRT në Shkup, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 12 shkurt të këtij viti, tha se në asnjë moment nuk ka thënë se ka hequr dorë mbi atë plan, për të cilin Vërtetmatës.mk bëri një analizë të veçantë për mospërputhjen e deklaratave të saj lidhur me këtë projekt.

Profesori i Fakultetit Teknik nga Manastiri, Nikolla Kërstanoski, thotë se nuk ka informacione se çfarë po ndodh me projektin për futjen e transportit të shpejtë me autobus në Shkup, për të cilin para zgjedhjeve të vitti 2021 u shpall tender për ndërtimin e linjës së parë nga Novo Lisica deri në Gjorçe Petrov.

“Nuk kam informacion se çfarë po ndodh, por duke marrë parasysh gjithçka që ka ndodhur deri më tani, kam një frikë serioze se do të ketë një degradim të madh të projektit, i cili u vlerësua shkëlqyeshëm nga BERZH”, tha Kërstanoski.

Të hënën kërkuam përgjigje nga Qyteti i Shkupit se në cilën fazë të realizimit është aktualisht projekti për ndërtimin e dy linjave të sistemit BRT në Shkup dhe çfarë aktivitetesh është duke i ndërmarrë Qyteti i Shkupit për këtë projekt, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button