Sot fillon pagesa e biletës shtesë nëse tejkalohet koha për parkim zonal në Tetovë

Ndërmarrja publike “Parkingu i qytetit” nga Tetova prej sot, 1 mars, do të fillojë të tarifojë tejkalimin e orarit për parkim zonal. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin bilet shtesë, që qytetarëve do t’u kushtojë 1500 denarë, ndërsa ishte paralajmëruar vitin e kaluar, transmeton Portalb.mk.

“Si përkujtim, nëse shfrytëzuesi i një vendi parkimi tejkalon kohën e planifikuar të parkimit dhe nuk vazhdon të përdorë shërbimin e parkimit (nëse një mundësi e tillë parashikohet nga sistemi për tarifimin e shërbimit të parkimit), si dhe në rastin e parkimit të veturës në vendet e parashikuara për parkimin e mjeteve të personave me aftësi të kufizuara, nga persona që nuk i përkasin kësaj kategorie, shkel kushtet e përdorimit të vendparkimit, për të cilin është i detyruar të paguajë  biletë shtesë. Shuma e biletës shtesë është përcaktuar në tarifën e NP “Parkingu i qytetit” – Tetovë dhe do të jetë 1500 den. Nëse paguhet brenda 24 orëve nga dita e lëshimit, do të paguhet vetëm gjysma e vlerës, pra 750 denarë”, njoftojnë nga ndërmarrja

Urdhri për pagesën e biletës shtesë lëshohet nga kontrollori.

“Nëse nga ana tjetër bileta shtesë nuk paguhet brenda 8 ditëve nga dita e lëshimit për shfrytëzuesin e parkingut, do të inicohet procedurë për pagesën e borxhit me harxhime shtesë që lidhen me pagesën e detyruar dhe kamatëvonesat e parapara me ligj. Të nderuar qytetarë, për të mos u përballur me situata të pakëndshme, ju bëjmë thirrje gjithashtu që të respektoni rregullat dhe rregulloret e parkimit. Le të veprojmë dhe të punojmë së bashku për të vendosur rregull në parkimin në qytet. Të respektojmë rregullat, për të mirën e të gjithëve”, theksojnë nga “Parkingu i qytetit”.

Në kuadër të njoftimit kanë shpallur edhe fletë-pagesën, në anën e pasme të së cilës shpjegohet edhe mënyra e pagimit të biletës shtesë.

Në zonën e parkimit A në Tetovë, parkimi kushton 40 denarë, ndërsa në zonën B 30 denarë për një orë dhe në zonën C 20 denarë. Nga e hëna në të premte parkimi në zonë në kohë dimërore tarifohet nga ora 07:00 deri në 21:00, ndërsa në verë nga ora 7 e mëngjesit deri në 2 pasdite. Të dielave dhe festave parkimi në zonë është falas.

Kujtojmë se Komuna e Tetovës nuk arriti ta realizojë në tërësi planin për krijimin e parkingjeve në vitin 2022. Sipas planit vjetor të prezantuar në janar të vitit të kaluar ishin të parapara që deri në fund të vitit 2022 të krijohen 3,090 vende të reja parkimi, por gjatë kësaj periudhe u realizuan vetëm 284, apo vetëm 7 përqind. Sipas komunës, plani nuk është realizuar në tërësi për shkak të vështirësive që kanë hasur. Kaosi në trafik mbetet i pranishëm.

Sipas planit të shpalosur me 11 janar 2022, Komuna e Tetovës planifikonte që deri në fund të vitit të rriste numrin e vendeve të parkimit, përmes parkingjeve zonale, atyre të mbyllura si dhe garazheve në kate.

Ky plan ishte i ndarë në pesë faza, numri i planifikuar i vend-parkimeve zonale ishte  410, të mbyllura 790 dhe në garazhet në kate 1,890. Ndërsa deri në fund të vitit planifikoheshin 3,090 vende të reja parkimi në qytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button