Komunat e Pollogut do të themelojnë organ të përbashkët inspektues për kontroll më të madh mjedisor (Video)

Në rajonin e Pollogut ku gjithsej gjenden nëntë komuna, do të themelohet organ i përbashkët administrativ ndërkomunal për inspektimin e mjedisit jetësor. Kjo me qëllimin për të pasur efikasitet më të madh mjedisor në këtë rajon i cili me vite përballet me lloje të ndryshme të ndotjes. Kjo pikë dje kaloi në Këshillin e Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Sllavko Kostovski nga Qendra për Zhvillimin e Rajonit Planor të Pollogut (QZhRP) sqaroi se kjo e fundit u ka dorëzuar këshillave të të nëntë komunave të rajonit propozim vendim për miratimin e organit administrativ rajonal për inspektim dhe mbikëqyrje në fushën e mjedisit.

“Qëllimi është që të gjitha komunat t’i ndajnë kapacitetet e tyre të inspektoratit për të arritur një menaxhim më efikas dhe efektiv të mjedisit, përkatësisht të kryhet një mbikëqyrje më e madhe. Të gjithë jemi dëshmitarë se një numër i madh i objekteve industriale në rajon prodhojnë mbeturina, por nga ndërmarrjet publike rajonale për menaxhimin e mbeturinave kemi informacion se shumë pak depozitohet, kështu që përmes këtij organi administrativ do të forcojmë komunat dhe kapacitetet komunale në atë pjesë të arrihet kontroll më i madh i deponimit të mbeturinave dhe të zvogëlohet ndotja”, tha Kostovski.

Ai mes tjerash sqaroi se ky organ do të mund të ndëshkojë dhe do të ketë të njëjtat ingerenca si komunat.

“Do të përdoren të njëjtat shërbime inspektuese nga komunat dhe me autorizimin e kryetarëve të komunave, që gjithçka të funksionojë ashtu siç duhet. E kam fjalën si praktikë e vendosur në vetë komunat. Qëllimi është që të rriten kapacitetet dhe procedura të bëhet më efikase”, nënvizoi Kostovski.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se ky si vendim ka ardhur në këshillin e Komunave të Pollogut me kërkesë të deponisë Rusino si dhe të disa komunave rurale të cilat nuk kanë inspektor të licencuar për ambient jetësor.

“Ideja është në komunikim edhe me Ministrinë e Ambientit Jetësor që përgjegjësitë të cilat i kanë komunat dhe aty ku janë përgjegjësitë e ministrisë pra në përcjelljen e ambientit jetësor të koordinohemi si rajon i Pollogut që të kemi kontroll më efikas në të gjithë territorin sepse deponia Rusino është rajonale dhe është e kotë që ne në nivel të komunave ku kemi inspektorat i kontrollojnë ata të cilët hedhin mbetjet industriale në vende të cilat nuk janë të përcaktuara për deponim por kemi komuna rurale të cilat nuk e kanë një kontroll të tillë…Pra për shkak se bëhet fjalë për një territor të integruar, doli ideja në takimin e këshillit të rajonit të Pollogut…sepse mbrojtja e ambientit jetësor nuk është lokale por është në këtë rast më e gjerë, rajonale në bashkëpunim Ministrinë e Ambientit Jetësor”, tha Kasami.

Këshilli Komunal i Tetovës me 30 vota për votoi këtë pikë, si dhe e autorizuan kryetarin e komunës që të zgjedh një inspektor të licencuar nga komuna për këtë organ administrativ.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Më tepër informacion për këtë mund të gjeni në videon e mëposhtme duke filluar nga minuta: 3:15:00.

Përndryshe, numri i dënimeve të shqiptuara nga inspektorati komunal i Tetovës për vitin 2022 nga fusha e mjedisit jetësor është gjithsej pesë.

Kujtojmë që ndotja e mjedisit jetësor në forma të ndryshme mbetet problem shumë vjeçar jo vetëm në rajonin e Pollogut por i mbarë vendit në përgjithësi, pavarësisht përpjekjeve në drejtim të zgjidhjes së problemit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button