BE-ja publikoi të plotë draft marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme (EEAS) publikoi në ueb faqen e tij tekstin e propozimit të Bashkimit Evropian për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç njoftoi në Twitter Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borel, dje në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ranë dakord se propozimi nuk kërkon bisedime të mëtejshme, transmeton Portalb.mk.

Në tekstin e propozimit evropian theksohet se palët në marrëveshje janë të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për të ruajtur paqen, të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe tejkalimin e së kaluarës. Ata janë të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kushtet themelore për paqe.

Në tekstin e marrëveshjes thuhet se “të dy palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë të bazuar në të drejta të barabarta, se do të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore”.

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

“Me marrëveshjen, Kosova dhe Serbia marrin përsipër që të zgjidhin mosmarrëveshjet e ndërsjella ekskluzivisht me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimet për përdorimin e forcës. Palët nisen nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund ta përfaqësojë tjetrin në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, thuhet në tekst.

Asnjëra palë nuk do të bllokojë apo inkurajojë të tjerët që të bllokojnë përparimin e tjetrës në rrugën e saj drejt BE-së me meritat e saj.

Në tekst thuhet se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve, por se palët duhet të vazhdojnë dialogun nën kujdesin e BE-së, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të tyre.

Palët ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, shkencës, teknologjisë, transportit, lidhjeve, drejtësisë, zbatimit të ligjit, postës, telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, refugjatëve dhe fushave të tjera të ngjashme duke përfunduar kontrata specifike.

“Të dyja palët angazhohen të vendosin aranzhime dhe garanci të veçanta, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurojnë një nivel adekuat të vetëqeverisjes së komunitetit serb në Kosovë dhe aftësinë për të ofruar shërbime në fusha të caktuara, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi ndërmjet komunitetit serb dhe qeverisë së Kosovës”, thuhet në tekst.

Gjithashtu thuhet se palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të fortë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Është paraparë shkëmbim i misioneve të përhershme, të cilat do të vendosen në selitë e qeverive. Palët ranë dakord për krijimin e një komiteti të përbashkët të kryesuar nga BE-ja për të monitoruar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Në nenin e fundit thuhet se palët marrin përsipër të respektojnë planin për implementim i cili është në aneksin e marrëveshjes.

Komisioneri Evropian për Punë të Jashtme Josep Borrell pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti tha se i njëjti përfundoi pa marrëveshje, por se Vuçiq dhe Kurti ranë dakord se nuk nevojiteshin bisedime të mëtejshme për propozimin evropian dhe se ajo është kornizë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

Vuçiq tha se është rënë dakord që takimi i radhës të mbahet në Maqedoninë e Veriut më 18 mars. Ai shtoi se bisedimet në Bruksel ishin të vështira dhe se pengesa kryesore ishte Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të Kosovës.

“Kemi pasur një takim të vështirë dhe besoj se do të ketë shumë të tjera në periudhën e ardhshme. Duhet të takohemi më 18 mars në Maqedoninë e Veriut, kur Boreli do të vizitojë rajonin dhe deri atëherë do të bisedojmë me Lajçakun për gjërat që duhet të zbatojmë. Në njoftimin e BE-së do të përmendet domosdoshmëria e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve paraprake. Unë insistova në Asociacionin e Komunave Serbe. Kurti nuk ishte gati ta pranonte këtë tani dhe do të shohim nëse do të jetë gati në të ardhmen”, tha Vuçiq.

Pas takimit, në të cilin mori pjesë i dërguari i posaçëm i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, Borel tha se bisedimet ishin intensive dhe se si Vuçiq ashtu edhe Kurti treguan përgjegjësi.

Kryeministri i Kosovës pas takimit deklaroi se ishte i gatshëm ta nënshkruante marrëveshjen, por pala tjetër refuzoi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button