Alternativa: Ta formojmë “Asociacionin e Komunave me Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut”

Partia Alternativa, sot nëpërmjet një komunikate ka propozuar të fillohet nisma për reciprocitet edhe në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht të themelohet “Asociacioni i Komunave më Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut!”, ashtu siç po i kërkohet Kosovës, ta themelojë “Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, njofton Portalb.mk.

“Në kohën që Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kur secili diplomat perëndimor që vjen në Prishtinë e përsërit refrenin “të bëhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë!”, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (BDI, ASH dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Asgjë më shumë. Vetëm aq. Ata që e kërkojnë këtë nga Kosova janë aleatët tanë perëndimorë, andaj kjo njësi i bie të jetë në frymën e vlerave perëndimore. Shumë mirë atëherë. Ta bëjmë edhe ne në Maqedoninë e Veriut një Asociacion në këtë frymë perëndimore!”, thonë nga Alternativa.

Sipas tyre, kjo kauzë mund t’i bashkojë të gjitha partitë shqiptare, madje edhe Alternativën që nuk ka komunë.

“Ta fillojmë që sot nismën “Asociacioni i Komunave më Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut!” Reciprocitet i bukur dhe, njëherazi, evropian, apo?! Mbase kështu arrijmë edhe te tema e reciprocitetit gjuhësor mes shqipes në Maqedoninë e Veriut dhe serbishtes në Kosovë”, shtojnë nga Alternativa.

Asociacioni i Komunave Serbe është asociacion vetëqeverisje i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Propozimi i asociacionit erdhi si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe Serbisë. Asociacioni pritej të krijohej zyrtarisht brenda kuadrit ligjor të Kosovës në vitin 2015, por shtyhet pafundësisht për konfliktet rreth shkallës së kompetencave. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se themelimi i Asociacionit nuk është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Frika është se ky Asociacion, mund të krijojë “shtet” brenda shtetit të Kosovës, ashtu siç është rasti në Bosnje.

Megjithatë, periudhën e fundit, faktori ndërkombëtar, gjegjësisht BE dhe SHBA kanë insistuar që të zbatohet kjo marrëveshje dhe të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button