Prokuroria ngriti akuzë kundër Llatasit dhe Llazarovit: Kanë promovuar dhunë ndaj grave

Prokuroria Themelore Publike përpara gjykatës kompetente ka dorëzuar akuzë kundër ish kryeredaktorit të TV “Sitel” Dragan Pavloviq Llatas dhe jutuberit Stefan Llazarov për veprën penale “Shpërndarje të materialit racist dhe ksenofob nëpërmjet sistemit kompjuterik” sipas nenit 394-g paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal, informojnë nga Prokuroria, transmeton Portalb.mk.

“Të dy të akuzuarit nëpërmjet sistemit kompjuterik, kanë shpërndarë material racist dhe ksenofob të idesë e cila promovon dhunë ndaj grave, me çka ka shkaktuar reagime dhe ndjenjë të pasigurisë dhe shqetësimit në opinion”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prej atje informojnë se i akuzuari i parë (Llatas), duke qenë si mysafir në një intervistë të publikuar më 14 shkurt si podcast në kanalin e platformës Youtube të të akuzuarit të dytë (Llazarov), publikisht ka promovuar akt të dhunës gjinore, duke evokuar kujtime nga e kaluara e tij eventuale, pa deklaruar dënim moral ose pendesë, me atë me vetëdije ka promovuar sjelljen dhunuese.

I akuzuari i dytë (Llazarov), edhe pse i vetëdijshëm për ndikimin që ka përmbajtja që e transmeton, veçanërisht te të rinjtë, megjithatë nuk e ka parandaluar ose ndaluar bashkëfolësin (Llatasin), por plotësisht e ka dhënë komente dhe nënpyetje që ta ritregojë ngjarjen kontestuese.

“Me urdhër të prokurorit publik, Sektori për Krim Kompjuterik në MPB e ka dokumentuar dhe siguruar podcastin në fjalë dhe tërë materialin tjetër, i cili i konfirmon elementet e veprës penale për të cilën parashikohet dënim prej 1 deri në 5 vjet burg”, thonë nga Prokuroria.

Për shkak të rrezikut nga arratia, prokurori kompetent i ka propozuar Gjykatës Penale të caktojë masë të kujdesit për të akuzuarin e parë (Llatasit) “Marrje të përkohshme të dokumentit të udhëtimit”.

Për të dy të akuzuarit, Prokuroria ka propozuar “ndalesë për çfarëdo paraqitje publike me çka promovohet shpërndarja e materialit racist dhe ksenofob”.

Intervista e Dragan Pavlloviq-Llatasit me jutjuberin Stefan Llazarov e cila shkaktoi reagime negative në opinion, nga pasditja e djeshme nuk mund të gjendet në kanalin e jutjuberit

Podkasti në të cilin mori pjesë Llatasi u transmetua para pesë ditësh dhe shkaktoi një valë reagimesh pasi ai flet për një përvojë seksuale në ditët e adoleshencës me një vajzë nga arsyeja që nxiti dhunë dhe diskriminim gjinor.

Për intervistën kanë reaguar qytetarët nëpër rrjetet sociale, ndërsa dje reagime ka pasur edhe nga organizata joqeveritare dhe shoqata të gazetarëve.

Në videon e publikuar në mbrëmjen e 14 shkurtit dhe të transmetuar drejtpërdrejt, Llatas duke qeshur tregon për dhunën seksuale ndaj një gruaje kur ishte adoleshent, ndërsa moderatori Stefan Llazarov reagon me të qeshura dhe nënpyetje për përmbajtjen eksplicite.

Pas ortekut të reagimeve, në një prononcim që më pas e ka fshirë, YouTuberi Lazarov ka mohuar që i ftuari në emision ka folur për përdhunim, ndërsa në Instagram ka akuzuar se në këtë rast është bërë fjalë për “përndjekje” ndaj tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button