Tetovë, tarraca mbi Lumin Shkumbin: Komuna përzgjedh kompaninë, bizneset e interesuara paguajnë realizimin

Në Komunën e Tetovës sot u realizuan dy debate publike. I pari për ndërtimin e tarracave mbi Lumin Shkumbin për bizneset që operojnë përgjatë tij, ku Komuna planifikon të përzgjedh kompaninë për ndërtimin e tyre, ndërsa bizneset e interesuara do të paguajnë për të njëjtat. Ndërkaq, debati i dytë ishte për studimin e fizibilitetit për krijimin e partneritetit publiko-privat për ndriçimin publik në Komunën e Tetovës, e cila do duhet të vendoset më pas nga Këshilli Komunal, shkruan Portalb.mk.

Tarraca mbi Lumin Shkumbin

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se ideja për ndërtimin e tarracave ka dalë nga vetë qytetarët.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Në konsultim me qytetarë doli si propozim që mbi lumin e qytetit të mund të ndërtohen tarraca të cilat do të shfrytëzohen nga objektet hotelierike për tarracat e objekteve të tyre, me çka ne do ta ulim presionin e qytetarëve për të uzurpuar hapësirat pranë lumit e cila ka qenë si praktikë në të kaluarën”, tha Kasami.

Ai shton se ideja është që të lirohen hapësirat publike, veçanërisht përskaj lumit.

“Që të mos jemi selektiv, vendojmë rregulla që do të vlejnë për të gjithë, por edhe thirrja publike për gjithë objektet i plotësojnë kushtet që mbi lumin e qytetit të kenë mundësi të shfrytëzojnë tarracat”, deklaroi Kasami para mediave.

Memet Jonuzi nga Sektori për veprimtari komunale në Komunën e Tetovës gjatë debatit sqaroi projektin ideor dhe si do të duket e njëjta.

“Kushtet që duhet të plotësohen për ndërtimin dhe vendosjen e mbështetësve janë: si pikë të parë e kemi bërë që të jetë kushti themelor për ndërtimin, konstruksioni metalik…Komuna do të bëjë përzgjedhjen e një kompanie e cila do të bëjë ndërtimin dhe realizimin në bazë të kushteve të përcaktuara për projektin themelor dhe ndërtimin e platformës. Çfarë nënkupton kjo?…Kjo do të vlejë për ata biznese që do të përzgjedh Komuna, kurse harxhimet do të vijnë nga ata që janë të interesuar për këtë”, sqaroi mes tjerash Jonuzi.

Këshilltari komunal, Abdurahim Maksuti gjatë debatit pyeti se a kanë të drejtë vetëm kafeteritë buzë lumit apo edhe të tjera të bëjnë kërkesë për këto tarraca? Jonuzi nga Komuna sqaroi se sipas programit, parashihen vetëm lokalet që janë buzë lumit.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Partneritet publiko-privat për mirëmbajtjen e ndriçimit publik

Kasami sqaroi se me vendim të këshillit komunal është përpiluar studim fizibilititeti për partneritet privat për ndriçimin publik në Komunën e Tetovës.

“Sot kemi përfaqësues të kompanisë që kanë përgatitur studimin e fizibilitetit. Në bashkëbisedim me qytetarët, me këshilltarët dhe me të gjithë të interesuarit do të diskutohet për të. Përfaqësuesi i kompanisë do të japë sqarime për studimin dhe me konkluzionet që do dalin nga këtu dhe e njëjta do të shkojë për diskutim edhe në Këshill”, tha Kasami para mediave.

Konsulentja Svetllana Petrovska sqaroi se në kushtet e krizës energjetike dhe rritjes së ndjeshme të energjisë elektrike, problemi i ndriçimit rrugor është edhe më alarmant për t’u zgjidhur.

“Studimi propozon tre variante për modernizimin e ndriçimit rrugor, ndërsa ndër përfitimet janë mundësia që Komuna e Tetovës të monitorojë dhe menaxhojë kostot e energjisë elektrike, menaxhimi i inventarit, mundësia e vendosjes së një “sistemi të mençur të menaxhimit” për të kursyer kohën dhe kostove për mirëmbajtje, duke reduktuar emetimin e dioksidit të karbonit”, theksoi mes tjerash Petrovska.

Sipas studimit, opsioni i parë për modernizim është më i shtrenjti dhe parashikon 4.5 milionë euro, por edhe më gjithëpërfshirës ku përfshin linjat nëntokësore, sistemet e monitorimit, menaxhimit dhe kontrollit.

Kasami mes tjerash, tha se zgjidhja e partneritetit publiko-privat do të ishte më efikase në menaxhimin edhe me ata që e vjedhin rrymën.

“Me këtë ne mbrohemi edhe nga një problem tjetër që ka qenë permanent në të kaluarën në Komunën e Tetovës, por edhe në komunat tjera në vend që ka të bëjë me vjedhjen e rrymës elektrike nga ndriçimi publik. Në këtë rast më lehtë dhe më mirë partneri privat do të mundet që këto keqpërdorime dhe këto vjedhje t’i eliminojë dhe të kemi efikasitet më të lartë të harxhimit dhe shfrytëzimit të energjisë elektrike sa i përket ndriçimit publik”, tha Kasami gjatë debatit.

Ai shtoi se partneriteti publiko-privat është zgjidhja e duhur për këto momente dhe në gjendjen në të cilën ndodhet komuna, pas refuzimit të themelimit të ndërmarrjes për energjinë elektrike dhe shoqërisë tregtare për të njëjtën. Mes tjerash ai theksoi se Komuna e Tetovës ka borxh rreth 400 mijë euro ndaj një operatori për ndriçim.

Për sa i përket kësaj pike, askush nga të pranishmit nuk mori fjalën të diskutojë.

Ndryshe, për çështjen e ndriçimit pritet të vendosin këshilltarët e Këshillit Komunal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button