Në Strugë, deri më tani, 30 mijë turistë dhe 100 mijë bujtje

Deri në fund  të muajit korrik, në qytetin piktoresk të Strugës kanë ardhur të pushojnë rreth 30 mijë turistë,  ndërkohë që janë evidentuar rreth 100 mijë bujtje. Krahasuar me vitet paraprake këto shifra nuk dallojnë shumë, por njohësit e kësaj problematike thonë që dallimi nga viti në vit përsa i përket numrit të turistëve nuk është më i madh ose më i vogël se 2000 turistë dhe 10 mijë bujtjeve.

“Në  vitin 2012 ka pasur rreth 60 mijë turistë dhe 300 mijë bujtje, numër që për vite me radhë ka qenë i përafërt, me lëvizje prej 2 mijë turistësh dhe 10 mijë bujtjesh. Edhe për këtë vit pritet që numri të jetë i perafert. Deri tani, nëse shtohen edhe të dhënat akoma të papërpunuara të muajit korrik, kemi një numër prej rreth 30 mijë turistësh dhe 100 mijë bujtjesh.”, thekson Naser Iljazi, përgjegjës për turizëm në Komunën e Strugës.

Kështu, në muajin janar janë evidentuar 285 turistë vendas dhe 432 të huaj, ndërkohë që  po gjatë këtij muaji 486 bujtje kanë realizuar turistët vendas dhe 646 sosh turistët e huaj.

Rritje të numrit të turistëve evidentohet nga muaji maj, muaj në të cilin  Strugën e kanë vizituar 1704 turistë vendas të cilët kanë realizuar 5012 bujtje dhe 4715 turistë të huaj që kanë realizuar 10846 bujtje. Ndërsa, në qershor qytetin e Strugës e kanë vizituar 3282 turistë vendas, me 3016 bujtje dhe 5337 turistë të huaj që kanë realizuar 11366 bujtje.

Nga të dhënat që Portalb-it i ofroi Iljazi del që nga muaji  janar deri në qershor  Strugën e kanë vizituar 6610 turistë vendas, që kanë realizuar 10730 bujtje dhe 13360 turistë të huaj që kanë realizuar gjithsej 28078 bujtje.

Kjo i bie që numri i turistëve të huaj dhe bujtjeve që ata kanë realizuar të jetë më shumë se njëherë më i madh se numri i turistëve vendas dhe i bujtjeve që ata i kanë realizuar.

“Numri i përgjithsëm i turistëve për këtë periudhë është 17.340. Numri i përgjithshëm i bujtjeve të realizuara është 41.438, kurse të dhënat statistikore janë vetëm për hotelet në Strugë. Akomodimi privat merr pjesë me 25% nga numri i përgjitshëm, kështu që për këtë periudhë kohore, janar-qershor 2013 në Strugë kanë qëndruar afro 22.000 turistë, të cilët kanë realizuar afro 52.000 bujtje, thekson Naser Iljazi, përgjegjës për turizmin në Komunën e Strugës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button