Kurti bisedon me Scholzin për propozimin evropian

Për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u fol në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet një konferencë për sigurinë, transmeton REL.

Kështu thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosoëvs të 18 shkurtit, ku u bë e ditur se në këtë takim ishin prezent edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gër​valla, ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Gjithashtu në takim u diskutua edhe për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, thuhet në njoftim.

“Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftim.

Kosova dhe Serbia janë nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, nga frika se Rusia mund t’i shfrytëzojë tensionet mes tyre për të nxitur destabilizim në Ballkan, në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Aktualisht, palët kanë në tryezë një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilin SHBA-ja ka shprehur mbështetje.

Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel më 27 shkurt, për herë të parë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button