Qeveria shkarkoi drejtorin e “Gazetës zyrtare” që ishte kuadër i Lidhjes Demokratike

Qeveria ka shkarkuar Vladimir Kronevskin nga pozita e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Gazeta Zyrtare” e Maqedonisë së Veriut, njoftoi dje pasdite shërbimi për shtyp i qeverisë, transmeton Portalb.mk.

Në vend të tij për u.d drejtoreshë është emëruar Kristina Joakimovska.

Kronevski ishte kuadër i Lidhjes Demokratike (LD) dhe ky vend drejtori ishte i vetmi që kishte partia si pjesë e koalicionit qeverisës.

Dje nga LD-ja njoftuan se ai do të japë dorëheqjen, por në njoftimin e qeverisë nuk thuhet nëse shkarkimit i ka paraprirë dorëheqja.

“Qeveria, në pikën e rendit ditës në lidhje me çështjet kadrovike mori vendim për shkarkimin e Vladimir Kronevskit nga pozita e drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qeveria emëroi Kristina Joakimovska si ushtruese të detyrës drejtoreshë e NP Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriu”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Lidhja Demokratike kishte edhe zëvendësministër për vetëqeverisje lokale – Zoran Dimitrovski. Ai dje ia dorëzoi dorëheqjen kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Tërheqja e zyrtarëve nga partia vjen pasi dy ditë më parë Kryesia dhe Këshilli Qendror i LD-së vendosën të mos mbështesin rindërtimin e Qeverisë dhe të largohen nga shumica parlamentare.

Kujtojmë se të njëjtin vendim, largim nga Qeveria, paraprakisht e mori edhe Alternativa, kjo si rezultat i hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, e cila ngushtoi kolltukun e partisë Alternativa me të cilën në zgjedhjet e fundit parlamentare dy partitë ishin në koalicion, i cili zgjati deri dhjetorin e vitit 2021 kur Alternativa vendosi nga opozita të kalojë në pozitë. Me ndryshimet e fundit në Qeveri, dy ministri të Alternativës pritet t’i kalojnë ASh-së.

Këtë vendim e bëri të ditur, i pari i partisë Afrim Gashi përmes konferencës për shtyp, ku tha se tani e tutje me tre deputetët e saj do vazhdojnë në opozitë, ndërkaq tha se LSDM-ja e ka shkelur marrëveshjen me të cilën ata u bënë pjesë e Qeverisë.

Sot madje pritet shkarkimi i funksionarëve qeveritarë të Alternativës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button