Ndihmat e para humanitare të Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut u nisën drejtë Turqisë dhe Sirisë

Tetëqind pako me ushqime, 17.00 pako me produkte higjienike dhe 4.000 batanije është dërgesa e parë e ndihmave humanitare të mbledhura nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut, e cila sot niset për në rajonet në Turqi dhe Siri që u goditën nga një tërmet shkatërrues të hënën ku jetën e humbën më shumë se 36 mijë njerëz, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Dërgesa e parë me ndihma humanitare u dërgua së bashku nga sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, Sait Saiti dhe ambasadori i Turqisë në vend, Hasan Mehmet Sekizkok.

Siç tha Saiti, deri më sot, përveç dy kamionëve me pako me ushqime, produkte higjienike dhe batanije, janë mbledhur gjithsej 25.120.773 denarë ndihmë monetare.

Ambasadori turk, nga ana tjetër, bëri të ditur se përmes disa organizatave joqeveritare dhe kompanive me ndihmën e, siç theksoi, vëllezërve dhe miqve në vend, deri më tani janë dorrëzuar 850 ton produkte ushqimore, 53 ton veshje, 27 ton të materialeve higjienike, 4360 batanije, 186 ngrohës, 37 tenda dhe 18 agregate.

Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq theksoi se kjo është ndihmë fillestare humanitare, duke shprehur shpresën se në periudhën e ardhshme do të ofrohen ndihma shtesë.

Ai apeloi që ushqimet e dhuruara të jenë sipas standardeve për punë humanitare, sepse këto ditë ka pasur raste që ndihmat humanitare nuk kanë qenë në nivelin e kënaqshëm në raport me standardet dhe nuk kanë mundur të dërgohen.

Ambasadori turk shprehu mirënjohjen e tij për Maqedoninë e Veriut, e cila, siç theksoi, qëndron krah për krah me Turqinë për tejkalimin e këtyre ditëve të vështira.

Ambasadori deklaroi se nga e premtja e kaluar në Turqi është transferuar një shumë prej gati një milion eurosh, duke shtuar se po zhvillohet një fushatë në shkallë të gjerë si për ndihma materiale ashtu edhe për ato financiare.

Kujtojmë që në ndihmë të Turqisë dhe Sirisë, Qeveria ka ndarë ndihmë financiare dhe teknike. Ndihmë kanë ndarë edhe komuna të tjera nga vendi, si teknike po ashtu edhe financiare. Në ndihmë kanë dale edhe nga sektori qytetar dhe vullnetarë individual nga vendi. Ndërkaq dje u shpall ditë zie në RMV në solidarizim me të prekurit nga tërmeti.

Numri i të vdekurve nga tërmetet me magnitudë 7.8 dhe 7.5 që tronditën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë më 6 shkurt, kaloi shifrën prej 36.000, teksa ekspertët paralajmërojnë se ky numër do të rritet. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën edhe të martën, për të nxjerrë njerëz nën rrënojat në tri provinca të prekura rëndë nga tërmetet shkatërruese që goditën Turqinë dhe Sirinë javën e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button